Dhjetë kompani sigurimi në RMV manipuluan me çmimet

    Dhjetë kompani sigurimi formuan një kartel pasi ranë dakord mes tyre të rrisin çmimin e sigurimit të automjetit, i cili paguhet gjatë regjistrimit të makinës. Euroins, Triglav, Sava, AD Makedonija Skopje – Vienna Insurance, Eurolink, Grawe, Unica, AD Osiguritelna Polis, Halk dhe Croatia janë kompanitë që, sipas Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, shkelën të gjitha parimet e funksionimit të tregut dhe konkurrencës me qëllim përfitimin në kurriz të pronarëve të automjeteve.

    Ky aktivitet është zhvilluar nga marsi deri në maj të vitit të kaluar. Për këtë shkelje, Komisioni vendosi një gjobë të përgjithshme mbi 17 milionë denarë, ose mbi 280 mijë euro, që i bie mesatarisht rreth 28 mijë euro për secilën kompani.

    Komisioni për Vendimmarrje për Kundërvajtje pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës ka miratuar një vendim me të cilin konstatohet ekzistenca e sjelljes së bashkërenduar (kartel) midis dhjetë kompanive të sigurimeve në tregun e sigurimit të përgjegjësisë së detyrueshme ndaj palëve të treta (AO), të cilin çdo pronar automjeti e paguan gjatë regjistrimit. Procedura ka vërtetuar se kompanitë shkëmbyen informacione të ndjeshme, koordinuan aktivitetet dhe, brenda një periudhe shumë të shkurtër, morën vendime identike ose të dakorduara për rritjen e pjesës së primit për kryerjen e një aktiviteti – të ashtuquajturën zbritje për shpenzime të përgjithshme, thuhet në njoftim.

    Komisioni thekson se sjellja e kompanive përbën kufizim të konkurrencës “për shkak të vet qëllimit”, që është forma më e rëndë e shkeljes së Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Shkëmbimi i informacionit dhe miratimi paralel i vendimeve për çmime zëvendëson politikën e pavarur të biznesit me veprim të koordinuar në treg, gjë që është rreptësisht e ndaluar, përfundon Komisioni.

    Lajmi Paraprak

    Ajri i ndotur po vret: Maqedonia e Veriut ndër vendet me rrezikun më të lartë në Europë

    Lajmi i rradhës

    Si dezinformimi e shtrembëroi realitetin para zgjedhjeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë