Dibra rrezikon të mbetet pa mjek amë!

    Mungesa e mjekëve në Dibër vërehet si në Spitalin e Përgjithshëm ashtu edhe në ordinancat e mjekëve amë. Dukuria është prezente pesë vitet e fundit, por gjatë këtij viti pritet që problem të rritet edhe më shumë, sidomos te puna e mjekëve Amë.

    Në Komunën e Dibrës dhe Qendër Zhupë, sipas përfaqësuesve të Fondit për Shëndetësi, pjesa më e madhe e mjekëve amë është në vitet e pensionimit ose në prag të pensionimit. Kjo po ndodhë në momente kur mungojnë edhe mjekët e rinj. Situata është shqetësuese dhe tani për tani nuk ka një përgjigje në këtë drejtim nga institucionet kompetente se si do të funksionojnë ordinancat e mjekëve amë.

    Për Spitalin e Përgjithshëm në Dibër, deklarata e ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti se mjekët specialistë nga klinikat e Shkupit do të angazhohen edhe në spitale tjera në vend, u prit me besim se specialistët që i mungojnë Dibrës – do mbulohen me kuadro nga Klinikat e Shkupit. Ky vendim është përshëndetur nga drejtoria e Spitalit të Dibrës. Por, një problem i hapur është edhe situata me mjekët amë. Sipas drejtorit të Fondit për Shëndetësi – Njësia në Dibër, Fuat Spahiu, në Dibër dhe Qendër Zhupë janë të angazhuar 13 mjek amë. Ata janë të angazhuar në ordinancat e tyre në qytetin e Dibrës dhe në fshatrat të Dibrës dhe komunës rurale Qendër Zhupë.

    Spahiu potencon se viteve të fundit, paraqitet si problem edhe aktiviteti i një pjese të mjekëve amë. “Disa nga mjekët amë kanë plotësuar kushtet për pension, por me kërkesën e tyre kanë marrë pëlqimin që të vazhdojnë me punë. Janë më së paku pesë mjekë amë të tillë”, tregon Spahiu.

    Por edhe disa mjekë të tjerë amë janë para pensionimit. Duke analizuar këtë problem, mund të thuhet se ka gjasa të paraqiten probleme me ambulancat e mjekëve amë si në Dibër ashtu edhe në Qendër Zhupë. Në bisedën që patëm me disa nga mjekët amë si në qytet ashtu edhe në fshatra, u informuam se me të vërtet shqetëson fakti se pjesa më e madhe e mjekëve janë para pensionimit ose shfrytëzojnë pensionin, por edhe njëkohësisht punojnë.

    Ata thonë se është interesi shumë i ulët edhe i mjekëve të rinj për t’u angazhuar si mjek amë. Edhe ata që përfundojnë studimet, mendimet i kanë drejtë Gjermanisë dhe shteteve të tjera të BE-së. Kjo, sipas tyre, do të thotë se për një kohë shumë të shkurtër, në Dibër dhe Qendër Zhupë do të ulet numri i mjekëve amë dhe ata që do mbeten, do të ngarkohen me numër të madh të pacientëve. Kjo me siguri se do të ulë kualitetin e shërbimeve mjekësore nga mjekët amë, thonë ata. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Uji në Tetovë i pijshëm, problem në vendbanimet rurale

    Lajmi i rradhës

    Verën e presin protesta në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë