Një pjesë e marketeve kanë filluar t’i publikojnë çmimet e produkteve në faqet e tyre të internetit, por shumica e qytetarëve e anketuar thonë se nuk kanë kohë të kërkojnë në internet dhe të krahasojnë çmimet e mijëra produkteve nëpër markete.
Qytetarët më të moshuar thonë se madje as nuk dinë si ta bëjnë një gjë të tillë.
“Nuk di çfarë t’ju them, nuk i di ato gjëra. Si vendosët se cilin produkt do ta blini, në cilin market të shkoni, a e shihni ku është më lirë? Është shtrenjtim i madh. Shtrenjtë ose jo duhet të blejmë, jeta është e shtrenjtë. Nuk mjafton, pensioni është i vogël. Deri në 10 ditë dhe aq”, tha një qytetar.
A dini si të shikoni në internet, çfarë çmime kanë marketet? Jo, sepse jemi në vite të shtyra, më pak merremi me ato gjëra. Asgjë nga këto, për fat të keq nuk është në rregull”, u shpreh një qytetar tjetër.
Banorët e Ohrit kërkojnë që edhe pronarët e objekteve gastronomike në qytet të publikojnë rregullisht çmimet e shërbimeve në internet, për shkak të rritjes drastike të çmimeve të ushqimit dhe pijeve. Nga Inspektorati i Tregut në Strugë thonë se të gjithë zinxhirët më të mëdhenj të marketeve, si dhe marketet e mëdha lokale që janë të përfshira me masën, e kanë përmbushur obligimin e tyre ose janë në procedurë për ta realizuar atë.
“Për momentin nuk ka probleme. Marketet e lagjeve, përkatësisht mikro marketet, nuk janë të obliguara ta bëjnë këtë. Masa vlen edhe për objektet e tregtisë së madhe, farmacitë, dyqanet e pajisjeve shtëpiake, butiqet dhe të tjera. Në periudhën në vijim do të realizohet kontroll edhe ndaj të gjithëve këtyre, po priten udhëzimet përkatëse për këtë”, thonë nga Inspektorati i Tregut Strugë.
Nga Inspektorati i Tregut në Ohër thonë se këto ditë do të fillojnë me kontrolle në të gjitha marketet më të mëdha dhe objektet e tjera tregtare në qytet.
Nga Oda e Farmacisë për Alsat thonë se, së bashku me Shoqatën e Farmacive Private, Shoqatën e Farmacistëve Shqiptarë dhe zinxhirët më të mëdhenj të farmacive, kërkojnë takim urgjent me ministrat e Shëndetësisë dhe të Ekonomisë, për t’u sqaruar lidhur me vendimin e fundit në të cilin janë përfshirë edhe ata, pasi siç thonë, ata nuk janë tregtarë, por ofrues të shërbimeve shëndetësore.
Ata kërkojnë të përjashtohen nga kjo masë. /Alsat/