NDRYSHIMET KUSHTETUESE | Opozitës nuk i bëhet vonë!

    Edhe përskaj vizitave të shumta të liderëve ndërkombëtar në Maqedoni, ku bënë thirrje që vendi duhet të bën hapin për ndryshimet kushtetuese, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski thotë se vazhdimisht ka presione të ndryshme, por se nuk e ndryshon qëndrimin për tu bërë pjesë e procesit të ndryshimeve të Kushtetutës. Mickoski tha se nuk mund të ketë kurrfarë modeli pa konsensus kombëtar.

    “Shiko presione ka,  kjo nuk është përrallë, nuk mund t’ju ​​them se nuk ka presione dhe kushdo që i futet kësaj pune duhet të jetë i vetëdijshëm se ka presione dhe të ndërgjegjësohet se ka raste kur duhet t’u kundërvihen atyre presioneve me argumente. Qasja ime është që t’u rezistoj atyre presioneve me argumente dhe kështu do të vazhdoj ta bëj, deri më tani nuk kam dëgjuar ndonjë argument që i kalon argumentet që paraqes. Jo se jam arrogant, por thjesht në jetë duhet të kesh logjikë elementare, argumentet e mia janë logjikë elementare dhe dihen publikisht”, ka deklaruar Miskoski duke shtuar se nëse dikush mendon se me presion do të arrijë diçka, gënjen, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

    “Jam i vetëdijshëm se kjo do të vazhdojë. Por do të përsëris se në këtë përbërje parlamentare nuk do të ketë asnjë ndryshim të kushtetutës. Të vetëdijshëm për çmimin politik që mund të paguajmë, dolëm publikisht, bëmë një propozim, një propozim që ata dhanë, që është modeli kroat i preambulës kushtetuese dhe thamë, ja ku e pranojmë, hajde zotërinj, hajde. Shiko kush është evropian e kush jo evropian. I nxorëm në shesh, të gjitha gënjeshtrat dolën në dritë, të gjitha shpifjet se sa evropian është Kovaçevski, sa evropian është Stevo Pendarovski, sa evropian është Ali Ahmeti, dhe të tjerat i kemi nxjerrë hapur, publiku mund t’i shohë. Dhe këtu përfundon gjithçka. Unë jam i vetëdijshëm që nuk kanë temë tjetër, jam i vetëdijshëm që nuk kanë një projekt apo politikë apo reformë të vetme dhe do ta përsërisin vazhdimisht atë amendament kushtetues, amendamente kushtetuese si pllaka gramafoni i thyer. Unë po e mbyll këtë temë këtu, dje e mbylla temën me komisionet, sot po e mbyll me ndryshimet kushtetuese. Dhe tani e tutje përgjigja ime do të jetë, e dini qëndrimin, është i pandryshuar, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese në këtë përbërje parlamentare”, tha Mickoski.

    Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, shtoi se modeli maqedonas mund të jetë vetëm model në të cilin do të ketë konsensus kombëtar maqedonas ndërsa për këtë çështje nuk ka konsensus. “Modeli maqedonas mund të jetë vetëm model në të cilin do të ketë konsensus kombëtar maqedonas. Ne nuk kemi një konsensus për këtë çështje. Konsensusi u bë kur Maqedonia u shit. Ata e humbën atë vrull. Dhe tani unë u ofroj atyre një model të modifikuar maqedonas, të njëjtë me modelin kroat, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Ejani zotërinj, guxoni dhe shkojmë”, theksoi Mickoski.

    Nga LSDM, Vasko Kovaçki thotë se për të folur për modelin kroat VMRO-DPMNE-ja nuk duket t’i shmanget debatit. “VMRO-DPMNE ikë nga diskutimi. Si të flasim për model kroat ose ndonjë model tjetër kur ikin nga diskutimi. Grupi i punës do të formohet gjatë kësaj jave që vjen dhe atje do të përgatiten amendamentet të cilët më pas do të vendosen në Kuvend. Në Kuvend besoj se nuk do të ikin nga diskutimi dhe do ti diskutojmë amendamentet dhe nëse kanë ndonjë ide tjetër plotësuese, përsëri në Kuvend do ta shohim se çka do të ndodhë”, u shpreh Vasko Kovaçki, LSDM.

    Nga Alternativa thonë se nuk do të marrin pjesë në Grupin e Punës, derisa nuk plotësohen dy kritere. E para të ketë takim liderësh kur do të arrihet konsensus politik dhe e dyta në rend dite të jetë propozim amendamenti kushtetues i Alternativës për luftë korrupsionit politik.

    “Për ne nuk mund të ketë grup pune për t’i hartuar ose për t’i përgatitur ndryshimet kushtetuese, derisa nuk kemi konsensus politik ndërmjet partive politike për t’i mbështetur këto ndryshime, përmes të cilave duhet të hapet rruga e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Përveç kësaj Alternativa nuk mund të ulet në një tavolinë të përbashkët dhe të flasë për këtë temë me parti që ende nuk janë deklaruar për propozim amendamentin e saj kushtues për luftën kundër korrupsionit”, u shpreh Zekirija Ibrahimi nga Alternativa.

    Edhe E Majta, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se partia me vendosmëri e refuzon ftesën për të marrë pjesë në grupet punuese për ndryshime kushtetuese. Ministria e Drejtësisë njoftoi se afati i fundit për propozimin e emrave për grupet e punës për ndryshimet kushtetuese vlen deri në 10 prill. Ndërsa vendi duhet deri në nëntor të këtij viti të miratoj ndryshimet kushtetuese, në të cilat duhet bullgarët të vendosen në Kushtetutë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët e RMV nuk mbështesin ndryshimin e gjinisë

    Lajmi i rradhës

    ÇMIMET E USHQIMEVE | Bota ul çmimet, ne i ngrimë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë