ÇMIMET E USHQIMEVE | Bota ul çmimet, ne i ngrimë!

    Pas ngrirjes deri në fund të muajit maj të çmimeve të bukës, makaronave dhe përpunimeve të qumështit si dhe produkteve higjienike, Qeveria ngriu së fundmi edhe çmimet e 11 pemë perimeve deri në fund të muajit prill. Para festave të Fitër Bajramit dhe Pashkëve është miratuar vendimi edhe për ngrirjen e çmimeve të vezëve dhe përpunimeve të mishit. Nga ekzekutivi thonë se me uljen dhe ngrirjen e çmimeve të prodhimeve po mbrohet standardi i qytetarëve. Lidhur me masat e fundit, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se me propozim të këtij dikasteri, Qeveria miratoi vendimin që tregtarët (importuesit) që shesin pemë dhe perime, të marrin dhe shesin 70 për qind të sasive që kanë shitur në janar dhe shkurt. Ky vendim, që vjen pas vendimit për ngrirjen e çmimeve të disa llojeve të pemëve dhe perimeve, parashikohet të jetë i vlefshëm deri në fund të muajit prill.

    FATURAT E DYFISHTA

    Duke folur për importuesit e pemë perimeve, Bekteshi theksoi edhe dokumentet e dyfishta që janë dhënë në doganë tek dhe në fqinjësi, ndërsa shtoi se në doganën tonë janë dhënë fatura të dyfishta. Për të shtuar më tej se ekziston dallim i madh në çmimet importuese të deri më 28 mars dhe nga 28 marsi deri tani, andaj u bëri thirrje që të mendohen mirë edhe importuesit por edhe institucionet kompetente.

    Nga ana tjetër Ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikolovski vlerëson se ngrirja e çmimeve nuk do të ndikojë në shpenzimet dhe të ardhurat e fermerëve, por të gjithë atyre që duan të përfitojnë në dëm të qytetarëve. Sipas tij në analizat e kryera nga dikasteri që ai e menaxhon, janë përcaktuar qartë kostot e prodhimit të fermerëve dhe çmimet e blerjes që u paguhen. Nga ato analiza del se shumica e çmimeve që paguajnë qytetarët shkojnë në marzhin dhe jo te fermerët. Dhe në këtë moment ne nuk e kemi atë prodhim vendor, prandaj i gjithë mendimi ynë ishte që në këtë moment nuk ka asnjë problem në pjesën e prodhimit vendor të atyre produkteve, pra ngrirja dhe kufizimi i këtyre çmimeve nuk do të ndikojë tek kostot dhe të ardhurat e fermerëve, por do të prekin të gjithë ata që duan të përfitojnë në kurrizin e qytetarëve, thekson ai.

    BIZNESI KËRKON NDIHMË

    Në ndërkohë, drejtori I Odës Ekonomike të Maqedonisë, Antoni Peshev vlerëson se ngrirja e çmimeve nuk është një masë tregu. Ekonomitë në botë kanë një qasje ndryshe, dhe nuk i zgjidhin problemet me ngrirjen e çmimeve. Më mirë është të subvencionohet një pjesë popullatës që me të vërtetë ka nevojë për diçka të tillë. Mirëpo duhet të ndihmohet edhe në lidhje me uljen e doganës , me ndihmë gjatë importit të repromaterialeve, me subvencionimin e energjisë elektrike, dhe me mekanizmin që e rrisin konkurrencën e prodhimtarisë vendore. Kjo masë e ngrirjes së çmimeve nuk mund të zgjasë më gjatë, ndërsa pas përfundimit të saj do të kemi sërish shtrenjtime, shton ai.

    Nga ana tjetër, ekspertët ekonomik thonë se shteti duhet të bëjë kujdes me dukuritë në tregtinë vendore që mund të nënkuptojnë një kufizim të fortë të konkurrencës dhe arritjen e fitimeve më të mëdha. Sipas profesorit Profesor Marjan Petrevski, në përgjithësi duhet të braktisen masat qeveritare për kontrollin e çmimeve, mirëpo shton se ushqimi po bëhet më i lirë në nivel global, gjë që nuk po ndodh në Maqedoni. Ndoshta tek ne kemi veprime të caktuara nga ana e tregtarëve dhe përpunuesit që e pamundësojnë uljen e çmimeve, thotë ai.Mund të arsyetohen në këtë drejtim edhe masat që nënkuptojnë vendosjen e tavanit të vlerave maksimale të çmimeve dhe marzhave me qëllim që shteti të kundërshtojë veprimet e tilla që i ngjajnë organizimeve të kartelit.

    BOTA UL ÇMIMET E USHQIMEVE

    Ndryshe për 12 muaj me radhë, çmimet e ushqimeve po ulen referuar sipas indeksit të FAO-s apo organizatës të OKB-së për ushqimet, por kjo nuk reflektohet në çmimet në prodhimtarinë vendore të ushqimit, i cili edhe pse është i integruar në tregun ndërkombëtar, i mban çmimet e ushqimeve të larta. Andaj edhe vlerësohet se në një situatë të tillë, qeveria ka obligim të mbrojë interesin publik dhe të ngrijë çmimet e ushqimeve. Indeksi i Çmimeve të Ushqimit të FAO apo (FFPI) ishte mesatarisht 126.9 pikë në mars 2023, apo 2.8 pikë (2.1 për qind) më poshtë nga muaji shkurti, duke shënuar rënien e dymbëdhjetë mujore radhazi që nga arritja e kulmit të tij një vit më parë. Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit që nga marsi 2022, indeksi ka rënë me 32.8 pikë (20.5 për qind). Rënia e indeksit në muajin mars u shkaktua nga rënia e indekseve të çmimeve të drithërave, vajit vegjetal dhe bulmetit, ndërsa tregohet rritja e indeksit të sheqerit dhe mishit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    NDRYSHIMET KUSHTETUESE | Opozitës nuk i bëhet vonë!

    Lajmi i rradhës

    “Vdekje fashizmit – Liri popullit” | Apasievi viziton varrin e Enver Hoxhës në Tiranë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë