Dibra ballafaqohet me mungesë të personelit mjekësorë

    Institucionet shëndetësore në komunën e Dibrës janë ballafaquar në një pjesë të theksuar me mungesën e kuadrit mjekësor specialistë, pas pensionimit të një pjese të mjekëve. Kjo situatë sidomos ndjehet në Spitalin e Përgjithëshëm të Dibrës, por nëse nuk ndërmerren aktivitete nga Ministria e Shëndetësisë atëherë problemi me mungesën e mjekëve specialist do të thellohet. Këtë vlerësim e japin përfaqësues të institucioneve shëndetësore që veprojnë në nivel lokal në Dibër dhe rajon.

    Para disa kohësh u pensionuan disa mjekë specialistë nga Spitali i Përgjithshëm në Dibër. Disa mjekëve dhe specialist nga Ministria u është shtuar mundësia për të zgjatë vitet e pensionimit. Tani pas pensionimit të specialistit ontorinolaringolog dhe një specialisti internistë, vendet kanë ngelur vakante. Për këtë shkak ka shumë dibran që kanë probleme me hundën, fytin dhe veshët, tani kërkojnë rrugëdalje tek specialistët të Spitalit të Strugës. Por, shumë shpejt mund të ndodh që edhe specialistë të tjerë për shkak të moshës të dalin në pension nga ky institucion shëndetësor. Në bisedën që patëm me drejtoreshën e re të spitalit të përgjithshëm në Dibër Dr. Spec. Sevdie Koxha u informuam se dalja në pension e mjekëve normalisht solli mungesë të mantelbardhëve.

    “Edhe nga Spitali i Dibrës janë pensionuar disa mjekës specialist. Kjo normalisht shkakton probleme. Njëkohësisht duhet të theksoj se në specializim kemi 7 mjekë dhe presim me padurim kthimin në Spitalin tonë”, thotë drejtoresha Koxha.

    Në lidhje me këtë problem biseduam edhe me specialistin pediatër Dr.Arben Agolli i cili ka ordinancën për fëmijë “Pediatria D”. Ai thotë se nëse vazhdojnë pensionimet në moshën 64 vjet dhe nuk mundësohet që vitet e pensionimit të shtohen deri në moshën 67, atëherë në Dibër do të ketë pasoja të mëdha sa i takon sferës së shëndetësisë. Agolli i cili është një specialist i njohur jo vetëm në nivel lokal por edhe më gjerë komenton edhe daljen në pension të disa kolegëve të tij në specializim.

    “Dibra mund të mbetën edhe pa infektolog, pa internist, pa epidemiolog, meqë bëhet fjalë për një gjeneratë e cila është në prag të daljes në pension. Kemi informata se përfaqësues të shoqatave të mjekëve ka takime me Ministrin e Shëndetësisë me qëllim që tu mundësohet mjekëve specialist por edhe mjekëve të tjerë atje ku ka nevojë ata të vazhdojnë angazhimin e tyre. Përndryshe sa i takon Dibrës qytetarët do të ballafaqohen me mungesë të madhe të mjekëve”, thotë Agolli.

    Situata është pak më ndryshe me mjekët Amë në Dibër. Doktoresha Memnune Ushtelenca ka ordinancën private dhe është mjeke Amë. Ajo thotë se ka marr të drejtën që të vazhdoj punën meqë shoqatat e mjekëve Amë në Maqedoni unanimisht është dakorduar me Ministrinë e Shëndetësisë që ata që kanë dëshirë si mjek Amë të vazhdojnë punën, mund ta vazhdojnë”, thotë Dr. Ushtelenca.

    Pensionimi sidomos i mjekëve specialist ka shqetësuar dibranët. Ata janë të revoltuar meqë tani për disa sëmundje janë të detyruar të udhëtojnë nëpër spitalet dhe klinikat e vendit. Mjekët specialist të cilët vite me radhë i dhanë një kontribut shumë të madh Dibrës tani janë në pension. Qëndron fakti se ka 7 mjekë nga Spitali i Dibrës të cilët kanë filluar specializimin në klinikën e Shkupit, por duhet të kalojnë disa vite që ata të përfundojnë specializimin dhe t’i kthehen Dibrës. Në një situatë të këtillë dukshëm shihet se dibranët do të mbeten pa shumë specialistë në vitet në vijim dhe do të jenë të detyruar të kërkojnë ndihmë mjekësore në Spitalet e Strugës, Ohrit dhe Shkupi. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Promovohet libri i Rizvan Sulejmanit “Shqiptaria, miti, filozofia”

    Lajmi i rradhës

    RMV mund të prodhojë energji elektrike vetëm teoritikisht, por jo praktikisht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë