Dhuna në familje në Dibër assesi të ndalet

    Fotografia është ilustruese e blerë nga Freepik

    Dhuna në familje në Dibër assesi të ndalet. Paralelisht, vazhdon të jetë prezente edhe mosdenoncimi para organeve, prandaj edhe të dhënat janë minimale. Edhe përkundrejt aktiviteteve të institucioneve kompetente që kanë të bëjnë me këtë dukuri sociale, me qëllim që ajo të zbutet për shkak të tradicionalizmit që është prezent në Komunën e Dibrës dhe Qendër Zhupë, të pakta janë rastet të dhunës në familje të cilët dalin në shesh. Në Qendrën për Punë Sociale në Dibër informojnë se evidentohen vetëm rastet kur të dhunuarit në familje i paraqesin rastet.

    Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Skënder Daci për gazetën Koha thotë se gjatë vitit 2024, janë evidentuar 8 raste të reja të dhunës në familje.

    “Katër raste të tjera trajtohen nga viti 2023 dhe kryesisht të dhunuara janë femrat . Të gjithë rastet në fjalë trajtohen në institucionin tonë dhe ka përmirësime të situatës. Ne kemi një ekip special që merret me dhunën në familje”, tregon drejtori Daci.

    Por edhe punëtorët social edhe vet drejtori potencojnë se për fat të keq, ky numër është shumë më i vogël se sa numrat të vërtetë të dhunës në familje, të cilët kryesisht janë kundër gruas. Këtu potencojnë se është skandaloze që në shekullin 21, të keqtrajtohen dhe të dhunohen bashkëshortet.

    Burimi i njëjtë potencon se rastet që paraqiten janë ekstreme dhe rastet e tjera që nuk paraqiten janë të shumta, por mbeten nëpër muret e shtëpive. Në këtë institucion potencojnë se analizat thonë se jeta tradicionale në këtë rajon ndikon në mosparaqitjen e rasteve të shumta që kanë të bëjnë me dhunën në familje, dhe shton se për fat të keq, në Dibër dhe në fshatrat e saj, por edhe në Komunën rurale Qendër Zhupë dhuna është prezent edhe atë kryesisht kundër grave.

    Në këtë drejtim, Qendra në përputhje me obligimet që ka nga Ligji, realizon aktivitete të ndryshme me qëllim të tejkalohet dhuna në familje. Në disa raste, sipas burimit të njëjtë aktivitetet e Qendrës japin rezultate, por jo gjithmonë.

    “Dhuna në familje drejtpërdrejt ndikon shpeshherë edhe në divorcet. Pjesa dërmuese e divorceve shkaktohet nga dhuna në familje”, thonë nga kjo Qendër. Sipas të dhënave të Gjykatës themelore në Dibër, edhe në vitin 2024 ka patur lëndë gjyqësore në lidhje me dhunën në familje. Kryetari i Gjykatës në Dibër, Mersim Marku, për gazetën Koha ka thënë se vitin që kaloi, ka patur katër lëndë.

    “Problemet kryesore që shkaktojnë dhunë në familje janë alkooli, bixhozi, droga dhe kushtet e rënda sociale. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me institucionet kompetente kur kemi lëndë gjyqësore nga dhuna në familje”, shton kryetari i gjykatës, Mersim Marku. Për dhunën në familje ka patur aktivitete edhe në shoqatat qytetare.

    Shoqata në fjalë në Dibër në analizat e tyre thonë se dukuria është e shpeshtë, por për të nuk flitet. Gjatë vitit që kaloi sipas burimit të njëjtë ka patur raste edhe të dhunës kundër pleqve.

    Lajmi Paraprak

    Prodhimtaria organike, Maqedonia e Veriut askund

    Lajmi i rradhës

    Ujqërit po kthehen në Europë, por jo në Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë