Dezinformatat për vaksinat të rrezikshme për shëndetin

    Vaksinimi i rregullt mund të shpëtojë jetë. Megjithatë, në vendin tonë të dhënat për vaksinimin e fëmijëve janë ende shqetësuese. Mbulimi i rekomanduar prej mbi 95 për qind nuk është arritur për asnjë vaksinë në vend, prandaj rreziku i shpërthimit të fruthit është veçanërisht i lartë pasi mbulimi i imunizimit zvogëlohet. Autoritetet u bëjnë apel prindërve që të vaksinojnë në kohë fëmijët e tyre, sepse përvojat e kaluara kanë treguar se sëmundjet që mund të çojnë në vdekje janë zhdukur me vaksinim të rregullt.

    PËRFSHIRJE E ULËT

    Analizat e fundit të prezantuara tregojnë se targeti i regjistruar për vaksinimin parësor është nën 90 për qind për të gjitha vaksinat, hepatiti B (HepB), Haemophilus influenzae tip B (HiB), vaksina DiTePer/IPV dhe MRP, si dhe vaksina kundër HPV. Në një konferencë me temë “Vaksinimi i rregullt i fëmijëve – fakte dhe dezinformata”, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Aleksandra Grozdanova, koordinatore kombëtare për imunizimin, kujtoi se rasti i parë i fruthit në vend është shfaqur në vitin 2018, në vitin 2019 ishte shpallur epidemi me fruthin, me mbulim të pamjaftueshëm të fëmijëve të vaksinuar. “Përqindja më e ulët e vaksinimit me vaksinën MMR ka qenë në vitin 2018. Në shkurt 2019 u shpall një epidemi, pas së cilës u rrit përqindja e vaksinimeve”, thotë Grozdanova.

    PRINDËRIT NË DILEMË

    Gjatë asaj periudhe është dashur të ndërmerren aktivitete për vaksinimin intensiv të të gjithë fëmijëve që nuk janë vaksinuar. Në gjashtë vitet e ardhshme, rreth 42.000 vaksina iu dhanë fëmijëve deri në 14 vjeç. Për shumicën e prindërve, shqetësimi për vaksinën ishte për shkak të frikës nga autizmi. Deri më sot një gjë e tillë nuk është konstatuar. “Nuk kemi prindër kundër vaksinave, kemi prindër të hutuar. Pra, a ka argument më të mirë se nga ata 42 mijë fëmijë, asnjëri prej tyre nuk ka zhvilluar një formë të autizmit”, thotë ajo.

    Falë vaksinimit, gjatë kësaj periudhe nuk është shfaqur asnjë epidemi e re me fruthin, por të dhënat për vaksinimin janë shqetësuese. Analiza tregon se në territore të caktuara, si Qendra për Shëndet Publik (QSHP) Shkup, Tetovë, Manastir dhe Strumicë, mbulimi me vaksina individuale është më i ulët se 70 për qind. Në territorin e Kumanovës për vaksinim primar me hepatitin B, grip, DiTePer/OPV është regjistruar mbulim prej 53,7 për qind, ndërsa me vaksinim vetëm 40.3 për qind. “Në vitin 2022 dhe 2023 tashmë ka një rritje të rënies së vaksinimeve. Shpresoj që apelet të arrijnë tek prindërit. Sepse në momentin kur mbulimi zvogëlohet, rreziku i shpërthimit të fruthit është jashtëzakonisht i lartë”, thotë Grozdanova.

    DEZINFORMATAT

    “Kur studentët regjistrohen për studime jashtë, marrin 4-5 vaksina në tre muaj, sepse ato universitetet atje i kërkojnë ato vaksina dhe shteti ynë i jep vazhdimisht”, shton ajo.

    Zllate Mehmedoviq nga KSI, tregon se përqindja e të vaksinuarve me disa vaksina të detyrueshme për fëmijët është e vogël në Kumanovë, por 60 për qind janë të vaksinuar me vaksinën HPV, ndërsa në Shkup është vetëm 13 për qind. Sipas tij, vetëm një shifër prej 95 për qind e vaksinimit garanton se nuk do të ketë epidemi kur të shfaqen rastet e fruthit.

    Bojan Kordallov, ekspert i komunikimit, thotë se është e rëndësishme të parandalohen lajmet e rreme dhe informacionet joshkencore për vaksinimin, sepse ato shkaktojnë frikë dhe mbulim të ulët vaksinues. Informacioni i saktë është i rëndësishëm, për të mos rrezikuar shëndetin tuaj dhe shëndetin e të tjerëve.

    Një raport global i UNICEF-it këtë vit zbuloi se besimi në vaksinat e fëmijërisë po bie në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Një analizë e të dhënave për 55 vende të botës tregoi se perceptimi i publikut për rëndësinë e vaksinimit rutinë të fëmijëve është ulur në Maqedoni që nga fillimi i pandemisë Kovid-19. Pandemia ka ndërprerë vaksinimin e fëmijëve thuajse kudo, më së shumti për shkak të presioneve të mëdha në sistemet shëndetësore, devijimit të burimeve të imunizimit drejt vaksinimit kundër Kovid-19, mungesës së punonjësve shëndetësorë dhe masave të karantinës të vendosura ndaj qytetarëve. Si rezultat, 67 milionë fëmijë në mbarë botën nuk u vaksinuan në mënyrë rutinore midis 2019 dhe 2021, me mbulimin e vaksinimit që bie në 112 vende. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shpejtësia rrezikon kalimtarët në bulevardin problematik

    Lajmi i rradhës

    Zbehen pritjet për miratimin e ndryshimeve kushtetuese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë