Dehari: Duhet ta pyesim veten se ku gabuam!

    Kryetari i komunës së Kërçovës nga BDI, Fatmir Dehari, duke folur në TV21 për përplasjet brenda BDI-së, tha se kjo parti nuk e ka humbur besimin e qytetarëve, megjithatë shtoi se ky besim duhet të jetë një thirrje për BDI-në për reflektim dhe meditim.

    “Ne nuk e kemi humbur besimin e qytetarëve. Unë them se ka peshë besimi i qytetarëve për reflektim dhe meditim. Çfarë do të thotë kjo? Nëse ne në fund të ditës nuk ndalemi dhe të pyesim veten se çfarë bëra sot?… Unë e them si mesazh. Të pyesim veten çfarë bëra sot dhe ku gabova sot? Sidomos rreth asaj se çfarë gabova sot që mos ta bëj gabimin e njëjtë?”, tha Dehari.

    Dehari: Unë jam shumë i qetë që Taravari është në pushtet

    Dehari ka folur edhe për politikën në Kërçovë, më saktë për bashkëpunimin në zgjedhjet e fundit ku ai arriti të marrë edhe një manadat si i pari i Kërçovës.

    Duke folur për ASH-në, ai tha se ndihet shumë i qetë që lideri i kësaj partie, Arben Taravari tashmë është pjesë e Qeverisë.

    Dërgoi porosi indirekte që të shqetësuar duhet të ndihen ata që dërguan kritika për të nga studioja e njëjtë televizive.

    “Kishim me ASH një lloj mbështetje. Unë jam shumë i qetë me atë që zotëri Taravari është në pushtet. Le të ndihen të shqetësuar ata që e kanë quajtur njëri tjetrin kështu dhe ashtu. Qytetari nuk harron”, tha Dehari.

    Deharin “nuk e bind” asnjë funksionar se “do të japë dorëheqje për të zgjidhur problemin në BDI”

    Dehari ka deklaruar se ende nuk ka krijuar bindjen, se ndonjëri nga funksionarët aktualë të BDI-së do të japin dorëheqje.

    Sipas Deharit, me dorëheqjen e ndonjërit do t’i jepet mundësi liderit të BDI-së, Ali Ahmeti që të zgjidhë situatën e krijuar në BDI.

    “Do të bëj një qasje të këtillë. Përderisa jemi në këtë situata, nuk kam akoma bindjen se cilido nga ata nuk ka shprehur gatishmërinë për t’u vetëflijuar në kuptimin politik, që do të thotë ose të largohet… për t’i dhënë kontribut, mundësi kryetarit të partisë për të ndihmuar në këtë situatë”, tha Dehari.

    “Aktivistët tanë vrapojnë të regjistrojnë qytetarë mbi 80 vjeç”, Dehari kritik ndaj demokracisë së BDI-së

    “Fakti që të aktivistët tanë vrapojnë të regjistrojnë çdo qytetar të moshës mbi 80 vjet, për mua këtu humb kuptimi i asaj që duam të arrijmë”.

    Duke u deklaruar kësisoj, Fatmir Dehari ka hedhur dyshime për sundimin e demokracisë brenda BDI-së.

    Këtë e thotë duke hedhur dyshime mbi procesin e përzgjedhjes në bazë meritokracie të kryetarëve të degëve partiake, të cilët më pas do të jenë edhe anëtarë të kryesisë së BDI-së.

    “Demokracia në BDI edhe më herët ka qenë nëpërmjet kuvendeve. Kuvendarët kanë përzgjedhur. Kanë qenë 100-150 kuvendarë, aktivist të devotshëm, meritorë… Duke i njohur rrethanat, duke i njohur kandidaturat ata janë përcaktuar dhe me shumicë për atë që do t’i udhëheqë si kryetar dege apo si anëtar kryesie. E rëndësishmja në këtë rast të mos ketë situata që sjellin tensione në mesin tonë, sepse këto nuk i konvenojnë askujt, përveç mullirit tjetër”, tha Dehari. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Spitalet private të parët në RMV, fitojnë dhjetëra miliona euro

    Lajmi i rradhës

    Sulmohet me granatë dore ndërtesa komunale në Mitrovicë të Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë