Dikur, në Dibër, çdo lagje ishte e mbushur me zëra fëmijësh, me të qeshura dhe gjallëri që zgjaste deri në orët e vona të pasdites. Rrugicat, oborret dhe hapësirat e përbashkëta ishin shndërruar në terrene lojërash, ku fëmijët kalonin pjesën më të madhe të kohës së lirë. Lojërat tradicionale si “kukafsheh”, “lastiku”, “ndjekja”, “guralecat”, “kapërcimi i litarit” apo lojërat me top ishin pjesë e pandashme e fëmijërisë së shumë brezave. Përmes tyre, fëmijët jo vetëm argëtoheshin, por mësonin të krijonin miqësi dhe të zhvillonin aftësi të ndryshme fizike dhe sociale. Këto lojëra kishin ndikim edhe në shëndetin e tyre.
Sot, kjo pamje po bëhet gjithnjë e më e rrallë. Me zhvillimin e teknologjisë dhe përhapjen e telefonave inteligjentë, tabletëve dhe lojërave elektronike, mënyra se si fëmijët e kalojnë kohën e lirë ka ndryshuar ndjeshëm. Në shumë lagje, vendet ku dikur dëgjoheshin zhurma dhe gjallëri, tashmë mbizotërohen nga qetësia.
Fëmijët preferojnë të qëndrojnë në shtëpi, të përqendruar para ekraneve, duke luajtur lojëra virtuale apo duke kaluar kohë në rrjete sociale. Sipas mjekut pediatër Ylber Kokale, kjo jo vetëm që dëmton sytë, por mund të ndikojë edhe në deformime nga qëndrimi i tepërt, si dhe të shkaktojë obezitet tek një pjesë e tyre.
Arsimtari i edukatës fizike, Ujkan Jani, i cili edhe gjatë verës organizon not për fëmijët, thotë se mungesa e aktiviteteve fizike tek fëmijët do të ketë pasoja të shumta në zhvillimin e tyre. “Mungesa e aktivitetit fizik dhe lojës në natyrë mund të ketë pasoja të shumta në zhvillimin e fëmijëve. Lojërat tradicionale ndihmonin në forcimin e shëndetit fizik, në zhvillimin e koordinimit dhe në rritjen e aftësive sociale. Fëmijët mësonin të ndanin përgjegjësi, të respektonin rregullat dhe të ndërtonin marrëdhënie shoqërore. Në anën tjetër, përdorimi i tepruar i telefonave dhe pajisjeve elektronike mund të sjellë probleme me shikimin, mungesë aktiviteti fizik, si dhe izolim social”, thekson Jani.
Prindërit shpesh përballen me fëmijë të izoluar dhe të vetmuar, me telefonët në dorë. Shumë prej tyre pranojnë se telefonat dhe pajisjet elektronike janë bërë një mënyrë e lehtë për t’i mbajtur fëmijët të angazhuar, por njëkohësisht janë të vetëdijshëm për ndikimet negative që mund të sjellë përdorimi i pakontrolluar.
Ardit N., prind i dy fëmijëve të moshës 8 dhe 4 vjeç, thotë: “U kemi vendosur fëmijëve kufizime të qarta për kohën para ekranit, me qëllim që t’i nxisim të merren me aktivitete sportive dhe lojëra në natyrë.”
Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim kanë edhe shkollat dhe komuniteti. Organizimi i aktiviteteve sportive, rikthimi i lojërave tradicionale në oborret e shkollave dhe krijimi i hapësirave të sigurta për lojë mund të ndikojnë në rikthimin e frymës së lojës kolektive. Po ashtu, organizimi i aktiviteteve kulturore dhe sportive në lagje mund të shërbejë si një mënyrë për t’i afruar fëmijët dhe për të ringjallur traditat e dikurshme.
Sociologët theksojnë se lojërat tradicionale janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe bartin vlera të rëndësishme edukative. Përmes tyre, brezat e rinj mund të mësojnë për bashkëpunimin, solidaritetin dhe rëndësinë e aktivitetit fizik. Ruajtja dhe promovimi i këtyre lojërave nuk është vetëm një mënyrë për të rikujtuar të kaluarën, por edhe një hap drejt krijimit të një fëmijërie më të shëndetshme dhe më aktive. Megjithëse teknologjia ka sjellë përparime të mëdha dhe është bërë pjesë e pandashme e jetës moderne, rikthimi i lojërave tradicionale do të ndihmonte jo vetëm në zhvillimin fizik dhe social të fëmijëve, por edhe në krijimin e kujtimeve të bukura që do t’i shoqërojnë gjatë gjithë jetës. /Koha/






