Mëse dy dekada, në qytetin e Dibrës nuk ka tualet publik. Mungesa e WC publike, shkakton halle tek shumë turistë të vendit dhe të huaj të cilët vizitojnë Dibrën, por poashtu probleme shkakton edhe tek popullata lokale. Kjo situatë u përshkruhet si dobësi pushteteve vendore në 20 vitet e kaluara, meqë edhe pse ka patur mundësi problemi të tejkalohet, si duket mosinteresimi ka lënë qytetin pa tualet publik. Muajin e fundit institucionet lokale kanë vendosur që shumë shpejt komuna të tejkalojë këtë problem dhe qyteti definitivisht të ketë një tualet publik.
Problemi ndoshta është qesharak, por është problem shumë serioz. Kjo mes tjerësh është theksuar në debatin në lidhje me tejkalimin e problemit në nivel të Këshillit të komunës. Debati në momente tek disa nga anëtarët të Këshillit komunal ka shkaktuar edhe sarkazma edhe ironi, por në fund u vendos që nga dy opsionet që prezantoi kryetari i komunës Hekuran Duka, të përcaktohet një projekt me të cilin do të bëhet shumë shpejt sanimi i tualetit publik nëntokësor që është ndërtuar para shumë viteve në parkun e qytetit, por që nuk ka qenë efektiv dhe afro dy dekada është jashtë përdorimit. Objekti gjendet në kuadër të parkut të qytetit, dhe si i tillë besohet se me sanimin e tij do të vihet në funksion. Kryetari i Komunës, Hekuran Duka në debat ka prezantuar dy opsionet për tejkalimin e problemit me tualetin publik.
“Është një variant që të ndërtohet një tulatet publik montazhi dhe të vendoset në afërsi të zyrave ku gjendet shërbimi i inkasantëve i ndërmarrjes komunale ‘Standardi’, ku faktikisht ka qenë edhe lokacioni i parë i tualetit publik në Dibër. Kurse opsioni i dytë është që të behet sanimi komplet i tualetit publik që është ndërtuar vite më parë. Duke marrë parasysh se qyteti patjetër duhet të ketë tualet publik, pushteti vendor definitivisht do ta tejkalojë këtë problem”, tha kryetari i komunës Hekuran Duka.
Sipas tij është një problem shumë serioz që duhet të zgjidhet shumë shpejt.
Në debatin dominuan mendimet se sanimi i tualetit publik që deri tani shumë vite nuk ka funksionuar, të vendoset në funksion. Prandaj u vendos që punimet të fillojnë shumë shpejt, sepse gjatë verës Dibra trefishohet nga mërgimtarët dhe frekuenca e turistëve nga vendi poashtu edhe nga Shqipëria. Aktivitetet e sanimit dhe përdorimit do të koordinohen mes komunës dhe ndërmarrjes komunale. Disa nga anëtarët të këshillit shprehën edhe pesimizëm në lidhje me problemet të cilët mund të dalin gjatë punimeve me kanalizimin fekal të tualetit meqë është ndër tokë si objekt.
Kur jemi tek problemi me mungesën shumëvjeçare të tualetit publik, shumë dibran si edhe turistë shpesh ishin në halle me kryerjen e nevojave fiziologjike. Mosinteresimi për funksionimin e tualetit publik nga ndërmarrja komunale lokale si dhe nga pushteti vendor, ishte një problem i madh edhe për objektet afariste të Dibrës, e sidomos restoranteve dhe kafeterive që gjenden në rrugët kryesore. Besohet se problemi do te tejkalohet shumë shpejt dhe Dibra definitivisht do të ketë tualet publik. /Koha/