“Deputetët sa më shpejtë të votojnë ndryshimet ligjore për mbrojtje të gazetarëve”

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) dhe Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve mediatik (SPGPM) sot mbajtën konferencë për media para Kuvendit të RMV-së, me rastin e 2 Nëntorit, Ditës ndërkombëtare për dhënie fund të mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve.

    “Në këtë ditë, 2 nëntor, Ditën Ndërkombëtare për dhënie fund të mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë kërkon nga partitë politike që menjëherë të miratojnë ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat do të mundësohet mbrojtje më e madhe e gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë. Tani, më shumë se kurrë, është e nevojshme që sulmi ndaj gazetarëve të trajtohet si sulm ndaj një zyrtari, është koha për të bërë një hap më të madh në këtë drejtim. Prej gati një vit e gjysmë presim që deputetët në Parlament të guxojnë dhe të bëhen bashkë për të miratuar ndryshimet në kodin penal, në vend që të merren me lojërat e tyre të pafundme politike. Nëse jemi të sigurt se ka konsensus social për këtë në opinion, është e pakuptueshme që deputetët të vazhdojnë të vonojnë miratimin e këtyre ndryshimeve. Kërkojmë që menjëherë të futen në rend dite dhe të votohen, në të kundërtën do të kuptojmë se liria e gazetarëve, kameramanëve dhe punëtorëve mediatik nuk është prioritet i këtij Kuvendi”, tha Çadikovski.

    Kryetari i SPGPM-së, Pavle Belovski, theksoi se ndryshimet që kanë rëndësi të madhe për sigurinë e gazetarëve kanë pritur shumë gjatë.

    “Pesë vite nga fillimi i nismës, në të cilën dëgjuam angazhimet deklarative për lirinë e medias. Po ashtu, sot bëhen 17 muaj që kur Qeveria, përkatësisht Ministria e Drejtësisë, i dërgoi këto amendamente në Kuvend për miratim. Nuk ka asnjë rezultat. Sulmet, pavarësisht në çfarë forme i numërojmë dhe i raportojmë, por në fund pa rezultat. Mosndëshkimi vazhdon. Ndaj edhe një herë, për të disatën herë, ju kujtojmë premtimet elektorale se duhet të zbatohen urgjentisht ndryshimet ligjore që i referohen sulmeve ndaj gazetarëve. Nuk na interesojnë lojërat dhe interesat parlamentare. U bëjmë thirrje deputetëve që urgjentisht të bëjnë gjithçka që është pjesë e procedurës dhe të votojnë ndryshimet në kodin penal, të cilat së paku në letër do të përmirësojnë kushtet për përfundimin e mosndëshkimit të sulmeve ndaj gazetarëve”, tha Belovski.

    Organizatat gazetareske shprehën shqetësimin e tyre për ngecjen e miratimit të ndryshimeve ligjore në Kuvend, me qëllim të përbashkët – ndryshime pozitive në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës së gazetarëve dhe punonjësve të medias, si dhe rikujtuan raportin e fundit të Komisionit Evropian ku thuhet se Maqedonia e Veriut ka arritur një nivel të caktuar në fushën e lirisë së shprehjes, në përgjithësi ka pasur progres të kufizuar në raport me rekomandimet e BE-së. Gjithashtu u theksua nevoja për vazhdimin e procesit të vetërregullimit, i cili duhet të çojë në përmirësimin e standardeve profesionale në gazetari.

    Lajmi Paraprak

    Gjermania: Statusi i Kosovës të mos jetë më “mollë sherri” në rajon

    Lajmi i rradhës

    Mickoski kundër heqjes së 20%-shit dhe zëvendësimin e saj me “gjuha shqipe”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë