JETESA NË MAQEDONI SOT PËR NESËR!

    Raporti i fundit periodik i vjeshtës për Ballkanin perëndimor i Bankës Botërore thekson se ekonomitë rajonit, vazhdojnë të ndikohen nga lufta në Ukrainë, rritja e mprehtë e çmimeve të energjisë dhe ngadalësimi i rritjes globale. Përveç shtrëngimit të kushteve të financimit, raporti thekson se rreziqet e një shpërthimi dimëror të KOVID-19 mbeten dhe zinxhirët globalë të furnizimit vazhdojnë të jenë nën trysni. 

    “Në afat të shkurtër, qeveritë duhet t’i japin përparësi mbështetjes së politikave për shtresat vulnerabël, duke siguruar që masat të jenë të synuara dhe të kufizuara kohore për të minimizuar rreziqet fiskale”, nënvizon raporti.

    Për Maqedoninë e Veriut ndër të tjerash thuhet se rikuperimi i tregut të punës është i ngadalshëm përkundër mbështetjes qeveritare. Shkalla e punësimit mbeti në 47.3 për qind ngjashëm si në periudhën e para pandemisë. Edhe pse u ul papunësia në 14.5 për qind, megjithatë papunësia e të rinjve mbetet e lartë me 30.9 për qind përkundër masave aktive në tregun e punës të orientuara për të punësuar të rinjtë.

    Sugjerohet që duke marrë parasysh kapacitetet e kufizuara fiskale me të cilat disponon vendi, apo me vështirësitë për hyrje në borxhe të reja që janë rritur së fundmi për të menaxhuar pasojat negative për ekonominë nga pandemia dhe kriza energjetike, që të rishqyrtohen ndihmat e reja. Me fjalë tjera, raporti thekson se ndihma shtetërore e gjerë në formë të transfereve të drejtpërdrejta nga arka e shtetit, subvencioneve të përkohshme dhe lirimet nga tatimet duhet të rishqyrtohen dhe të orientohen ndaj shpenzimeve që në mënyrë afatgjate do të mbështesin rritjen ekonomike. Njëherësh mbrojtja efikase sociale përgjatë këtij tranzicioni do të jetë kyçe.

    Në ndërkohë, kategoritë më të cenueshme të qytetarëve do të fitojnë ndihmë nga muaji ardhshëm, ku do të përfshihen 180 mijë qytetarë apo dhjetë për qind e popullatës, që do të fitojnë nga 3 mijë denarë në katër muajt e ardhshëm. Të holla do të fitojnë sipas Propozim ligjit për përkrahje financiare, përfituesit e së drejtës për sigurim social, përfituesit e një kompensimi të veçantë, përfituesit e së drejtës për kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar, personat me aftësi të kufizuar dhe ndryshimet e përhershme në gjendjen e tyre shëndetësore të cilët përdorin kompensimin për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër, dhe të mos shfrytëzojnë të drejtën e kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar, pa pasur nevojë për ekzaminim kontrollues, prindërit e vetëm që janë të regjistruar përfitues të ndihmës minimale të garantuar, përfituesit e së drejtës në pension deri në 14.000 denarë, përfituesit e së drejtës për kompensimi i dëmit fizik dhe personave të papunë-përfitues të së drejtës për sigurim material në lloj kompensimi në të holla.

    Në ndërkohë, inflacioni në rritje dhe kriza energjetike, po shtrenjtojnë me të madhe koston e jetesës për qytetarët ku më të goditur janë shtresat e varfra. Vetëm në muajin shtator janë rritur me afër 19 për qind harxhimet mujore për banorët në vend.

    Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se 18 për qind e popullatës jeton në varfëri. Një pjesë e madhe e qytetarëve në ndërkohë jetojnë nga sot për nesër, dhe nuk mund të sigurojnë as nevojat minimale për një jetesë me dinjitet. Ato luftojnë për mbijetesë të përditshme, të ushqehen dhe të sigurojnë ngrohje dhe paguajnë faturat. Nga Platforma kundër varfërisë vlerësojnë se një kohë të gjatë jetohet me masa dhe kjo nuk është as zgjidhje, por as përkrahje. Vlerësojnë se nëse nuk ndërmerren zgjidhje sistematike edhe ata që janë statistikisht nën kufirin e varfërisë do të jenë larg një jete dinjitoze.

    Njohësit e kësaj problematike, thonë se varfëria është një fenomen që kërkon zgjidhje sistemore, për shkak se masa të njëhershme vështirë mund të kemi rezultate më të mira në luftimin e saj.

    Varfëria në vend kërkon zgjidhje dhe politika nga ana e shtetit që të mund të zgjidhin problemet dhe pasojat që i shkakton ajo, thotë Biljana Dukovska, kryetare e Platformës së Maqedonisë kundër varfërisë.

    “Ky është problem që ka më shumë dimensione dhe duhet të përmirësohet me një sërë masash si shërbime, financa dhe sjelljen e popullatës në një pozitë themelore prej nga mund të ecin para, dhe nuk është zgjidhje vetëm sistemi i mbrojtjes sociale që të mund të ketë ndryshime”, thekson ajo.

    Sipas saj, është për tu përshëndetur nisma qeveritare për të ndihmuar kategoritë e prekshme të popullatës, por shton se duhet të rritet shuma ndihmës së garantuar sociale që duhet të ndjekë rritjen e kostos së jetesës dhe pagës minimale. Njëherësh duhet të rritet edhe përfshirja e popullatës me këto masa. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Industria gjermane rrit numrin e punonjësve për të tetin vit radhazi

    Lajmi i rradhës

    Dhuna, si shkak i krizës ekonomike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë