Dështoi gjyqi ndaj Zhan Mitrev, ai u prit me pankarta nga protestuesit

    Me thirrjet “vrasës”, “përgjegjësi” dhe “profiter në kurriz të të sëmurëve” u prit dhe u përcoll në seancën e dytë gjyqësore kardiokirurgu Zhan Mitrev nga dhjetëra qytetarë. Ata pretendojnë se kanë humbur më të afërmit e tyre për shkak të eksperimenteve me metodën e hemofiltrimit gjatë trajtimit me Kovid-19 në klinikën private Zhan Mitrev.

    Por edhe tentativa e sotme për të filluar gjykimin për këtë lëndë rezultoi e dështuar, kjo për shkak se mbrojtja nuk kishte arritur t’i shqyrtojë të gjitha dosjet e lëndës pasi të njëjtat gjenden në Apel ku po vendoset nëse prona e klinikës Zhan Mitrev do të qëndrojë e ngrirë ose jo. Familjarët nga ana tjetër, me ngulm kërkojnë që rasti të merr epilog sa më shpejtë.

    “Ne gjithmonë do të jemi këtu, pa marrë parasysh nëse shtyhen seancat, ne do të jemi këtu gjithmonë dhe nuk do të dorëzohemi nga më të dashurit tanë. Nga këtu i dërgoj porosi ministrit të ri për Shëndetësi, çfarë ndodhi me komisionet që i krijoi ministri paraprak, deri ku janë përgjigjet, çfarë bënë ata komisione? Sot këtu bashkë me akademikun Zhan Mitrev duhej të ishte edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, hetimi duhet të zgjerohet, ai nuk është fajtori i vetëm” , u shpreh një e dëmtuar në rastin “Zhan Mitrev”.

    “Kush e lejoi të vazhdojë trajtimin me hemofiltrim, kush ishte ai të na gënjejë se në mëngjes pacienti është në koma, në mbrëmje në respirator që në fund të jetë aq arrogant kur i kërkonim shpjegim se si erdhi deri në mosfunksionim të zemrës”, tha një tjetër e dëmtuar në rastin “Zhan Mitrev”.

    Sipas njërit prej avokatëve të palës së dëmtuar, Aleksandar Tupanovski, çdo shtyrje e seancës rrit mllefin e personave që kanë humbur të afërmit në rast.

    “Me çdo zvarritje të pa arsyeshme vetëm të mos e rrisim mllefin e të dëmtuarve sepse me këtë bëhet viktimizim i dyfishtë kundrejt atyre. Mendoj që duhet të respektohen të drejtat e të gjithëve, ashtu edhe të të dëmtuarve sepse pa ata sot ne nuk do të ishim këtu”, tha Aleksandar Tupanovski, avokat i palës së dëmtuar.

    Edhe prokurorja Iskra Haxhi Vasileva kërkoi që gjykimi të zhvillohet në afat të arsyeshëm dhe të caktohen disa terminë. Përkundër kësaj, avokatët e Zhan Mitrev kërkuan nga gjykatësja të mbrojnë të akuzuarin pasi sipas tyre, ndaj tij ushtrohet presion dhe shkelet parimi i prezumimit të pafajësisë.

    “Seanca e sotme në kushtet në të cilat u zhvillua tregon se kundër mjekut Zhan Mitrev dhe Klinikës “Zhan Mitev” po mbahet proces i instrumentalizuar dhe e organizuar për një akuzë të pabazë. Prania e njerëzve me pankarta në ditën e seancës, data e të cilës nuk ka qenë publike, flet se gjithçka lidhur me këtë proces është e organizuar paraprakisht dhe ndiqet në kuadër të agjendës së dikujt”, deklaroi Klinika Pirvate “Zhan Mitrev”.

    Deri tani asnjë seancë gjyqësore nuk është realizuar me sukses. Kujtojmë që prokuroria në janar ngriti aktakuzë kundër Mitrevit si person fizik si dhe kundër spitalit privat “Zhan Mitrev” si person juridik. Ai akuzohet për veprën penale “mashtrim” për të cilën parashihet dënim me burg prej 1 deri në 10 vjet.

    Ndryshe, e gjithë kjo filloi pas një hulumtimi gazetaresk të IRL-së që tregonte se spitali privat që kishte pranuar më shumë pacientë gjatë pandemisë së Kovid-19, në të cilin mjekimi kishte kushtuar dhjetëra mijëra euro, kishte zbatuar metodën e hemofiltrimit e cila në atë kohë ka qenë në studim klinik, këto studime në kundërshtim me ligjin nuk janë paraqitur dhe miratuar nga MALMED. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    KORRIDORI 8 | Aggeler: Kam besim se ndërtimi do të zhvillohet shpejtë dhe me sukses

    Lajmi i rradhës

    MODELI KROAT PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE | Kovaçevski as “për” e as “kundër”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë