Dhjetë të vrarë nga sulmet e sotme izraelite në Gazë

    Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën dhjetë persona më 5 qershor, teksa ushtria izraelite po vazhdon ofensivën në territorin palestinez.

    Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, tha për AFP-në se sulmet vdekjeprurëse shënjestruan një zonë ku po strehohen personat e zhvendosur në Han Junis, disa shtëpi në Qytetin e Gazës dhe në Deir el-Balah.

    Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këto raportime.

    Izraeli ka intensifikuar ofensivën e tij, duke thënë se synon të mposhtë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – i cili sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, sulm që nxiti luftën në Gazë.

    Sulmi i paprecedent i Hamasit la të vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe grupi palestinez rrëmbeu edhe afër 250 të tjerë.

    Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, të paktën 4.335 persona janë vrarë që kur Izraeli rinisi ofensivën më 18 mars. Numri i përgjithshëm i viktimave që nga nisja e luftës, sipas kësaj ministrie, ka arritur në 54.607. Kjo ministri thotë se shumica e viktimave ishin civilë.

    Lajmi Paraprak

    Ligji për përfaqësim të drejtë në RMV: premtime pa afat dhe përsëritje e refrenit “shumë shpejtë”

    Lajmi i rradhës

    Masa të rrepta për ndeshjen Shqipëri-Serbi / FShF: ndeshja s’duhet parë si ‘luftë’

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë