DHUNA NË KUVEND | Xhaferi: Dëmin do ta paguajnë ata që e shkaktuan, jo qytetarët

    Pas incidentit në Kuvend, ku deputetët e “Së majtës” shkelën rregulloren e Kuvendit, ndërsa deputeti Borisllav Kërmov shkatërroi edhe një pjesë të inventarit, kryeparlamentari Talat Xhaferi paralajmëroi masa. Ai tha se dëmet materiale duhet të paguhen nga ai që i shkakton. Nga Kuvendi njoftojnë se policia ka kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes, ndërsa po bëhen vlerësime lidhur me lartësinë e dëmit.

    “Do të formohet komision për vlerësimin e dëmit material, llogaria do të shkojë tek ai që e ka shkaktuar. Qytetarët nuk mund të paguajnë për kompjuterët e thyer”, tha Talat Xhaferi, Kryeparlamentar.

    Deputeti Kërmov është përgjigjur se dëmin material do ta paguajë pa problem, por theksoi se shkatërrimi i demokracisë parlamentare është i pakthyeshëm.

    Partitë politike veprimet e “Së majtës” i cilësojnë si dramë për pikë politike. VMRO dhe LSDM akuza njëra-tjetrës për bashkëpunim me “Të majtën”.

    “Histeria që e demonstrojnë, tregon se sa jostabil janë këta persona dhe sa janë të rrezikshëm, të dëmshëm dhe të paparashikueshëm për veten dhe shtetin. Fat që shteti nuk ka armë bërthamore, nuk dyshojmë se Apasievi do ta përdorte”, thonë nga VMRO-DPMME.

    “Sjellja e ‘Të majtës” dhe DPMNE-së ndaj Kuvendit, është sjellje ndaj shtetit, sjellje ndaj qytetarëve. LSDM nuk do të lejojë që të kenë sukses skenarë të tillë nga ‘E majta’ proruse dhe partnerët e koalicionit si DPMNE”, tha Mile Talevski, LSDM.

    “E majta” ndërkohë akuzon partitë në pushtet dhe opozitë, për sjellje oligarke.

    “Bëhet e qartë se të gjitha partitë politike të oligarkisë DPMNE-LSD-BDI veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe të gjitha partitë e tjera në Kuvend, marrin pjesë në vallen që ata e luajnë. Të gjithë tradhtarët që e mundësojnë dhe thellojnë diktaturën do të përballen me përgjegjësi”, thonë nga “E Majta”.

    Në seancën kuvendore ku u miratua Rregullorja e re e Kuvendit, deputeti i “Të majtës ” Dimitar Apasiev, me këpucë i vulosi amendamentet që i dorëzoi partia e që nuk u pranuan.

    Ndërsa deputeti tjetër i “Së majtës” Kërmov, shkatërroi pajisjet në tavolinën e kryeparlamentarit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Besim Ismaili punon në Higjienën Komunale pa vendim pune, ka përfunduar studimet me notën 9

    Lajmi i rradhës

    Punonjësit e Avokatit të Popullit: paguhemi pak për punën që e bëjmë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë