Pushteti lokal në Dibër hapi zyrtarisht Qendrën për diasporë. Kryetari i Dibrës Hekuran Duka për gazetën KOHA tha se hapja e Qendrës ka të bëjë me angazhimin e komunës Dibër që Qendra të jetë në dispozicion për të plotësuar kërkesat të mërgimtarëve dibran të cilët janë të shumtë. Kjo qendër funksionon në kuadër të komunës dhe administratorët komunal janë të angazhuar për të realizuar këtë aktivitet. Hapja e Qendrës është përshëndetur nga mërgimtarët të cilët aktualisht kanë ardhur në Dibër për të kaluar pushimet verore.
Në Dibër për herë të parë hapet Qendra për diasporë e cila është një projekt i mëparshëm qeveritar por që ka qenë i planifikuar edhe nga pushteti vendor i Dibrës. Duke marrë parasysh numrin e madh të mërgimtarëve të cilët janë mbi 20 mijë dhe që sot jetojnë në SHBA dhe shtete të Evropës, aktivitete për hapjen e Qendrës për diasporë ishin të përshëndetur para hapjes së saj. Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka në një prononcim për gazetën KOHA thotë se është një aktivitet i planifikuar nga Qeveria por që pushteti vendor në Dibër ka patur të njëjtën ide vite më parë. “Diaspora dibrane është masive dhe dibranët jetojnë si mërgimtarë në Shtete e Bashkuara të Amerikës, shtete të Unionit Evropian dhe shtet të tjera. Hapja e Qendrës faktikisht mundëson që kërkesat e mërgimtarëve të realizohen shumë shpejt ose atyre tju ndihmohet gjatë realizimit”, thotë kryetari Duka.
Administratorët të cilët janë angazhuar për realizimin e aktiviteteve të Qendrës janë në dispozicion të përditshëm për mërgimtarët tanë të cilët tani kanë ardhur në vendlindje por edhe për mërgimtarët të cilët mund të kërkojnë informata dhe sqarime nëpërmjet veb faqes të komunës, telefonave të komunës dhe nëpërmjet emaileve. Meqë u hap Qendra në fjalë, sipas Dukës atëherë mërgimtarët pikërisht këtu mund të bëjnë edhe pagesat të tatimit të pronës për pasurit e tyre që kanë në vendlindje. Administratorët e komunës janë të gatshëm të ndihmojnë të gjithë kërkesat që i bëjnë mërgimtarët. Qendra u jep informata mërgimtarëve edhe në lidhje me mundësit për investime dhe sferat se ku mund të investojnë ata poashtu këtu mund të merren informata edhe për përkrahjen e diasporës të projekteve të ndryshme komunale por edhe mënyrën e ndihmesave që ata mund t’i bëjnë.
Hapja e Qendrës për diasporë në Dibër ka një domethënie shumë të madhe për mërgimtarët dibran. Përfaqësues të shoqatave qytetare të diasporës dibrane që veprojnë në SHBA dhe disa shtete të Evropës, kanë përshëndetur hapjen e Qendrës për diasporë. Ata potencojnë se hapja e Qendrës për diasporë tani faktikisht mundëson kontakte më të shpeshta dhe efektive për mërgimtarët. Ata besojnë se Qendra do të funksionoj pa ndërprerë jo vetëm për mërgimtarët të cilët arrijnë në vendlindje por me atë do të kenë kontakte edhe mërgimtarët që nuk kanë mundësi të vijnë në vendlindje por që kanë kërkesa të ndryshme. Të theksojmë se personat administrator të cilët janë të angazhuar në këtë qendër, kanë patur trajnime dhe janë të gatshëm që detyrat t’i realizojnë pa probleme.