Në qytetin e Dibrës, tanimë një kohë të gjatë mund të shihen vetura të vjetra, të cilët kanë dalë jashtë përdorimit, por që vazhdojnë të jenë të pranishme nëpër rrugë, por edhe në oborret e institucioneve lokale, por edhe të njësive të institucioneve qendrore. Është një dukuri e shëmtuar që bie në sy, por edhe shkakton telashe të ndryshme. Derisa këto vetura të vjetra dhe që janë jashtë përdorimet në të shumtën e rasteve shiten për skrap, ka edhe shumë të tilla që kanë qenë në përdorim nga institucionet, por kur kanë dalë jashtë përdorimit – me vite të tëra “zbukurojnë” oborret e institucioneve. Kompetentët thonë se problemi qëndron tek procedurat e gjata për ti shitur ato për skrap. Ka raste kur këto automjete shpesh janë strehë e lypësve.
Për këtë problem, u debatua edhe në seancën e fundit të Këshillit të Komunës Dibër. Madje, edhe në oborrin e Komunës Dibër ka automjete të vjetra të cilët janë jashtë përdorimit.
Në debat u theksua se problemi kryesor për ti dhënë këta vetura për skrap qëndron tek fakti se procedurat janë shumë të gjata. Respektimi i Ligjit në këtë drejtim ka kritere, të cilët zgjasin në disa raste edhe me vite. Para këshilltarëve, kryetari i Këshillit komunal, Fuat Spahiu, i cili para disa kohësh ishte edhe udhëheqës i njësisë së Fondit për Shëndet Publik në Dibër, sqaroi se dukuria është neveritëse. Ai, si njeri i parë i Fondit një kohë të gjatë ka kërkuar nga institucioni qendror që një veturë e llojit “Lada Samara”, e cila ka qenë e vjetër dhe jashtë përdorimit, të jepet për skrap, meqë shkakton probleme në oborrin e Fondit, e cila gjendet në qendër të Dibrës.
“Vetura në fjalë e cila e vjetër dhe jashtë përdorimit, mund të jepet vetëm për skrap, por procedurat kanë qenë shumë të komplikuara. Vetura tani qëndron me vite të tëra në oborrin e fondit”, ka thënë Spahiu para këshilltarëve.
Gazeta Koha ka kontrolluar këtë veturë. Ajo ka qenë plot me rroba të vjetra të cilët i shfrytëzojnë lypësit të cilët këto ditë kanë vërshuar Dibrën meqë kanë arritur mërgimtarët.
Në afërsi të veturës takuam një grua e cila na tha se në këtë veturë mban rrobat për fëmijën e saj 3 vjeçar. Por problemi me veturat e vjetra në Dibër janë të shumtë. Po në të njëjtën seancë të Këshoillit Komunal, udhëheqësi i Sektorit shoqëror pranë Komunës, Maliq Disha, ka potencuar problemet dhe procedurat e gjata ligjore që kërkohen kur duhet që veturat e vjetra të shiten. Vetura të këtilla mund të shihen edhe në rrugët e qytetet, të cilët rrinë të parkuara me muaj dhe vite. Pronarët, banorë të Dibrës, derisa gjejnë blerës të skrapit, i mbajnë këto automjete të parkuara mes tjerësh edhe në rrugët kryesore të qytetit.






