Deri tani asnjë drejtor nga Aleanca dhe Alternativa në qytetin e Shkupit

    Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si koalicion që ishin, në zgjedhjet lokale mbështetën Danella Arsovskën për kryetare të Shkupit. Kryetarja e re tashmë ka nisur të ndajë “kulaçin”, sa i përket ndërmarrjeve publike, por deri tani asnjë drejtor nuk është emëruar si kuadër i ASH ose AAA. Menjëherë pas zgjedhjeve Zeqirija Ibrahimi i AAA, në Click Plus, tha se do t’i marrin të gjitha drejtoritë që i ka BDI.

     “Ne jemi të interesuar që ta kemi “Higjienën komunale” dhe “Parqe dhe gjelbërime” dhe të kemi post të lartë në “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, deklaroi Zekirija Ibrahimi, nga AAA (26.10.2021).

    Por në NP “Parqe dhe Gjelbërime” në vend të Ardijan Muçës, për drejtor u emërua Angell Sotirovski i VMRO DPMNE-së.

    Arsovska deri tani ka emëruar 6 drejtorë të ri dhe asnjëri prej tyre nuk është as i ASH-së e as i AAA-së.

    Tani për tani Ka mbetur “Higjiena Komunale” por nga ASH, thonë se nuk kanë ndonjë synim konkret.

     “Nuk kemi ndonjë synim për arsye se mendoj se secila ndërmarrje kërkon përgjegjësi dhe profesionalizëm. Kështu që pa marrë parasysh se për cilën do të merremi vesh që na ta udhëheqim do të jetë mbi të gjitha arsyeja që ta udhëheqim në mënyrën më të mirë të mundshme në mënyrë që qytetarët e Shkupi të jenë të të kënaqur nga udhëheqja e Aleancës”, tha Bujare Abazi, nënkryetare e Qytetit të Shkupit.

    E derisa Arsovska po emëron drejtorë të ri nga Alternativa thonë se deri tani nuk kanë zhvilluar negociata për ndarjen e pushtetit lokal.

     “Deri tani nuk kemi zhvilluar negociata për ndarjen e pushtetit lokal në ato komuna ku kemi pasur mbështetje reciproke. Ditëve në vijim mund të ketë komunikim për ndarjen e përgjegjësive në ato komuna ku ne si Alternativë kemi dhënë mbështetje”, pohoi Orhan Murtezani nga Alternativa.

    TV21 bisedoi me drejtorin aktual të Higjienës Komunale, Abdulsamed Shabani. Ai tha se këto ditë pret vendimin për largimin e tij. Gjithashtu pritet edhe largimi i Sermine Purrinit nga Qendra Informative Kulturore, ndërsa do të ndërrohen edhe drejtorët e NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime”  dhe “Parkingu i Qytetit”

    Arsovska deri tani ka vendosur drejtorë të ri në: NP “Parqe dhe Gjelbërime”, NP “Rrugë dhe rrugica”, Ndërmarrjen për Qarkullim Publik, NP“ Drislla”, dhe në Ndërmarrjen Publike “Lajka”.

    Lajmi Paraprak

    Miratohet buxheti për vitin 2022

    Lajmi i rradhës

    Si të përmirësoni qarkullimin e gjakut në mënyrë natyrale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë