Dehari: Bujar Osmani duhet ta kuptojë se fuqia e Izet Mexhitit buron prej te populli

    Kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, e quan të gabuar vendimin për caktimin e ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, koordinator të aktiviteteve politike të BDI-së në Çair. Ai, në Programin 200, tha se nuk ka vendim që mund të anashkalojë forcën e një politikani që buron nga populli, duke aluduar te kryetari aktual i degës së BDI-së në Çair, Izet Mexhiti, përcjell Nistori.

    “Realisht, të flas ashtu siç më do shpirti, askush askënd nuk mund ta anashkalojë me mënyra të këtilla nëse është i emëruar koordinator. Vetë Bujari duhet ta ndjejë atë, vetë unë duhet ta ndjejë atë, nëse e shohim qartë se nga ku buron mbështetja dhe forca jonë. Çdonjëri nga ne fuqinë dhe mbështetjen e gjejmë te populli dhe në fund të fundit për çdo politikan, kushdo qoftë ai, nëse nuk është populli treguesi më i qartë për dukuritë tona politike, për hapat tona që marrim, mendoj se është gabim dhe në këtë rast tregues më të qartë i kemi qytetarët, e shohim qartë…dhe fatmirësisht BDI gëzon një mbështetje të fuqishme te qytetarët, nuk mund t’i ndajë këtë apo atë tabor, ne shohim salla sportive të mbushura”, u shpreh Dehari në Programin 200, në Alsat.

    Dehari porosi Mickoskit: S’është koha e uniformave, e fundos partinë!

    Dehari, thotë se qytetarët nuk janë të frikësuar nga kërcënimet për luftë që vijnë nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. Ai ka komentuar edhe foton e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ku ky i fundit shihet me uniformë të ushtrisë dhe me armë në duar. Dehari vlerëson se nëse Mickoski përmes kësaj fotografie ka dashur të përcjellë mesazhe lufte, ai në atë mënyrë fundos veten dhe partinë politike që e drejton, pasi vlerëson se, koha e luftërave ka përfunduar

    “Ne njihemi me z.Mickoski. Është kërçovar me origjinë edhe unë jam kërçovar. Uniformat i kujtojmë si histori e jona. Ai në mënyrën e tij, unë në mënyrën time. Se si ndihet ai për atë kohë dhe si ndihem unë për atë kohë ajo është çështje ndjeshmërie që ne e kemi thellë në veten tone. Mund të ketë nostalgji për uniformën. Nuk e di këtu a është kjo uniformë ku ka qenë pjesëmarrës i luftës apo ushtar në ushtrinë e atëhershme të Maqedonisë. Nuk e di origjinën, nuk kam njohuri për origjinën e kësaj fotoje. Mund të jetë thjeshtë një foto, ne shkrepin foto nga më të ndryshmet, ato janë çështje tona personale varësisht çfarë mesazhi mund të përcjellim. Për mua kjo është një foto e ushtrisë dhe i bën reklamë të mirë ushtrisë tanimë si pjesëtare e NATO-s. Nuk dua ta besoj që përcjell mesazh tjetër të luftës. Nëse do të ishte ashtu, ai me apo pa vetëdije e fundos opozitën, e fundos vetën e tij dhe partinë që i ka besuar të jetë në krye të saj”, tha Dehari.

    Lajmi Paraprak

    Lloga: Rregullat e reja të Kodit Zgjedhor të miratohen me konsensus

    Lajmi i rradhës

    Fazliu: Derisa të rinjtë ikin, ndërkohë ministrat azdisen me futboll nëpër zyra, nuk mund të themi se po bëhet mirë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë