Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, në emisionin “360 Gradë” në Alsat, tha se të gjitha objektet e ndërtuara pa leje që nuk do të përfshihen me ligjin e ri do të hiqen nga terreni.
“Menjëherë pas përfundimit të këtij ligji, pra pas shtrirjes që do të ndodhë me këtë ligj dhe kërkesave që do të paraqiten dhe procedurat që do të kryhen, gjithçka që do mbetet do duhet të prishet. Kështu thotë ligji dhe duhet të respektohet dhe do të duhet të respektohet nga komunat dhe shteti përmes Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimit”, thotë Boçvarski.
Propozim-ligji i ri për legalizimin e objekteve pa leje nuk i përfshin të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, është shprehur ndër të tjera Boçvarski.
Siç tha ai, ligji ka kaluar në Qeveri dhe pritet të hyjë në procedurë parlamentare.
“Ligji i ri nuk i vë në pozitë të barabartë ata që ndërtuan pa leje me ata që ndërtuan sipas ligjit. Ata që ndërtuan pa leje me këtë ligj dënohen me gjoba shtesë, me 50% shpenzime më të larta komunale se ato të zakonshmet ose 100% nëse bëhet fjalë për objekt më të madh se 80 metra katrorë…Nuk do të thotë që nëse dikush ka ndërtuar ilegalisht në zonë të Planit të përgjithshëm urbanistik për banim individual për të ndërtuar një objekt industrial se do të legalizohet. Nuk do t’i nënshtrohet fare legalizimit. Vetëm në përputhje me qëllimin e PPU-së”, thotë Boçvarski.