Deklarata e kreut të KE-së nxit reagime në Shkup

    Deklaratat e krerëve të BE-së nga Forumi Strategjik i Bledit në Slloveni interpretohen ndryshe nga partitë politike në vend.

    LSDM-ja thotë se kreu i Këshillit Evropian Charls Michel konfirmoi se BE-ja është e gatshme për zgjerim në përputhje me pritshmëritë e pushtetit, në vitin 2030. Andaj ata ftojnë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

    “Ne duhet patjetër ta shfrytëzojmë këtë sinjal shumë të rëndësishëm nga BE-ja. Për ne si shtet që i ka nisur negociatat dhe që është duke e përfunduar skriningun është arsye shtesë për të cilën nuk guxojmë ta lëshojmë këtë mundësi. Përpjekjet e VMRO-DPMNE-së për bllokim nuk guxojmë që të lejojmë të ndodhin, nuk guxojmë vetë të bllokojmë rrugën drejt BE-së, prandaj është e rëndësishme të sjellim vendim shtetëror për ndryshim të Kushtetutës”, tha Darko Kaevski, LSDM.

    Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se deklaratat e Presidentit francez Emanuel Makron nga ana tjetër, dëshmon se ndryshimet kushtetuese nuk janë garancë për anëtarësim të plotë.

    “Nga njëra anë e kemi këtë deklaratë kurse nga ana tjetër e kemi deklaratën e Makron i cili thotë se BE-ja së pari duhet të reformohet dhe më pas të pranojë anëtare të reja. Ky është vërtetim për atë që e themi se absolutisht nuk ka asnjë garancë se edhe po të bëhen këto ndryshime, vendi do të vazhdojë drejt BE-së. Gabimi i qeverisë tonë është që të gjithë procesin e thuri shpejt dhe me premtime të cilat tani s’mundet t’i përmbushë”, u shpreh Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

    Presidenti i Këshillit Evropian Mishel një ditë më parë tha se BE-ja duhet të përgatitet për zgjerim. Nga ana tjetër, presidenti francez Makron, tha se është e rrezikshme të mendohet për zgjerim der isa BE-ja nuk është reformuar.

    “Duhet të flasim për kohën. Duhet të flasim për detyrat e shtëpisë. Kam një sugjerim, derisa e përgatisim agjendën e ardhshme strategjike të BE-së, duhet t’i vendosim vetes një qëllim të qartë. Besoj se duhet të jemi gati, nga të dyja palët, deri në vitin 2030, për zgjerim”, theksoi Sharls Mishell, kryetar i Këshillit Evropian.

    “Është rrezik të mendojmë se mund të zgjerohemi pa reformë. Mund të dëshmoj se është mjaft e vështirë për Evropën të përparojë në tema të ndjeshme me 27 vende anëtare. Me 32 ose 35 anëtare, s’do të jetë më e lehtë”, tha Emanuel Makron, President i Francës.

    Krerët e BE-së takuan krerët e vendeve në Ballkanit Perëndimor dhe folën për të ardhmen e rajonit në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni./ Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Turizëm cilësor – Çfarë kuptohet me këtë?

    Lajmi i rradhës

    Nga mesnata çmime të reja të derivateve të naftës

    Lajme tjera

    Franca nuk gjen qetësi

    Protestat masive në të gjithë Francën vazhduan edhe në fundjavë. Presioni duhet të vazhdojë, thotë një përfaqësues i…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë