Dhuna, si shkak i krizës ekonomike

    Turpi, mosbesimi në institucione, ose edhe mosmbështetja nga familja shpesh dinë të jenë edhe arsye që femrat të cilat janë viktimë e dhunës në familje të mos ngrenë zërin dhe të denoncojnë dhunuesin në organet e drejtësisë.

    Sipas të dhënave të fundit edhe kriza ekonomike ka ndikuar në rritjen e rasteve të dhunës familjare, dhunë në të cilën shumicën e rasteve viktimat janë gra. Gjatë  vitit të  kaluar në  vend janë  regjistruar 1535 raste të  dhunës në  familje, ku prej tyre 1138 viktima kanë  qenë  gratë. Ndërsa të  dhënat zyrtare për gjysmën e parë  të  këtij viti tregojnë se në  vend janë regjistruar 662 raste të  dhunës në  familje, ku prej tyre 443 viktima janë gra, 116 burra dhe 83 fëmijë. Në një deklaratë për gazetën KOHA, Nora Kaliqi drejtuese e organizatës joqeveritare “AJO”, tha se krizat zakonisht dinë të ndikojnë në rritjen e numrit të viktimave të dhunës.

    “Krizat zakonisht ndikojnë ndjeshëm në rritjen e numrit të viktimave të dhunës ndaj grave duke marrë parasysh se ambienti në të cilin jetojnë bashkë me dhunuesin është i mbyllur dhe gjithçka ndodh brenda katër mureve. Krahas statistikave zyrtare të publikuara nga Organizatat Joqeveritare (OJQ) të cilat merren kryesisht me rastet e dhunës ndaj grave, numri i viktimave të dhunës është ndjeshëm më i lartë”, tha ajo. Kaliqi gjithashtu tha se raportimet janë të pakta, apo vetëm kur viktima është në gjendje të rëndë fizike dhe dhuna është evidente.

    Sipas saj, kjo vjen si pasojë e mosbesimit në institucione.

    “Mosbesimi në institucionet të cilat drejtpërdrejtë duhet të merren me rastet e dhunës, mendësia apo stereotipet, gjendja e tyre ekonomike por edhe jo harmonizimi i ligjeve të caktuara në Kodin Penal në përputhje me Konventën e Stambollit, ku aktet e dhunës, varësisht nga shkalla e tyre duhet të dënohen si krime, në veçanti femicidi. Mos të flasim për dhunën psikologjike e cila vështirë mund të evidentohet nga viktima e dhunës pasi që çdoherë relativizohet si diçka e zakonshme që një grua apo vajzë duhet ta përjetojë”, shprehet Kaliqi.

    Sipas saj mbyllja gjatë periudhës së pandemisë ka dhënë sinjale të qarta për atë se sa mund të rriten rastet e dhunës në ambientet ku duhet të ndjehemi më të sigurt në një gjendje krize.

    “Kriza ekonomike do të ketë pasoja edhe më të mëdha bazuar në faktin se gjithçka buron nga kjo pikë, ku heshtet për gjendjen pasi që nga njëra anë shëndeti mental i kategorisë së rrezikuar sociale preket ndjeshëm, dhe nga ana tjetër gratë viktima të dhunës nuk kanë mbështetje dhe kushte për mbijetesë dhe janë të detyruara të heshtin dhunën, të mos e flasin”, tha ajo.

    Sipas saj, për t’u luftuar ky fenomen duhet të bëhet ngritje e vetëdijes, informim rreth qendrave që ofrojnë ndihmë, OJQ-ve, si dhe mënyra ligjore se si mundë të raportojmë dhunën, do të ndikonte në uljen e dhunës. “Qendrat për punë sociale duhet të jenë të hapura dhe t’i udhëzojnë viktimat si duhet vepruar. Ka OJQ që i mbështesin gratë viktima të dhunës në të gjitha aspektet, duke filluar nga ai ligjor. Viktimat e dhunës duhet të mbështeten nga të gjithë ne si individë dhe nga shteti, ndërsa dhuna duhet trajtuar si krim sepse ajo vret çdo ditë në heshtje”, përfundoi Kaliqi.

    Në bazë të ligjit në Maqedoni ndalohet çdo lloj dhune ndërmjet anëtarëve të familjes pa dallim gjinie apo moshe. Dhunë në martesë dhe familje nga paragrafi 1 i këtij neni konsiderohet sjellja e anëtarit të familjes që me ushtrimin e forcës, kërcënimit dhe frikësimit bën lëndim trupor, keqpërdorim emocional ose seksual ndaj anëtarit tjetër të familjes. Si dhunë nga paragrafi 2 i këtij neni llogaritet sjellja e bërë e njërit prej bashkëshortëve ndaj bashkëshortit tjetër të cilët jetojnë ose kanë jetuar në bashkësi martesore ose jashtëmartesore, ose në çfarëdo lloj bashkësie si familje ose nëse kanë fëmijë të përbashkët. 

    Lajmi Paraprak

    JETESA NË MAQEDONI SOT PËR NESËR!

    Lajmi i rradhës

    Klubet kulturore, thellojnë ndasinë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë