Dhuna mes nxënësve në shkolla | Sociologët: Fenomeni i bullizmit është i përhapur gjerësisht

    Një video e rëndë qarkulloi mesditën e së premtes, ku shiheshin një grup vajzat të shkollës 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit” në kryeqytet që po konfliktoheshin fizikisht me njëra tjetrin, teksa përdorin edhe fjalë banale.

    Ndërkohë që vajzat ziheshin, një tjetër filmonte pa ndërhyrë për të ndarë bashkëmoshataret. Video që u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, ngriti shqetësim në shoqëri.

    “Video ishte e frikshme ta shikoje dhe shumë shqetësuese. E frikshme sepse nuk e prisje gjithë atë dhunë dhe atë vrull agresiviteti mes fëmijësh dhe shqetësuese sepse ndoshta përpara syve tanë dhe nëse nuk do të ishte filmuar nuk do të ishte kthyer në epiqendër të shqetësimit mbarëshoqëror”, tha Entela Binjaku, sociologe. Sociologët i shohin ngjarje të tilla si një alarm për shoqërinë, për të treguar më tepër vëmendje ndaj edukimit të fëmijëve.

    “Shumë familje i kushtojnë fare pak rëndësi edukimit të fëmijës sepse mos të harrojmë, familja është shkolla e parë. Shumë nga familjet shqiptare sot janë në përpjekje të mëdha për mbijetesë dhe duan apo nuk duan janë jashtë shtëpisë për orë të tëra dhe jo të gjithë ia arrijnë që të jenë tërë kohës me sytë nga fëmijët dhe mund të ndodhë që në familje të tilla, vetë fëmija të bëhet pre e dhunës ose dhunues i të tjerëve”, shtoi Binjaku.

    Adoleshentët po jetojnë në një kohë ku vëmendjen më të madhe e kanë të fokusuar tek teknologjia dhe pjesën më të madhe e kalojnë në rrjetet sociale. Por edhe fenomeni i bullizmit që është përhapur gjerësisht në vitet e fundit, i bën ata që t’u përshtaten situatave për t’u ndjerë të pranuar nga grupet shoqërore.

    “Forca e grupit është shumë e madhe në këto grupmosha edhe mjaft adoleshentë nuk dëshirojnë të mbeten pas të tjerëve dhe për të mos u vënë në lojë dhe për t’u dukur po njëlloj interesant me të tjerët përdorin këtë fjalor”, tha Binjaku.

    Për ngjarjen e ndodhur ka reaguar edhe shkolla “Kongresi i Manastirit” ku sqaron se konfrontimi mes vajzave ka ndodhur më datë 15 shkurt, jo brenda ambienteve të shkollës dhe ka kërkuar nga policia hetimin e ngjarjes.

    Po ashtu në reagim theksohet se shkolla do të jetë mjaft e prerë në vendimet ndaj çfarëdo lloj ngjarje apo fenomeni negativ që konstatohet në ambientet e shkollës dhe jo vetëm. /TCH/

    Lajmi Paraprak

    Rusia ndal furnizimet me naftë në Poloni

    Lajmi i rradhës

    Kur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë