Aktivistët civilë kërkojnë në seancën tjetër gjyqësore për deponinë ilegale të Strugës e planifikuar për më 29 qershor, të marrin pjesë edhe kryetari i Strugës Ramiz Merko dhe Ministri i Ambientit Jetësor, Nuredini, për të parë me sytë e tyre se për çfarë katastrofe ekologjike bëhet fjalë. Seanca nga salla e gjyqit bartet në vendin e ngjarjes, në vetë deponinë.
“Pata rastin të takohem personalisht me kryetarin Merko në Strugë dhe zyrtarisht e ftova atë që të paraqitet në seancën tjetër, por do ta shfrytëzoj këtë mundësi për ta ftuar edhe ministrin e Mjedisit. Është ndryshe kur flasim për problemin nga zyra ose salla e gjyqit. Perceptimi do të jetë shumë më i thellë, kur të shkojmë në vendin e ngjarjes dhe të shohim atë mal të të gjitha llojeve të plehrave dhe kjo do të na bëjë të mendojmë edhe një herë, nëse kjo zgjidhje ose ky trajtim i mbeturinave, menaxhimi i mbeturinave në vend jo vetëm në Strugë është i qëndrueshëm në këtë mënyrë.”-deklaroi Gligorie Qatoski, avokat dhe aktivist civile.
Shoqata maqedonase e juristëve të rinj po hedh në gjyq komunën, Ministrinë e Mjedisit dhe ndërmarrjen publike, sepse sipas tyre ata nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për sanimin dhe zhvendosjen e deponisë në një vend tjetër.
“Në këtë procedurë, ne kërkojmë pushteti qendror dhe lokal t’i kryejnë kompetencat dhe obligimet ligjore dhe të marrin hapa për anulimin e pasojave të dëmshme, që mund të dalin nga ekzistimi i këtij lloji të deponisë”
Aktivistët civil kërkojnë zgjidhje të shpejtë, pa vonesë.
Një nga premtimet kryesore të kryetarit Merko ishte zgjidhja e problemit me deponinë dhe dislokimin e saj. Por, në vend të kësaj, deponia gjendet në lokacionin e njëjtë në hyrje të Strugës, vetëm 500 metra nga shtëpitë e para ndërsa stacioni i ngarkim-shkarkimit për të cilin u dhanë shumë mjete, katër vite nga ndërtimi, aspak nuk ka funksionuar dhe po shkatërrohet./Alsat/