Verën e presin protesta në RMV!

    Që vera do jetë e nxehtë për sindikalistët e paralajmërojnë protestat dhe pakënaqësitë e të punësuarve në sektorin publik. Të fundit që shprehën pakënaqësitë e tyre ishin të punësuarit në dogana, DAP, administratorët e gjykatave, pasi më herët kishin protestuar pedagogët, punonjësit e kulturës, e të QSHP-së. Të punësuarit në drejtorinë e Doganave si dhe ata të DAP-it shprehen se nuk duan të punojnë me paga nën mesataren përderisa zyrtarët marrin paga më të larta për 78%, ndërsa kërcënojnë edhe me mbyllje të kufijve e me mos-pagesë të pagave për të punësuarit e tjerë në vend. Kërkesat e tilla në mënyrë të veçantë u shtuan pas rritjes prej 78% të pagave të zyrtarëve. Kështu, pagat e presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit arritën në 2.600 euro, ndërsa ato të ministrave rreth 2.000 euro në muaj. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese paga më të larta morën 1060 zyrtarë, paga këto për të cilat deri në fund të vitit nga buxheti i shtetit do të shpenzohen mbi 15 milion euro shtesë.

    Nga ana tjetër, të dhënat e LSM-së tregojnë se më shumë se 96% e të punësuarve në administratë dhe gjyqësor marrin paga nën mesataren e cila është rreth 570 euro. Ndonëse zyrtarët paralajmëruan rishikim të dispozitave e cila ju mundëson rritje drastike të pagës, akoma nuk ka një gjë të tillë, ndërsa derisa marrin paga më të larta për gati 80%, ata njoftuan se për punonjësit e sektorit publik do të kërkohet zgjidhje sistematike dhe jo zgjidhje individuale, por që sipas tyre edhe nëse bien dakord do të duhet të kalojë kohë që të mund të zbatohet ajo që është miratuar.

    “Ajo që do të bihet dakord me sindikatat do të zbatohet për të gjithë punonjësit e sektorit publik, një zgjidhje sistematike e cila do të garantojë statusin dhe standardin e punonjësve në sektorin publik, si dhe njëkohësisht do të monitorojë produktivitetin e ekonomisë tonë”, u shpreh ministri i Ekonomisë Fatmir Besimi.

    Me këto pakënaqësi të punësuarve në sektorin publik ka filluar të realizohet njoftimi i LSM-së se vendin e pret verë e nxehtë sindikaliste. Më 13 qershor, të punësuarit e DAP-it protestuan para Ministrisë së Financave duke kërkuar rritje të pagave prej 30%. Nga sindikata e DAP thonë se në 14 vitet e fundit pagat e punonjësve janë përshtatur me vetëm 5%, derisa në 4 vitet e fundit nuk kanë pasur aspak rritje.

    “Nëse arrihet tek forma më të mëdha të protestës, duhet të jemi të vetëdijshëm se rrezikohen funksionet më vitale të shoqërisë, dhe nuk duam që kjo të ndodhë”, thotë Vase Nedanovski nga sindikata e DAP.

    Nëse DAP nuk funksionon, pjesa tjetër e të punësuarve në vend nuk do mund të marrin rroga. Edhe pse kanë kërkuar takim me ministrin e Financave, ai nuk i ka pranuar, ndërsa ata njoftuan se nga 15 qershori DAP nuk do të kryejë punën e saj për dy orë në ditë derisa po përgatiten për një grevë më të madhe.

    Në protestë nga 13 qershori janë mbledhur edhe të punësuarit e administratës gjyqësore, të cilët kërkojnë t’u paguhet shtesa e pagave të cilën siç thonë nga atje, nuk e kanë marrë prej muajsh. Paga më të larta për 78%  prej muajit prill marrin edhe gjykatësit dhe prokurorët.

    “Duke qenë se për zyrtarët ka paga evropiane, të njëjtën gjë duam edhe ne”, thonë nga administrata e gjykatave. “90% e punonjësve në shërbimit gjyqësor janë në kufijtë e ekzistencës. Paga mesatare që ju paguhet është 25.000 denarë, ndërsa shporta minimale për një familje me 4 anëtar në muajin maj ka arritur në 50.000 denarë”, potencoi Renata Gjeorgievska, nënkryetare e SHAGJ-së. Ndërsa protesta paralajmëruese gjysmë orëshe (12:00-12:30) çdo ditë do të ketë edhe në Drejtorinë Doganore, me kërkesë që t’u paguhet pagë shtesë prej 30%, e cila siç u shprehen ata, ju takon në bazë të Ligjit për Kontratë Kolektive.

    “Prandaj vendosëm të bëjmë një protestë paralajmëruese, të kërkojmë pagesën shtesë për punonjësit e drejtorisë doganore, të cilët e mbushin buxhetin me mbi 51% për çdo vit”, tha kryetari i sindikatës së SPOGJ-it, Trpe Deanoski.

    Ata gjithashtu njoftuan se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, protestat do të radikalizohen, pra do ketë mbyllje të kufijve. Gjatë muajit të kaluar edhe punonjësit e QSHP-së hyn në grevë për paga më të larta, por e ndërprenë për shkak të organizimit të maturës shtetërore. QSHP e cila është përgjegjëse për të gjitha testimet dhe trajnimet shtetërore, u ankua se kanë paga nën mesataren dhe më shumë se 1/3 e punonjësve kanë paga minimale. Në protestë në fund të majit edhe Sindikata e Punëtorëve të Arsimit tha se shumë punëtorë marrin pothuajse dy herë më pak se paga minimale e përcaktuar me ligj.

    Nga atje njoftuan se edukatoret të cilat kishin një fond të vogël të orëve mësimore kanë paga 200 euro, që është shumë më e ulët se paga minimale. Protesta për rritjen e pagave në muajt e kaluar ka pasur edhe nga të punësuarit në Ministrinë e Kulturës, punonjësit e arsimit të lartë, e në përgjithësi shkaku ka qenë pothuajse i njëjtë, për rritjen e pagave. Mendim se pensionet dhe pagat e ulëta janë problemi kryesor me të cilin po përballet vendi aktualisht sipas një sondazhi të fundit të kryer nga NDI kanë shprehur edhe një numër i madh i qytetarëve.

    Anketa e publikuar më 6 qershor tregon se mbi 27% e qytetarëve e konsiderojnë se standardi i jetës është problem kryesor në vend. Për 22.9% problemi më i madh është krimi dhe korrupsioni, ndërsa 13.3% problemin e shohin tek rritja e çmimeve dhe inflacioni. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dibra rrezikon të mbetet pa mjek amë!

    Lajmi i rradhës

    Plani për ndryshimet kushtetuese: SY MË SY ME SECILIN DEPUTET!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë