Edhe gjatë këtij muaji të Ramazanit ndihma të shumta humanitare arrijnë në Dibër dhe fshatrat e saj. Janë ndihma të shoqatave, grupeve dhe individëve nga shumë shtete ku jetojnë mërgimtarët dibran e që u dedikohen familjeve me probleme sociale, por jo vetëm në vendlindje. Ndihmat kryesisht janë në produkte ushqimore, por edhe në para. Bëhet fjalë për një aktivitet humanitar i cili veçmas paraqitet kur është muaji i agjërimit, si dhe në prag të festës së Bajramit. Këto ndihma shpërndahen nga shoqatat qytetare që veprojnë në Dibër, grupe të vetorganizuara, individë, por edhe nga kuzhinat popullore private. Organizatorët thonë se nuk guxon askush për Ramazan dhe Bajram të mbetet pa ndihmë.
Një nga shoqatat më aktive humanitare në Dibër është “Drita”, e cila edhe këtë Ramazan ka aktivitete të shumta humanitare. Kjo shoqatë vepron gjatë gjithë vitit, por gjatë këtij muaji të bekuar është shumë e angazhuar.
“Më aktivistët vullnetarë të shoqatës edhe këtë Ramazan disa herë kemi bërë ndarjen e ndihmave humanitare. Janë ndihma në ushqime, të cilët u dedikohen skamnorëve. Dibra dhe fshatrat kanë shumë familje në nevojë dhe të gjithë ata marrin përkrahje me ushqime. Aktivitetet tona janë me një dinamikë të përforcuar dhe mundohemi që askënd të mos e lëmë anash”, thotë për gazetën KOHA kryetari i shoqatës “Drita”, Nertil Osmani. Donatorët tanë, thotë ai, janë të shumtë dhe ata gjithmonë duan të mbeten anonim.
“Besoj se duhet të kemi një koordinim më të mirë me shoqatat e tjera me qëllim që ndihmat të mos përfundojnë në adresa të njëjta”, potencon përfaqësuesi i shoqatës “Drita”. Edhe këtë Ramazan, shumë ndihma ndanë edhe mërgimtarët e njohur dibran – biznesmenët e njohur në Amerikë, Arti dhe Kujtim Seferi. Grupi i tyre vullnetarë në Dibër tani më disa ditë ndan pako me ushqime për muajin e shenjtë të Ramazanit. Edhe shoqatat e tjera janë në terren. Ata kanë shpërndarë ndihma në ushqime edhe në fshatrat e Dibrës. Në disa kompani tregtare lokale, po ashtu ndahen pako me ushqime. Ato thonë se kanë pranuar para nga humanistë nga diaspora dhe kanë lista ku ndahen pakot.
Aktivitete të shuma humanitare kanë edhe disa kuzhina popullore, të cilët ndajnë ushqim të gatshëm dhe të freskët për familjet në nevojë. Përveç kuzhinës popullore, një aktivitet këtë Ramazan ka edhe kuzhina e familjes Ceku. Këtu na thonë se ndajnë për çdo ditë mbi 70 iftare për familje në nevojë. Sipas tyre, ata kanë marrë ndihma në para nga dibranë në diasporë, e veçmas nga familjarë me të cilët pastaj përgatiten iftaret. Po ashtu nëpër qytet shpesh takojmë edhe individë të cilët ndajnë ndihma. Shumë grupe dhe individë nga diaspora e veçmas nga SHBA, Italia, Gjermania, Zvicra dhe shtetet e Beneluksit kanë dërguar para të cilët i jepen familjeve në nevojë. Dhe si zakonisht, edhe këtë vit ndahen ushqime edhe nga Myftinia e Dibrës. /Koha/