Çka është BRICS-i dhe kush janë anëtarët e këtij grupi?

    Reuters

    Blloku BRICS i vendeve me ekonomi të mëdha në rritje – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – do ta mbajë samitin e 15-të me liderët e vendeve anëtare në Johanesburg mes 22 dhe 24 gushtit.

    Më poshtë mund t’i lexoni disa nga faktet kryesore rreth këtij blloku dhe anëtarëve të tij.

    Çka është blloku BRICS?

    Akronimi BRIC, që në fillim nuk e përfshinte Afrikën e Jugut, u përdor për herë të parë në vitin 2001 nga ekonomisti i Goldman Sachs, Jim O’Neill në një hulumtim që nënvizonte potencialin e rritjes së Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës.

    Blloku u themelua si një grup joformal në vitin 2009 për t’iu ofruar një platformë anëtarëve të tij për ta sfiduar një rend botëror të dominuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj të Perëndimit.

    Krijimi i këtij blloku u iniciua nga Rusia.

    Grupi nuk është organizatë shumëpalëshe formale si Kombet e Bashkuara, Banka Botërore ose Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC).

    Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare mblidhen çdo vit, ndërsa secili vend e merr kryesinë njëvjeçare të bllokut sipas një radhe të paracaktuar.

    Kush janë anëtarët e këtij blloku?

    Brazili, Rusia, India dhe Kina janë anëtarët themelues të këtij blloku.

    Afrika e Jugut, anëtarja më e vogël për sa i përket ndikimit ekonomik dhe numrit të popullsisë, ishte përfituesja e parë e një zgjerimi në vitin 2010, kur blloku u bë i njohur si BRICS.

    Së bashku, këto vende përbëjnë më shumë se 40 për qind të popullsisë së botës dhe një të katërtën e ekonomisë globale.

    Përveç gjeopolitikës, anëtarët e këtij blloku kanë për qëllim të fokusohen edhe në bashkëpunimin ekonomik dhe rritjen e tregtisë dhe zhvillimit shumëpalësh.

    Blloku funksionon me konsensus. Të gjitha vendet e BRICS janë pjesë e Grupit të të 20 vendeve më industrializuara në botë (G20).

    Cilat vende duan të anëtarësohen në BRICS dhe pse?

    Mbi 40 vende, përfshirë Iranin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Argjentinën, Algjerinë, Bolivinë, Indonezinë, Egjiptin, Etiopinë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Komoret, Gabonin dhe Kazakistanin, kanë shprehur interesim për t’u anëtarësuar në këtë bllok, sipas zyrtarëve të Afrikës së Jugut, që po e kryeson bllokun gjatë vitit 2023.

    Këto vende e shohin bllokun BRICS si një alternativë ndaj trupave globale që shihen si të dominuara nga fuqitë tradicionale perëndimore dhe shpresojnë se anëtarësimi do të ofrojë përfitime si në financim të zhvillimit dhe rritjes së tregtisë dhe investimeve.

    Pakënaqësia me rendin global në mesin e vendeve në zhvillim u përkeqësua nga pandemia COVID-19 kur vaksinat u grumbulluan nga vendet më të pasura.

    Irani, ku gjendet rreth një e katërta e rezervave të naftës në Lindjen e Mesme, ka thënë se shpreson që procesi për zgjerimin e ri të bllokut do të vendoset “sa më parë”.

    Arabia Saudite, vend i pasur me naftë, ishte në mesin e më shumë se dhjetëra vendeve që morën pjesë në bisedimet e “Miqve të BRICS” në Kejp Taun në qershor.

    Ajo ka marrë mbështetje nga Rusia dhe Brazili për t’u anëtarësuar në BRICS.

    Argjentina tha në korrik të vitit 2022 se kishte marrë mbështetjen zyrtare të Kinës në përpjekjen e saj për t’u anëtarësuar në këtë bllok.

    Etiopia, një nga vendet me rritjen më të shpejtë në Afrikë, tha në qershor se kishte kërkuar të anëtarësohej në bllok. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se Etiopia do të vazhdojë të punojë me institucionet ndërkombëtare që mund t’i mbrojnë interesat e vendit.

    Presidenti i Bolivisë, Luis Arce, ka shprehur interesim për anëtarësim në BRICS dhe pritet të marrë pjesë në samit. Qeveria e Bolivisë tha në korrik se ishte e vendosur ta frenonte varësinë nga dollari amerikan për tregtinë e jashtme, duke u kthyer te juani kinez, në përputhje me synimin e deklaruar të liderëve të BRICS për ta reduktuar varësinë nga SHBA-ja.

    Algjeria tha në korrik se ka aplikuar për anëtarësim në BRICS dhe për t’u bërë aksionare në Bankën e Re për Zhvillim, të ashtuquajturën Banka e BRICS. Kombi i Afrikës së Veriut është i pasur me burime nafte dhe gazi dhe po kërkon ta diversifikojë ekonominë dhe ta forcojë partneritetin me Kinën dhe vendet e tjera. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Baerbock: Kina po e sfidon mënyrën se si jetojmë së bashku në botë

    Lajmi i rradhës

    Telekom Maqedoni dhe A1 Maqedoni, mbyllin sytë para klientëve që paguajnë për “shërbime” të padëshiruara

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë