Diaspora ka frikë se do të përjashtohet nga proceset politike

    Me regjistrimin e popullsisë në rezident dhe jo rezident po synohet që mërgata të përjashtohet nga  regjistrimi dhe zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, tha mërgimtari Bashkim Iseni, në tribunën e organizuar nga Aleanca për Shqiptarët mbi regjistrimit.

     “Kam drojën se ky bisht që i është lidh regjistrimit të fundit në popullatë rezidente dhe jorezidente fsheh synime tjera ku ndoshta dalëngadalë diaspora do të përjashtohet nga proceset politike”, tha Bashkim Iseni, mërgimtar.

    Edhe për ish-diplomatin Mahi Nesimi janë kontestues numrat e regjistrimit që u publikuan në mars nga Enti i Statistikave. Sipas tij vetëm shifrat e paraqitura më 1 tetor janë valide. Nesimi ngrit dilema për 130 mijë qytetarët e regjistruar pa përkatësi etnike, fetare dhe gjuhësore dhe për numrin e shtuar të banorëve jorezident.

     “Më 30 shtator të vitit të kaluar në ora 24 ka qenë momenti kritik i regjistrimit të popullatës. Të nesërmit u tha se si rezident janë regjistruar kaq dhe u tha se jashtë vendit janë regjistruar 204.805 banorë. Tani shtrohet pyetja atë ditë në orën 24’ a u mbyll faqja e regjistrimit të popullatës jashtë shtetit, po u mbyll. Po atëherë nga dolën këto 55 mijë tjerë, tha Mahi Nesimi, Ish-diplomat.

    Gazetari Naser Selmani vlerësoi se Maqedonia është shtet i kapur andaj nuk mund të ketë regjistrim objektiv.

    “Derisa Maqedonia e Veriut është shtet i kapur, nuk do të ketë regjistrim objektiv. Manipulimet që bëhen përmes regjistrimit janë në funksion të legjitimit të Qeverisjes jodemokratike dhe kriminale në Maqedoni”, tha Naser Selamni, gazetar.

    Kreu i ASh-së, Ziadin Sela tha se si parti i kanë konstatuar të gjitha këto parregullsi në lidhje me regjistrimin, janë munduar të ndërhyjnë me amendamente, por kanë hasur në vesh të shurdhur të Qeverisë.

    “Kemi konstatuar se procesi i regjistrimit nuk është interes qeveritar po interes shtetëror dhe si i tillë duhet të udhëhiqet. Mbledhja e të dhënave dhe dalja e rezultateve duhet të del nga një komision ku do të bëjnë pjesë i gjithë faktori që krijon opinion publik edhe faktori politik aty brenda në mënyrë që të garantohet një proces i besueshëm dhe jo i manipulueshëm nga ana e Qeverisë”, tha Ziadin Sela, Kryetar i Ash-së.

    Por kreu e BDI-së Ali Ahmeti në një intervistë për RTV21 tha nuk duhet pasur dyshime për regjistrimin pasi ai është monitoruar nga Eurostat dhe OKB.

    “Është politizuar tepër, është etnizuar tepër regjistrimi. E kontestojnë të gjithë etnitë, por regjistrimi është organizuar nga institucionet e shtetit, regjistrimi është monitoruar dhe ndihmuar nga Eurostat, nga specialistë të statistikave prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

    Sipas regjistrimit të fundit numri i përgjithshëm i popullsisë në Maqedoni është 2 milionë 97 mijë e 319 persona, ndërsa numri i banorëve rezidentë, përkatësisht numri i atyre që banojnë në vend është 1.836.713 persona. Jorezidentë janë 260.606 persona.

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët reagojnë për rritjen e çmimeve të produkteve më të nevojshme

    Lajmi i rradhës

    A po i kushtëzon Mickoksi partitë shqiptare për 20%?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë