Dibra përballet me numrin e ulët të nxënësve, shkak migrimi

    Në tre shkollat fillore të komunës së Dibrës, si dhe në shkollën e mesme të qytetit, viti i ri shkollor 2025/2026 filloi pa probleme. Këtë e deklaroi kryetari i komunës, Hekuran Duka, i cili gjatë vizitës në shkollat fillore të qytetit “Penestia” dhe “Said Najdeni” u informua nga drejtorët se këtë vit shkollor janë regjistruar gjithsej 130 nxënës të klasës së parë. Ai shtoi se fillimi i vitit të ri shkollor i gjeti objektet shkollore të rregulluara, të pastra dhe me staf arsimor të plotë. Kryetari Duka u uroi nxënësve një vit të mbarë. “Fëmijët e klasës së parë në shkollat komunale e nisën udhëtimin e tyre drejt dijes. Për t’i bërë këto momente edhe më të bukura, komuna dhuroi mjete didaktike që do t’i ndihmojnë në rrugëtimin e tyre shkollor”, u shpreh Duka.

    Drejtori i shkollës më të madhe fillore në Dibër, “Penestia”, Ajet Millarexha, për gazetën KOHA deklaroi se numri i nxënësve të klasës së parë këtë vit është 88, prej të cilëve 64 në paralelet në gjuhën shqipe dhe 24 në gjuhën maqedonase. “Gjatë verës objektet e shkollës kanë pasur një sanim adekuat”, theksoi drejtori Millarexha.

    Ndërkohë, drejtori i Shkollës fillore “Said Najdeni”, Arsim Miftari, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, informoi se deri tani janë regjistruar 35 nxënës në klasën e parë, por pritet që ditët në vijim ky numër të kalojë mbi 40. Në shkollën “Riste Ristevski” të fshatit Kosovrast i Poshtëm, ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase, drejtori Shanija Ajrovski njoftoi se janë regjistruar gjithsej 28 nxënës të klasës së parë. “Migrimi i popullatës nga fshatrat ka ulur dukshëm numrin e nxënësve”, tha Ajrovski, duke shtuar se kjo dukuri është e pranishme edhe në qytet.

    Viti i ri shkollor nisi sot edhe në Shkollën e Mesme Komunale “28 Nëntori” në Dibër, e cila është shkolla e vetme e këtij niveli në komunë. Drejtori i shkollës, Ramadan Imeri, për gazetën KOHA deklaroi se në vitin e parë janë regjistruar afër 130 nxënës, prej të cilëve mbi 90 në paralelet në gjuhën shqipe dhe rreth 40 në ato në gjuhën maqedonase. Ai theksoi se procesi mësimor ka filluar pa probleme.

    Problemi i uljes së numrit të nxënësve mbetet një sfidë serioze për Dibrën dhe rrethinën. Migrimi i vazhdueshëm i popullsisë, veçanërisht nga zonat rurale, ka sjellë një rënie të ndjeshme të numrit të fëmijëve në shkolla. Kjo dukuri është e pranishme prej më shumë se një dekade dhe ka qenë shpesh temë diskutimi në institucione dhe shoqata qytetare, duke u vlerësuar si një nga sfidat më të mëdha për të ardhmen e komunës.

    Lajmi Paraprak

    ERA E TOKËS

    Lajmi i rradhës

    ShBA-ja do stabilitet në Ballkanin Perëndimor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë