BDI kërkon vetting gjithëpërfshirës,VLEN paralajmëron amendament kushtetues me të cilin veprat penale të kryera nga persona të zgjedhur dhe të emëruar nuk do të vjetrohen. LSDM rikujton 40 rekomandimet e misionit vlerësues të BE-së dhe mbron reformat në gjyqësor që do të mbështeten dhe monitorohen nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa Qeveria thekson se nuk heq dorë nga ideja e shpërndarjes së Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të prokurorëve.
Si do të dakordohen këto qëndrime të ndryshme, për të nisur reformat e pritshme që do të rikthejnë besimin e rënë në drejtësi? Ambasadori në largim i BE-së, David Gir, rikujton se në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e RMV-së vërehet se në disa nga fushat kyçe si reformat në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit nuk është bërë përparim, por ai beson se disa arritje nuk duhet të fshihen dhe të fillohet nga e para.
“Njerëzit janë të frustruar nga progresi i pamjaftueshëm, dhe sondazhet tregojnë besimin jashtëzakonisht të ulët të qytetarëve tek gjyqësori dhe prokurorët publikë. Unë e kuptoj plotësisht se pas zgjedhjeve duhet të ketë një dëshirë reale për veprime kuptimplota dhe radikale për të adresuar sundimin e ligjit. Megjithatë, ajo që mendoj se është e rëndësishme, është se disa gjëra tashmë janë arritur. Nuk mendoj se po e nisim nga e para. Dhe nuk mendoj se duhet të fshijmë gjithçka dhe të fillojmë nga e para”, tha Gir në një paraqitje televizive.
TË MOS CËNOHEN NDARJA E PUSHTETIT
Qeveria rithekson se nuk heq dorë nga ideja e shpërndarjes së Këshillit Gjyqësor Republikan, Këshillit të Prokurorëve Publikë, sepse mosshpërbërja e tyre vetëm do të vazhdojë agoninë.
“Ne e kuptojmë se shumë janë të frikësuar dhe të shqetësuar nga shpërbërja e këtyre institucioneve, por po vjen koha për ndryshime dhe një shans për kuadër profesional dhe të aftë”, thonë nga qeveria.
Sipas ambasadorit Gir, ndonëse fillimi tërheqës, ai beson se nuk shpie në qëllimin – përmirësim real të sundimit të ligjit, por edhe se reformat nuk janë punë vetëm e Qeverisë.
“Për shembull, ne ishim shumë të shqetësuar për zhvillimet me Këshillin Gjyqësor vitin e kaluar. Ne dërguam një grup ekspertësh, një mision vlerësimi. Gjykatësit nga vendet anëtare të BE-së kanë përgatitur një Raport me 40 rekomandime që duhet të zbatohen. Ne themi – ndërto mbi këto rekomandime në zbatimin e reformave. Mund të jeni ambicioz, të ndërtoni mbi ekzistuesen. Dhe kjo nuk është vetëm detyrë e qeverisë. Është gjithashtu punë e prokurorëve publikë, gjykatësve dhe avokatëve. Duhet të jetë një përpjekje e përbashkët. Është joshëse të fshish gjithçka që ka ndodhur deri më tani, por kur dëshiron të reformosh një fushë si sundimi i ligjit, është e rëndësishme të mos kompromentosh parimet bazë si ndarja e pushteteve”, theksoi ambasadori Gir.
LSDM KËRKON PLAN PËR 40 REKOMANDIMET
LSDM-ja para disa ditësh rikujtoi se qeveria e tyre, me dëshirë të sinqertë për të inkurajuar reformat në gjyqësor, ka dorëzuar ftesë për një mision vlerësues të BE-së në Këshillin Gjyqësor dhe se raporti i misionit përfshin 40 rekomandime që kanë të bëjnë me mandatin, zgjedhja, shkarkimi, përcaktimi i “juristit të shquar””, kontrolli i cilësisë së punës, transparenca dhe llogaridhënia si dhe komunikimi me publikun.
“Nëse VMRO-DPMNE dhe BDI vërtet duan të bëjnë një hap të sinqertë drejt reformave, para së gjithash qeveria e re duhet t’i publikojë 40 rekomandimet dhe të bëjë planin për zbatimin e tyre sa më shpejt me mbështetjen e të gjitha partive politike”, thonë nga LSDM.
Sa i përket reformave në drejtësi, LSDM ritheksoi se do të mbështesë reformat që do të mbështeten dhe monitorohen nga bashkësia ndërkombëtare dhe asgjë tjetër.
“Të gjitha reformat në këtë sektor duhet të bëhen për të përjashtuar plotësisht ndikimet politike. VMRO-DPMNE nuk ka kapacitet që në mënyrë të pavarur të zbatojë reforma të tilla sepse qëllimi i tyre asnjëherë nuk ka qenë një gjyqësor i pavarur, por një gjyqësor nën kontrollin e tyre”, kritikoi LSDM. Nga aty theksojnë se qysh në vitin 2019 kanë bërë thirrje për një vetting të plotë në gjyqësor, që ishte përcaktim programor kyç për zgjedhjet e vitit 2020, por kjo ide nuk mori mbështetje as nga BDI-ja dhe as nga VMRO-DPMNE.
QEVERIA NUK ËSHTË LOJTARI I VETËM
BDI tani përpiqet për vetting gjithëpërfshirës, por ekspertët ligjorë theksojnë se me gjithë përpjekjet e shumta për një kontroll të tillë, deri më tani nuk është bërë asnjë analizë për mënyrën se si mund të zbatohet dhe as për pasojat e mundshme në fusha të caktuara. Në Shqipëri, ku u krye një vetting i pjesshëm – vetëm në drejtësi, në një periudhë vendi thuajse mbeti pa gjykatës. Mund të jetë problematike edhe në kushtet maqedonase. Prokurori publik Lupço Kocevski së fundi theksoi se nga 261 prokurorë publikë të paraparë sipas nevojës, aktualisht mungojnë më pak se 100 dhe deri në fund të vitit, për shkak të pensionimit, ai deficit do të jetë më shumë se 100, në kushtet kur në tre vitet e ardhshme nuk do të mund të prodhohen prokurorë të rinj publikë nga Akademia për katër vjet.
Tani të gjithë janë duke pritur. Euroambasadori Gir thotë se janë në pritje të propozimeve që duhet të vijnë nga Qeveria.
“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë, përvoja më të mira, shembuj të mirë për të arritur këtë qëllim. Qeveria duhet të udhëheqë, por nuk është lojtari i vetëm këtu. Parlamenti ka një rol vërtet të rëndësishëm. Është e rëndësishme që ata të përfshihen aktivisht, të marrin raportet nga Auditori i Shtetit, t’i shikojnë dhe të hapin dilema. Ky është roli i tyre. Është shumë e rëndësishme që gjykatat dhe prokurorët të jenë aktive, të kundërshtojnë, të çojnë në gjykatë çështjet ku ka prova të korrupsionit. Dhe është e rëndësishme që biznesi dhe shoqëria civile të përfshihen gjithashtu. Po, qeveria duhet të udhëheqë, por duhet të jetë një përpjekje e përbashkët”, tha Gir. /Koha/