VERË E NXEHTË POLITIKE! 80 vota ose zgjedhje të parakohshme?

    Përveç kohës së nxehtë në vendin tonë është nxehur edhe skena politike. Deputetët këtë herë do ta reduktojnë edhe pushimin e tyre, pasi propozimi për ndryshime kushtetuese tani më ka hyrë në Kuvend. Kryeparlamentari Talat Xhaferi, ka caktuar fillimin e Komisionit për Çështje Kushtetuese për të martën, më 25 korrik. Ndërsa votimi për Propozimin për aderim në ndryshimin e Kushtetutës me udhëzim për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës të dërguar nga Qeveria më së voni duhet të jetë në seancën e 18 gushtit. Vendimin për ndryshime kushtetuese Qeveria e mori në seancën e 171-të, duke i’u përmbajtur angazhimeve për vazhdimin e rrugës së integrimit evropian të vendit.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski pret që të ketë një debat të frytshëm dhe konstruktiv për amendamentet kushtetuese dhe se do të ketë konsensus ndërpartiak për vazhdimin e integrimeve evropiane të shtetit. “Qeveria përmes tekstit integral të Propozim-iniciativës për ndryshime kushtetuese bëri të ditur se vendimi është miratuar njëzëri dhe është dorëzuar dje në Kuvend. Në përputhje me procedurat e tij, Kuvendi fillimisht do të organizojë punën e Komisionit Kushtetues, pastaj seancë plenare. Meqë është këtu ambasadori evropian, shumë qartë thotë se tani varet nga ne, nga vendimet që do të marrim, si dhe në çfarë mënyre dhe sa shpejt do të vazhdojmë dhe përfundojmë rrugën e integrimeve evropiane”, tha Kovaçevski.

    LSDM dje i ka thirrur të gjithë deputetët, që t’i bashkohen diskutimit në Kuvend dhe t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese. “Të 120 deputetët, si përfaqësues të popullit dhe të zgjedhur nga populli, kanë për obligim që në radhë të parë t’i vënë qytetarët, t’i vënë interesat shtetërore, kombëtare dhe strategjike”, theksoi deputeti Martin Kostovski.

    Profesori Ivan Ilçev, anëtar i komisionit të përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore, nuk beson se do të zbatohen ndryshimet kushtetuese. “Asgjë nuk do të ndodhë, maqedonasit nuk kanë ndërmend të bëjnë ndryshime”. Bullgarët në Kushtetutën e RMV-së u mjegulluan mes 6 kombësive të tjera, që të mos kuptohej se kishte bullgarë. 3.500 veta guxuan të deklaronin se ishin bullgarë. Unë e admiroj guximin e tyre. Unë gjej gabime të mëdha në diplomacinë bullgare dhe ajo vazhdon t’i përmbahet atyre”, tha historiani Ilçev për mediat bullgare.

    Sipas tij, emrat e klubeve bullgare në Maqedoninë e Veriut ishin një gabim dhe qasja ndaj emërtimit ka shkaktuar urrejtje dhe konflikt.

    Sipas Mickoskit, protokolli i nënshkruar dje nga ministri i Jashtëm, Bujar Osmani dhe kolegia e tij bullgare Teodora Gençovska është nokaut diplomatik dhe kapitullim. Kryetari i VMRO-së, nga ana tjetër, përsëriti se amendamentet kushtetuese siç janë nën diktimin bullgar, në mënyrën se si janë dorëzuar në Kuvend, jo vetëm që nuk janë të pranueshme, por Qeveria e komplikon edhe më shumë procesin duke përcaktuar një tekst të amendamenteve kushtetuese që jo vetëm është i papranueshëm, por edhe i paarsyeshëm.

    Sipas Mickoskit, propozimi, ashtu siç është, e kërcënon edhe më shumë pozitën e vendit në kuadër të progresit drejt BE-së. “VMRO-DPMNE ashtu siç është ky proces i paraparë nga Kovaçevski dhe BDI-ja aktuale në Qeveri nuk do ta mbështesë, e si do ta trajtojmë Komisionin dhe në Kuvend do ta përcaktojmë në koordinim me grupin parlamentar”, theksoi Mickoski.

    Kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski, nuk është optimist se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin, gjegjësisht se VMRO-DPMNE opozitare do të ndryshojë qëndrim dhe do t’i votojë ato. Ai është i bindur se VMRO e sheh një shans për të ardhur në pushtet nëse vendi ngecë në procesit të integrimit evropian. Diplomatët e huaj, siç thotë ai, u tregojnë opozitarëve të gjitha pasojat e qëndrimit të tyre, por nuk u bëjnë presion. “Unë jam nga të paktët, në mos i vetmi nga kjo strukturë që jam tani në pushtet, që thotë se sipas deklaratave që vijnë nga opozita në këtë moment, është e qartë se nuk janë dy të tretat. Nuk po them që nuk ka bisedime me deputetë, por me sa shoh nga mediat nuk mund të shoh që të ketë ndryshim humori qoftë edhe te një deputet, i cili pretendon se do të ketë ndryshime kushtetuese. Them se duhet të ketë, është e domosdoshme që të ketë, sepse nëse nuk ka, ne praktikisht mbetemi në një nëngrup të veçantë me Bosnjën dhe Kosovën. Dhe nëse nuk e ndryshojmë Kushtetutën deri më 1 dhjetor, ka mundësi që Shqipëria dhe Mali i Zi të lëvizin shpejt drejt Evropës dhe ne do të bllokohemi”, theksoi presidenti Pendarovski.

    I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një debat për Ballkanin Perëndimor para Nënkomitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, tregoi se Uashingtoni e mbështet procesin për ndryshime kushtetuese që do të mundësojnë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, por se është i angazhuar edhe me qeverinë e re të Bullgarisë për të siguruar që ajo të mos bëjë kërkesa të reja. “Ne e mbështesim fuqimisht këtë hap të vështirë por të domosdoshëm dhe jemi të angazhuar edhe me qeverinë e re të Bullgarisë për të siguruar që ajo të mos bëjë kërkesa të reja pasi Maqedonia t’i përmbushë obligimet e saj nga marrëveshjet ekzistuese”, tha Escobar. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Hidrocentralet po dëmtojnë Malin Sharr

    Lajmi i rradhës

    Dibra bëhet me qendër që do të plotësojë kërkesat e diasporës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë