Çka pritet të ndodhë në bisedimet për marrëveshjen bërthamore të Iranit?

    Associated Press

    A mundet marrëveshja bërthamore e vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore të ripërtërihet? Teksa Irani dhe gjashtë fuqitë botërore mblidhen të hënën, më 29 nëntor, në Vjenë për të diskutuar për marrëveshjen e shkatërruar, përgjigja duket se është jo.

    Që prej se presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja më 2018, Irani ka çuar përpara programin e tij bërthamor, duke e pamundur që thjesht të kthehet koha pas. Zgjedhja e liderit të linjës së ashpër të Iranit, së bashku me administratën amerikane që shihet si e dobët në rajon, edhe më tej kanë përkeqësuar prospektet se mund të arrihet përparim në ripërtëritjen e marrëveshjes.

    Perspektiva duket aq e zymtë sa që zërat e shquar në Izrael, që shtyn Trumpin të tërhiqej nga marrëveshja, tani thonë se ajo ka qenë një lëvizje shumë e gabuar.

    Ish-ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Moshe Yaalon, që fuqishëm ka kundërshtuar marrëveshjen origjinale, ishte një prej njerëzve të rrallë në Izrael që kishte kundërshtuar tërheqjen nga marrëveshja. Tani ai është shprehur se tërheqja e SHBA-së nga pakti duket se ka qenë “gabimi kryesor” që Uashingtoni ka bërë në rajon në dekadën e fundit.

    Gjatë një konference të sigurisë të mbajtur javën e kaluar, ai tha se një marrëveshje me të meta, “me gjasë ishte më e mirë sesa të mos kishim një marrëveshje, që do të lejonte iranianët të përdornin tërheqjen nga marrëveshja si një arsye për të vazhduar përpara me projektin e tyre”.

    “Tani ne jemi në fazën më të afërt që kemi qenë ndonjëherë që të kemi një shtet në prag të kapaciteteve bërthamore”, tha ai.

    Më poshtë mund të mësoni më shumë për marrëveshjen bërthamore dhe pritjet nga bisedimet në Vjenë të Austrisë.

    Pse kolapsoi marrëveshja origjinale?

    Marrëveshja e vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore – që u udhëhoq nga presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama – kishte për qëllim që të parandalonte Iranin që të krijonte bombë bërthamore. Kjo marrëveshje lehtësoi sanksionet ekonomike në këmbim të frenimit të programit bërthamor të Iranit në 10 deri në 15 vjetët e ardhshme. Irani thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime të pastra paqësore.

    Kritikët, të udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm i Izraelit, Benjamin Netanyahu, sulmuan marrëveshjen, pasi kufizimet e vendosura ndaj Iranit ishin të përkohshme. Ata po ashtu thanë se marrëveshje nuk adresonte aktivitetet ushtarake jobërthamore të Iranit – siç është mbështetja për grupet militante dhe zhvillimi i raketave me rreze të gjatë veprimi.

    Kur Trumpi u tërhoq nga marrëveshja, pasi Netanyahu i bëri thirrje të fuqishme që ta bëjë një gjë të tillë, ai premtoi një fushatë të “presionit maksimal” ndaj Iranit. Megjithatë, kjo qasje duket se prodhoi efektin e kundërt. Pavarësisht rritjes së sanksioneve amerikane, Qeveria iraniane vazhdon të qëndrojë në pushtet dhe shteti ka vazhduar të kryejë hulumtime bërthamore, aktivitete këto që ishin të ndaluara me marrëveshjen origjinale.

    A mundet që marrëveshja thjesht të rivendoset?

    Irani nisi të tejkaloi kufizimet e marrëveshjes pas tërheqjes së SHBA-së dhe tani ka arritur që të pasurojë një sasi të vogël të uraniumit deri në 60 për qind pastërti – që është një hap më pranë arritjes së shkallës për prodhimin e armëve bërthamore, që kërkon që uraniumi të pasurohet deri në 90 për qind. Irani po ashtu ka avancuar centrifugat, që ishin të ndaluara në bazë të marrëveshjes, dhe rezervat e tij të uraniumit kanë tejkaluar kufizimet e vendosura në marrëveshje.

    Ekspertët thonë se edhe nëse Irani detyrohet që të heqë dorë nga rezervat e tij të uraniumit ose të ndalë hulumtimet, ky shtet do të vazhdojë të ketë ekspertizën që e ka përfituar gjatë këtij procesi.

    Cilat janë prospektet e bisedimeve që mbahen këtë javë?

    Në periudhë afatshkurtër, prospektet nuk duken inkurajuese. Para bisedimeve, presidenti iranian, Ebrahim Raisi, ka paraqitur kërkesat e tij, që përfshijnë thirrjet ndaj SHBA-së që në shenjë të vullnetit të mirë të lejojë qasje në asetet në vlerë prej 10 miliardë dollarësh, që aktualisht janë të ngrira.

    Pavarësisht këtyre kërkesave, negociatorët evropianë vazhdojnë të jenë të bindur se do të arrihet marrëveshje në një periudhë afatshkurtër apo afatmesme.LEXONI EDHE KËTË:Khamenei: Biden ka kërkesa të njëjta sikurse Trump për marrëveshjen bërthamore   

    Por, zyrtarët amerikanë duket se nuk janë optimistë. Presidenti amerikan, Joe Biden dhe këshilltarët e tij kryesorë, gjatë javëve të fundit kanë realizuar një sërë takimesh me aleatët kyçë dhe negociatorët, për t’u përgatitur për mundësinë e dështimit të bisedimeve.

    Por, për shkak se Trumpi u tërhoq nga marrëveshja, ka bërë që amerikanët të mos marrin pjesë direkt në bisedime. Megjithatë, ata do të jenë afër vendit ku mbahen bisedimet dhe do të punojnë përmes ndërmjetësve.

    Në një intervistë televizive më 26 nëntor, kryenegociatori amerikan, Rob Malley tha se sinjalet që vijnë nga Irani “nuk janë veçanërisht inkurajuese”.

    Duke folur për NPR, ai tha se SHBA-ja preferon një zgjidhje diplomatike. Por, nëse një gjë e tillë do të jetë e pamundur, ai tha se SHBA-ja do të përgjigjet në mënyrën e duhur.

    “Amerikanët kanë në dispozicion opsione dhe ju i dini, jeni të familjarizuar me të gjitha opsionet”, tha ai.

    Duke pasur parasysh reagimin e vakët të SHBA-së ndaj aktiviteteve të pretenduara ushtarake të Iranit në rajon, përshirë edhe sulmet ndaj anijeve civile në Gjirin Persik dhe sulmeve ndaj bazës ushtarake amerikane në Siri, veprimet e ushtrisë amerikane nuk duken të paraqesin ndonjë kërcënim serioz. Tërheqja e SHBA-së nga Afganistani edhe më tej ka lënduar besueshmërinë amerikane në rajon.

    “Jam shumë pesimist”, tha Yoel Guzansky, ish-zyrtar në zyrën e kryeministrit të Izraelit, që tani është zyrtar në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

    “Irani po tregon se është i durueshëm dhe i vendosur. Më vjen keq të them, por amerikanët nuk shfaqin diçka të tillë dhe ne nuk kemi shumë kohë”, shtoi Guzansky.

    Çfarë mund të bëjë Izraeli?

    Izraeli nuk është pjesë e bisedimeve, por ka shumë ndikim në rezultatin e tyre.

    Izraeli e konsideron Iranin si armikun numër një dhe një Iran të pajisur me armë bërthamore e sheh si kërcënim ekzistencial. Izraeli besohet se është shteti i vetëm me armë bërthamore në rajon, edhe pse publikisht asnjëherë nuk ka folur për arsenalin që ka.

    Pasardhësi i Netanyahut, Naftali Bennett ka qenë i kujdesshëm që të mos përplaset publikisht me Bidenin. Por, pozicionet e tij janë të ngjashme me ato të Netanyahut. Ai ka shprehur shpresën që një marrëveshje e përmirësuar mund të dalë nga bisedimet, por ka ritheksuar kërcënimin e kamotshëm të Izraelit se do të ndërmarrë veprime të njëanshme nëse e konsideron të nevojshme.

    “Ne vazhdojmë të kemi lirinë tonë për të vepruar”, tha ai javën e kaluar. Të dielën, më 28 nëntor ai tha se Izraeli “është jashtëzakonisht i shqetësuar” lidhur me atë që ai tha se është vullneti i fuqive botërore për të hequr sanksionet dhe për të rivendosur “kufizime të pamjaftueshme në sferën bërthamore”. Ai tha se Izraeli ua ka përcjellë këtë mesazh të gjitha palëve të përfshira.

    Pavarësisht këtyre kërcënimeve, Izraeli mund të hezitojë. Irani ka kaluar gjithë dekadën e kaluar duke ndërtuar në fshehtësi uzinat e saj bërthamore, që i ka vendosur thellë nën tokë. Plus, Izraeli mund të hezitojë që të sabotojë përpjekjet diplomatike botërore.

    A po tregohet Irani më i fortë sesa që është?

    Kinës dhe Rusisë, dy partnereve kryesore tregtare, që janë edhe palë në marrëveshje, mund t’iu humbë durimi me Teheranin, veçanërisht nëse shkatërrohet sistemi, edhe ashtu i dobët, i inspektimeve ndërkombëtare të uzinave bërthamore. Presioni ekonomik po vazhdon të rëndojë jetën e iranianëve, të cilëve po iu mbarojnë kursimet, pas rënies së vazhdueshme të vlerës së monedhës kombëtare.

    Nëse bisedimet zvarriten, SHBA-ja mund të vendosë sanksione të reja apo të ndërmarrë veprime ushtarake. Po ashtu, ka rrezik për një intervenim ushtarak nga Izraeli.

    “Në ditët në vijim do të shohim më saktë se cila do të jetë qasja e Iranit”, deklaroi javën e kaluar zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

    “Por, ne po ashtu kemi qenë shumë të qartë se ky proces nuk mund të vazhdojë në pafundësi”, ka thënë ai./REL/

    Lajmi Paraprak

    Osmani: Serbia nuk dëshiron marrëveshje me Kosovën

    Lajmi i rradhës

    Dodik: Nuk do të heqë dorë nga planet separatiste për Republika Srbskën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë