Diku më pak e diku më shumë, nis rebalanci i buxhetit

    Shteti do të duhet të bëjë një ndarje të re të fondeve ku diku do të shkurtohen dhe diku do të rriten shpenzimet. Si zakonisht rishikimi i buxhetit vjen kur shpenzimet e planifikuara ndryshojnë nga buxheti origjinal lidhur me planifikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të shtetit. Me fjalë tjera, presionet e çmimeve në vend janë më të forta se sa ishin parashikuar fillimisht apo inflacioni do të jetë më i lartë seç parashikohej. Gjithashtu, faktorët e jashtëm e ndërlikojnë më tej pamjen ekonomike. Tensionet e vazhdueshme gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe lufta në Ukrainë po krijojnë paqëndrueshmëri në tregjet e energjisë, me një ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e naftës. Analistët ekonomikë paralajmërojnë se çdo rritje e re e çmimeve të energjisë ndikon në transport, prodhim dhe në fund të fundit, në çmimin përfundimtar që paguajnë qytetarët. Njëherësh, qeveria ka dalë me parashikime të reja, më të dobëta për ekonominë vendase. Sipas dokumentit të ri të strategjisë fiskale që ka mbërritur tashmë në parlament, në vend të 3.8 për qind të parashikuar fillimisht, ekonomia vendase pritet të arrijë një rritje prej 3.5 për qind këtë vit. Parashikohet edhe inflacion prej 4.5 në vend 2.5 për qind këtë vit.

    Edhe pse deri në fund të tremujorit të parë një përqindje e madhe e deficitit buxhetor të planifikuar për këtë vit është përmbushur dhe mbeten edhe mbi 200 milionë euro për t’u shpenzuar, deri në fund të vitit 2026, ku në katër muajt e parë janë harxhuar 470 milion euro apo mbi 70 për qind e deficitit buxhetor për 2026-ën.

    Kësaj jave, Ministria e Financave filloi takimet me ministritë për të rishikuar arkën e shtetit. Buxheti i rishikuar do të përgatitet në përputhje me kuadrin fiskal afatmesëm dhe prioritetet strategjike të qeverisë – financat publike të qëndrueshme, konsolidimin fiskal, zhvillimin e infrastrukturës, tranzicionin energjetik dhe një standard më të mirë jetese për qytetarët. Nga ky dikaster thonë se qytetarët duhet të jenë të qetë se Buxheti është likuid, të gjitha detyrimet po shërbehen, pagat dhe pensionet po paguhen rregullisht dhe detyrimet ndaj ekonomisë po përmbushen.

    Në këtë kontekst, artikujt që kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe që po zbatohen sipas dinamikës së planifikuar, veçanërisht investimet kapitale, si dhe masat për mbështetjen e qytetarëve që synojnë përmirësimin e standardit të jetesës, nuk do të preken, thekson numri një i dikasterit Gordana Dimitrieska-Koçoska. “Në një kohë pasigurie serioze globale, të shkaktuar nga zhvillimet gjeopolitike dhe lufta në Lindjen e Mesme, të gjitha ekonomitë – përfshirë edhe Maqedoninë – po përballen me sfida që lidhen me rrjedhat e energjisë, inflacionin dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike globale. Prandaj, ne mbetemi të përkushtuar ndaj menaxhimit të përgjegjshëm dhe të disiplinuar të financave publike, me një fokus të qartë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, mbështetjen e rritjes ekonomike dhe realizimin e investimeve kapitale”, thotë Dimitrieska-Koçoska në një postim në Facebook.

    Ajo thekson se do të vazhdojë planifikimi i kujdesshëm dhe politikat e përgjegjshme që do të sigurojnë stabilitet, qëndrueshmëri dhe zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë maqedonase. “Fokusi ynë mbetet në mbrojtjen e standardeve të jetesës së qytetarëve përmes masave të hartuara me kujdes, financave publike të qëndrueshme dhe politikave që do të ofrojnë mbështetje për ekonominë në kushtet e pasigurisë globale”, thekson ministrja e financave, Dimitrieska-Koçoska.

    Njëherësh, rishikimi i buxhetit do të mbetet brenda kuadrit fiskal afatmesëm të përcaktuar nga Strategjia Fiskale për periudhën 2027-2031. Elementet kryesore të strategjisë 2027-2031 janë Ulja e deficitit: Ulja graduale e parashikuar e deficitit buxhetor: 3.5 për qind e PBB-së në vitin 2027, 3 për qind në vitin 2028 dhe një ulje e mëtejshme në 2.8 për qind. Reformat dhe investimet: Fokusimi në reformat strukturore, disiplinën e shpenzimeve dhe mbështetjen për projektet e rritjes ekonomike. Menaxhimi i borxhit publik: Qëllimi është qëndrueshmëria e borxhit publik nëpërmjet menaxhimit të kujdesshëm, në përputhje me rregullat ligjore fiskale. Prioritetet sektoriale: Strategjia përcakton drejtimet afatmesme për të gjithë përdoruesit e buxhetit. /KOHA/

    Lajmi Paraprak

    Supremja e shfuqizon një udhëzim që detyronte shoqëruesit e pacientëve në QKUK të paguanin tarifë

    Lajmi i rradhës

    Tkurrje e fortë e ndërtimtarisë jashtë kufijve në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë