Deklaratat e presidentit Putin dhe kancelarit Scholz

    Presidenti rus Vladimir Putin dhe kancelari gjerman Olaf Scholz pas një takimi që ka zgjatur disa orë në Kremlin, po japin një konferencë për shtyp duke treguar detaje të diskutimeve të zhvilluara kokë më kokë.

    Sipas BBC, presidenti rus Vladimir Putin ka nisur i pari konferencën duke thënë se Gjermania është një “partner kyç i Rusisë”.

    Putin ka theksuar gjithashtu se ai do të donte të forconte marrëdhëniet mes dy shteteve.

    Duke folur për shqetësimet ruse për sigurinë, Putin tha se kërkesat themelore nuk janë përmbushur nga NATO dhe se aleanca ushtarake sipas tij “ka detyrimin të mos forcojë sigurinë e saj në kurriz të vendeve të tjera”.

    Megjithatë, Putin pranoi se është i përgatitur të diskutojë çështjet e sigurisë evropiane dhe të raketave ruse.

    Siç raporton BBC, në fjalën e tij Presidenti Putin theksoi sektorin e energjisë si një fushë kyçe të bashkëpunimit me Gjermaninë, duke përmendur gazsjellësin Nord Stream 2 midis dy vendeve, i cili është gati, por ende nuk funksionon.

    Putin ka deklaruar se ky është një “projekt thjesht tregtar” pa përfshirë politikë në të dhe se Rusia është e lumtur të vazhdojë furnizimin me gaz përmes Ukrainës nëse ka kërkesë për këtë, duke shtuar se kjo ka rëndësi ekonomike.

    Ndërkohë kancelari gjerman Olaf Scholz tha se grumbullimi i trupave në kufirin me Ukrainën shihet si një kërcënim dhe është “i pakuptueshëm”.

    Ai kërkon “de-përshkallëzimin” në rajon dhe thotë se është e rëndësishme që “nuk do të pasojë asnjë luftë”.

    Scholz thotë se integriteti territorial është “i panegociueshëm” dhe është dëshira e tij që të ketë dialog. Bisedimet nuk duhet të kalojnë në një “nrugë qorre”, shtoi Scholz.

    Takimi i tyre vjen në një kohë që inteligjenca amerikane dhe CIA kanë paralajmëruar se një pushtim i mundshëm i Rusisë në Ukrainë do ndodhë në 16 shkurt.

    Mëngjesin e së martës, ministria e Mbrojtjes ruse lajmëroi se disa trupa të saj ushtarake po tërhiqeshin nga kufiri ukrainas, pa dhënë specifikime.

    Megjithatë, Perëndimi duket se nuk i beson kësaj lëvizje si shenjë depërshkallëzimi.

    Shefi i NATO-s u tregua skeptik për këtë, por edhe kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se shërbimet inteligjente tregojnë se Rusia ende po bën plane për të pushtuar Ukrainën, megjithëse Moska eshte treguar ‘e hapur’ për bisedime diplomatike. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Petliçkovski: Situata epidemiologjike është përmirësuar

    Lajmi i rradhës

    Shtetasit shqiptarë do të ekstradohen edhe në Spanjë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë