“Dialogu “Zhan Mone” të vazhdojë sa më shpejt që është e mundur”

    Përpjekja për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit me konsensus vlerësohet si pozitive nga ana e ekspertëve, megjithatë, ajo duhet të vazhdojë. Marrëveshjet e arritura nga tre raundet e kaluara të Dialogut “Zhan Mone” duket se kanë rënë në ujë pas ndryshimit të përbërjes së Kuvendit pas zgjedhjeve të vitit 2020, thotë Vlora Reçica nga Institutit për Demorkaci “Societas Civilis”. “Zhan Mone” ngeci me fillimin e pandemisë. Ndërkohë Kuvendi është përballur me sfida si bllokime, mosmbajtje seancash në komisione dhe ngecje të tjera.

    “Është e rëndësishme që të vazhdojë diskutimi për çështje të tjera që kanë mbetur, sidomos diskutimi që ka të bëjë me rolin mbikëqyrës të Kuvendit sepse kemi nevojë për një Kuvend që është më i fortë dhe që do të mund të mbikëqyr punën e ekzekutivit”, deklaroi Vlora Reçica, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

    Instituti i cili ndjek dhe vlerëson punën e ligjvënësit mendon se ndër ndryshimet që duket të sillen, janë seancat e hapura në të cilat qytetarët do të kyçen në mënyrë aktive. Reçica thotë se ndër tjera, rekomandohet edhe zbatimi i kalendarit të punës për ligjvënësin.

    “Kalendari i Kuvendit do t’u mundësonte deputetëve të diskutojnë në kohë për ligjet e caktuara, do t’u mundësonte më shumë kohë për diskutim por edhe qytetarët do të kishin më shumë siguri ligjore sepse do të mund të parashikonin se cilat ligje, kur do të mund të diskutohen në bazë të këtij kalendari”, u shpreh Vlora Reçica, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

    Bashkimi Evropian tashmë disa herë ja ka tërhequr vërejtjen ligjvënësit për procedimin e ligjeve me procedurë të shkurtuar ose edhe për keqpërdorimin e flamurit evropian, edhe për ligje që nuk kanë të bëjnë me rregullativat e BE-së.

    “Kemi nevojë që ta kemi procedurën e shkurtuar por ajo që duhet është që deputetët të mos e keqpërdorin. Kjo mund të rregullohet përmes Kodit etik i cili vetëm se është miratuar në Kuvend”, theksoi Vlora Reçica, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

    Duke filluar që nga viti 2018, në kuadër të Dialogut Zhan Mone ka pasur tre rrethe bisedimesh dhe disa takime interne në Kuvend. Ai është ndërmjetësuar nga tre eurodeputetët Andreas Shider, Marion Valsman dhe Ilhan Kuçuk. Deri tani zbatim ka gjetur reforma për pavarësinë buxhetore të Kuvendit dhe miratimi i Kodit etik të sjelljes.

    Besohet se ka konsensus për kufizimin e kohëzgjatjes së seancës konstituive që të mos përsëriten zhvillimet e vitit 2017, por akoma nuk është inkorporuar në Rregullore. Gjithashtu, partitë janë të një mendimi që të paktën njëri nga nënkryetarët e Kuvendit, me Rregullore, të jetë grua.

    Për Alsat, shumë nga partitë u deklaruar të vendosura që Dialogu do të vazhdojë duke shpresuar që kjo të ndodhë së shpejti. Edhe eurodeputetët dhe zyrat e Bashkimit Evropian në Shkup i nxisin palët të përshpejtojnë procesin. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ahmeti: Partitë politike të mos e politizojnë dhe të mos e elektrizojnë situatën në mes të etnive

    Lajmi i rradhës

    “Kamarja”, tregim nga Dritëro Agolli

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë