Çka pas heqjes së dinarit në Kosovë?

    Jadranka nga Mitrovica e Veriut druan se nuk do të mund ta marrë më pensionin në Kosovë, por se do t’i duhet të shkojë çdo muaj në Rashkë – qytet kufitar në Serbi.

    “Nuk e di se kush është fajtor, por të bëhet një gjë e tillë… nuk e di, nuk kam fjalë”, thotë kjo banore e veriut të Kosovës, e cila pensionin e merr në dinarë nga buxheti i Serbisë.

    Më 17 janar, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njoftoi se nga 1 shkurti, valutë e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë, do të jetë euroja.

    Por, kjo ngre pyetjen se si do të paguhen rrogat e punonjësve në institucionet serbe në Kosovë, që ndahen nga buxheti i Serbisë, pastaj pensionet, shtesat e fëmijëve apo asistenca sociale.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – tha se heqja e dinarit do të thotë “dëbim i serbëve pa përdorimin e armëve”.

    “Pas të gjitha formave të dhunës institucionale që u përdorën kundër popullit serb nga regjimi autoritar i [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti dhe pasi nuk arriti t’i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, ai tani vendosi që ta ndalojë dinarin në Kosovë dhe kështu ta kërcënojë drejtpërdrejt mbijetesën fizike të popullit serb”, tha Lista Serbe në reagim.

    Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, rëndësia e veçantë e rregullores së BQK-së qëndron te përcaktimi i valutës që lejohet të përdoret në të gjitha transaksionet bankare e jobankare në Kosovë, e që në këtë rast është euroja.

    “Secili prej qytetarëve të Republikës së Kosovës që ka vepruar në kundërshtim me këtë, ka qenë në vazhdimësi në anën e shkelësit të ligjit”, shkroi Bislimi në Facebook.

    Ai tha se rregullorja e BQK-së “nuk është produkt i negociatave politike në Bruksel” dhe si e tillë “nuk ka se si të ketë ndikim në mbarëvajtjen” e procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë.

    “Transparenca në import të valutave të huaja, konvertimi i tyre në euro dhe transferi te përfituesit finalë nuk ka asnjë mundësi të ndikojnë as në mbarëvajtjen e furnizimeve të përfituesve eventualë, e as në zvogëlimin e fuqisë blerëse të tyre”, sipas Bislimit.

    “Insistimi që, edhe më tej, transferi i parave përtej kufirit shtetëror të bëhet dhe tolerohet në mënyrë klandestine, me thasë e vetura individuale, e pastaj të shpërndahet përmes zyrave të paregjistruara e të palicencuara, jo vetëm që ngjason në ide të shekullit të 19-të, por edhe synon mbajtjen e qytetarëve përfitues në ilegalitet dhe varësi konstante nga të njëjtët sekserë”, tha zëvendëskryeministri kosovar.

    Deri më tani, dinari – monedha zyrtare e Serbisë – ka mundur të përdoret në objektet tregtare në të gjitha zonat me shumicë serbe në Kosovë.

    Për Mirjanën, pensioniste nga Mitrovica e Veriut, lajmi se nuk do të mund të përdoret më, është “i tmerrshëm” dhe “një formë tjetër presioni”.

    Hyrja e parave vetëm përmes Bankës Qendrore të Kosovës

    Në rregulloren e BQK-së thuhet se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe i valutave të tjera në Kosovë, do të jenë e drejtë ekskluzive e saj.

    Deri më tani, dinarët kanë hyrë nga Serbia në Kosovë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq – komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ato para, pastaj, i ka transportuar kompania për transport të parave “Henderson”.

    Rregullorja e BQK-së, gjithashtu, thekson se valutat tjera, që nuk janë euro, mund të përdoren në Kosovë vetëm si vlerë që ruhet në formë fizike ose në llogaritë bankare të valutave që nuk janë euro. Me to mund të kryhen edhe pagesa ndërkombëtare në valuta të ndryshme nga euroja.

    “Këmbimi i valutës në Republikën e Kosovës mund të bëhet vetëm përmes institucioneve që janë të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës dhe që e ofrojnë këtë shërbim”, thuhet në rregullore.

    Deri më tani, dinarët në Kosovë i kanë përdorur Kursimorja e Postës e Serbisë, Banka Komerciale NLB dhe ndërmarrja publike Posta e Serbisë.

    Pa ndonjë llogari në bankat e Kosovës

    Millivoja nga Mitrovica e Veriut nuk ka llogari në ndonjë bankë të Kosovës dhe njoftimin se dinari do të hiqet e konsideron si “katastrofik”.

    “Shteti [i Serbisë] duhet të ndërmarrë diçka urgjentisht. Dhe ky është fundi i rrëfimit”, thotë ai.

    Edhe bashkëqytetari i tij, Gorani, e ka marrë rrogën në dinarë deri më tash. Ai thotë se Kosova dhe Serbia duhet ta gjejnë një zgjidhje, në mënyrë që njerëzit e thjeshtë të mos i vuajnë pasojat.

    “Na është bërë e qartë gjithçka që nga momenti kur Banka Komerciale ka ndërprerë punën. Me sa dimë dhe me sa jemi të informuar, ajo nuk ka pasur licencë për qarkullim të dinarëve. Këtë e kemi pasur të qartë prej kohësh. Se lojë e kujt është, nuk e di”, thotë Gorani.

    Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, klientët e Bankës Komerciale të Serbisë, NLB, janë njoftuar se llogaritë e tyre do të barten në një nga qytetet e Serbisë, për shkak të mbylljes së degëve të saj në Kosovë.

    Një prej mesazheve që klientët kanë pranuar nga banka NLB.
    Një prej mesazheve që klientët kanë pranuar nga banka NLB.

    Radio Evropa e Lirë i ka parë mesazhet që NLB-ja u ka dërguar klientëve në Kosovë. Kjo bankë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se pse ka vendosur t’i mbyllë degët e saj në mjediset me shumicë serbe në Kosovë.

    Ata që kanë pasur llogari në NLB në Graçanicë – afër Prishtinës – janë njoftuar se nga data 31 janar e vitit 2024, llogaritë e tyre do të transferohen në Kurshumli të Serbisë, ndërsa kontratat e shërbimit, numrat e llogarisë dhe kartelat e pagesës nuk do të ndryshojnë.

    Klientët e NLB-së në veri të Kosovës janë njoftuar se llogaritë e tyre do të transferohen në Rashkë.

    Klientët janë njoftuar, gjithashtu, se bankomatët i kanë në dispozicion në të gjithë rajonin dhe se prej tyre mund të tërheqin para pa komision.

    Në Kosovë ekziston banka NLB – çfarë do të duhej të nënkuptonte se ata që i marrin rrogat në dinarë, mund t’i tërheqin ato në euro, pa komision.

    “Konvertim i mundshëm i parave përmes llogarive bankare”

    Ish-zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli, sqaron se dinarët nuk do të mund të përdoren fizikisht për blerje ditore, por se ata do të mund të depozitohen në llogari bankare ose të ndërrohen me euro.

    Ai thotë se askujt nuk do të duhej t’i ndalohej marrja e rrogës në cilëndo valutë, por se për transaksione do të duhej të përdorej euroja.

    “Valutat që nuk janë euro, mund të vijnë në Kosovë ashtu siç janë në kontratë, por, pastaj, në momentin kur i tërheq për blerje, duhet të konvertohen në euro, pasi euroja është valutë zyrtare”, shpjegon Havolli.

    Ai shton se edhe Serbia do të mund t’ua paguajë rrogat punëtorëve të saj në Kosovë, nëse të dyja palët pajtohen për këtë.

    Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa banka në Kosovë – ProCredit, BKT, Raiffaisen, NLB, TEB – për t’i pyetur nëse klientët e tyre mund të hapin llogari në dinarë. Por, përgjigje negative mori vetëm nga BKT-ja, e cila, po ashtu, tha se në degët e saj dinarët as nuk mund të këmbehen me euro.

    Në pyetjen e njëjtë të REL-it nuk u përgjigj as Shoqata e Bankave të Kosovës.

    A është e mundur ndonjë zgjidhje alternative?

    Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, mendon se duhet pak më shumë kohë për ta zbatuar vendimin për ndalimin e pagesave me para të gatshme në dinarë.

    “Shumë qytetarë serbë në Kosovë marrin ndihma, pensione dhe paga nga shteti i Serbisë dhe alternativa duhet të gjendet përmes bisedimeve nga institucionet kompetente”, thotë Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

    Në këtë rast, shton ai, marrëveshjen që mjetet që arrijnë në dinarë të konvertohen në euro, duhet ta arrijnë dy qeveritë dhe Banka Qendrore e Kosovës me Bankën Popullore të Serbisë.

    Si shembull, Bektashi përmend se Qeveria e Kosovës ka ndihmuar financiarisht pjesëtarët e komunitetit shqiptar në komunat në jug të Serbisë: Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

    “Në shumicën e rasteve, ajo ndihmë ka shkuar përmes Bankës Qendrore apo bankave komerciale. Meqë Qeveria e Kosovës nuk ka dinarë, transaksionet i ka bërë përmes Bankës Qendrore [Banka Popullore e Serbisë], ku eurot janë këmbyer në dinarë, dhe përfituesit e fundit – në këtë rast komunat në Luginën e Preshevës – mjetet i kanë marrë në valutën e dinarit”, shpjegon Bektashi.

    Çfarë do të ndodhë me Postën?

    REL-i iu drejtua ndërmarrjes publike Posta e Serbisë me pyetjen se çfarë do të ndodhë me biznesin e saj nga 1 shkurti, kur të hiqet dinari.

    Por, në vend të përgjigjes, ajo tha se ushtruesi i detyrës së drejtorit të Postës së Serbisë, Zoran Gjorgjeviq, ka dhënë një intervistë për portalin Kosovo Online dhe se REL-i mund t’i referohet asaj.

    Në atë intervistë, Gjorgjeviq tha, mes tjerash, se Posta e Serbisë po përpiqet të gjejë një mënyrë për ta vazhduar punën si më parë.

    Në sportelet e kësaj poste që funksionon në sistemin serb në Kosovë, përveç pensioneve, ndahen edhe përfitime të tjera monetare në dinarë, si dhe kryhen transaksione të ndryshme.

    Ish-drejtori i Postës së Serbisë në Kosovë, Rangjell Nojkiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk është dashur të vihet në këtë situatë ku hiqet dinari. Ai shton se kjo është pasojë e pjesëmarrjes joaktive të serbëve në institucionet e Kosovës.

    Nojkiq beson se mund të gjendet një zgjidhje që Posta e Serbisë ta vazhdojë punën e saj, por, sipas tij, ajo do të duhet ta ndryshojë mënyrën e funksionimit nëse dinari do të konvertohet në euro.

    “Posta nuk funksionon me valutë ndërkombëtare, përkatësisht këmbime. Kështu që do të duhej të ndryshonte mënyra e funksionimit. Por, kjo përsëri do të nënkuptonte që Banka Qendrore e Kosovës do të duhej ta pranonte dinarin. Pra, duhet të ketë vullnet të mirë”, thotë Nojkiq.

    A ishte i ligjshëm përdorimi i dinarit?

    Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se përdorimi i dinarit në Kosovë është antikushtetues dhe i paligjshëm.

    Ai kujton se dinari në Kosovë është hequr me dekret dhe udhëzim administrativ të UNMIK-ut (Administrata e Përkohshme e OKB-së në Kosovë) dhe se, fillimisht, në treg është futur marka gjermane e më pas euroja.

    Por, Nojkiq, i cili në periudhën e pasluftës ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, e thotë të kundërtën.

    Sipas tij, ka pasur rregullore për përdorimin e monedhave, përkatësisht të llojeve të ndryshme të parave.

    Ai thotë se nga viti 1999, dinari ka hyrë legalisht në Kosovë – është raportuar në Doganën e Kosovës, nga e cila është marrë deklarimi.

    Nojkiq thotë se është humbur mundësia për ta futur përdorimin e dinarit përmes Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës.

    Lajçak e informoi Brukselin

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha më 17 janar për Televizionin Pink të Serbisë se ka diskutuar për heqjen e dinarit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe se për këtë e ka njoftuar Brukselin.

    Ai tha se situata tani është duke u analizuar dhe se pret që BE-ja, së shpejti, të dalë me një qëndrim të përbashkët. Ai shfaqi shpresën se do të gjendet një zgjidhje, e cila nuk do të ketë kurrfarë pasojash negative.

    REL-i e pyeti BE-në për heqjen e dinarit në Kosovë, por nuk mori përgjigje.

    Ngjashëm për këtë çështje nuk u përgjigjën as nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

    Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet e Kosovës synojnë ta heqin dinarin dhe “ta pushtojnë” Kursimoren e Postës. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Micevski: kandidati i VMRO-DPMNE-së do të jetë presidenti i ardhshëm i vendit

    Lajmi i rradhës

    Nebiu: Familjarët e Mijallkovit kërcënuan blerësit potencial të ish-banesave të tij

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë