Fazliu: Derisa të rinjtë ikin, ndërkohë ministrat azdisen me futboll nëpër zyra, nuk mund të themi se po bëhet mirë

    Kryetari i Alternativës Dega në Çair, Faton Fazliu gjatë tubimit të mbrëmshëm në Kumanovë midis tjerash ka përmendur hyrjen e Aleancës në qeveri – si shpëtimtare e BDI-së, përcjell Nistori.

    “Është e vërtetë se Komunën e Çairit e kanë sakatosur pikërisht ashtu dhe keni shumë të drejtë kur  e paraqisni të tillë, por pyetja që e shtrojmë ne në Çair është se si kanë qenë aq kreativë që ta gjejnë ku është mesi i Çairit në një hapësirë 3 km katrorë. Vërtet janë gjeni për sherre. Sikur të kishin pasur kreativitet edhe në punë të mbara, gjendja sigurisht do të ishte më e mirë. Megjithatë, meqë m’u dha fjala në cilësinë e kryetarit të Degës së Çairit, dua t’ju them se Çairi nuk është në konkurrencë me asnjë degë të Alternativës. Më vjen keq për Kumanovën, por Çairi është jashtë konkurrencës. Dhe, kjo nuk është vetëm për arsye të rezultatit elektoral, por edhe për arsye se këto dy pjesët që ia kanë ndarë Çairit kanë më tepër votues dhe më shumë mundësi për të pasur alternativë. Sidoqoftë, unë nuk mund të mos e pranoj se Kumanova, në kontekstin e votuesve të saj, është ndër degët më të organizuara dhe unë i përgëzoj për këtë.

    Të dashur të pranishëm, përtej këtyre ngacmimeve miqësore, unë dua t’ju them se gjendja jonë nuk është aspak e lakmueshme. Derisa autobusët mbushen më të rinj, ndërsa ministrat azdisen me basket e më futboll nëpër zyra, derisa ata ministra i llogarisin përqindjet, ndërsa familjet shqiptare i llogarisin denarët e fundit për ta lidhur muajin me muaj, ne nuk mund të themi se po bëhet mirë. Dhe, shumë të dashur të pranishëm, kjo varfëri, kjo shpërngulje dhe kjo fatkeqësi nuk është dënim nga Zoti, as nuk është faj i popullit, por as për shkak se ky popull nuk meriton më shumë. Kur e shikojmë se pasuria e atyre që luajnë basket në zyrë rritet në proporcion me varfërinë e shqiptarëve, e merr vesh se kush janë fajtorët dhe kush janë aktorët e kësaj tragjedie që shfaqet si reprizë tashmë 20 vjet.

    E që të mos u mbetem borxh, nuk është se ne nuk e kemi bërë tonën. Më 2016 bëmë çmos që t’i heqim qafe, por ishte pikërisht Aleanca për Shqiptarët ajo që ua zgjati jetën. Njësoj si tash, më 2023, kur përsëri Aleanca për Shpëtimin e BDI-së u shfaq përsëri që t’ia mundësojë Artanit të japë edhe ndonjë gol disamilionësh. Sidoqoftë, skena po pastrohet, uji po kthjellohet, pluhuri po bie, mjegulla po ngrihet dhe gjithçka po bëhet e qartë. Ky vit do të jetë vit i punës sonë, ndërsa pranvera e vitit tjetër do të na vijë duke na e sjellë lajmin e mirë se ashtu si u bënë bashkë kundër nesh e kundër shqiptarëve, do t’i bëjmë bashkë në opozitë dhe mbase, në histori.” – deklaroi Fazliu.

    Fazliu shtoi se, nëse në gjithë këtë të keqe ka një të mirë, ajo është se më në fund edhe ne do të mund të marrim frymë lirshëm. Prandaj të punojmë pa ndërprerë, t’i bindim të gjithë se ky është viti i fundit i qeverisjes së korrupsionit dhe krimit dhe se vitin tjetër na pret një pranverë e re.

    Lajmi Paraprak

    Dehari: Bujar Osmani duhet ta kuptojë se fuqia e Izet Mexhitit buron prej te populli

    Lajmi i rradhës

    Cilat janë frutat dhe perimet me lëkurën si thesar vlerash

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë