Dilema e tregtarëve në veri: T’i paguajnë taksat a t’i mbyllin bizneset

    Jovica nga Leposaviqi është vetëm njëri nga tregtarët që po i mbyllin dyqanet e tyre në këtë komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Arsyeja lidhet kryesisht me biznesin ilegal, i cili prej vitesh u tolerua në këtë zonë.

    “Tani më duhet ta regjistroj dyqanin, më duhet t’i paguaj taksat. Unë besoj se kjo duhet, por blerja e plastikës nuk është prioritet për njerëzit në këtë vend. Do të më duhet ta mbyll. E shihni edhe vetë se po hedh gjëra nga dyqani”, thotë Jovica për Radion Evropa e Lirë.

    Ai filloi të shesë produkte plastike rreth shtatë vjet më parë dhe pranon se, gjatë gjithë kohës, ka punuar “në të zezë” – as nuk e ka regjistruar dyqanin, as nuk ka paguar taksa apo kontribute.

    Ai thotë se vendosi të merrej me këtë mini-biznes, sepse as ai dhe as bashkëshortja e tij nuk mund të gjenin punë, dhe shton se viteve të fundit kanë jetuar nga ky dyqan.

    “Është normale të paguash taksa”

    Jovica thotë se, në të ardhmen, do të përpiqet ta regjistrojë biznesin dhe të shohë nëse do të jetë fitimprurës, pas pagesës së taksave dhe detyrimeve të tjera.

    Sipas tij, tregtarët në veri kanë filluar t’i regjistrojnë bizneset, sepse e kanë kuptuar se nuk do të mund të punojnë më ilegalisht.

    “Është normale të paguash taksa”, thotë ai.

    Në Leposaviq janë mbyllur disa dyqane me mallra të ndryshme, por pronarët e tyre nuk pranuan të flisnin publikisht.

    REL-i ka informacione se disa prej tyre do të rihapen kur të regjistrohen si biznese, ndërsa të tjerë kanë vendosur të ndalojnë së bëri biznes përgjithmonë.

    Një dyqan i mbyllur në Leposaviq.
    Një dyqan i mbyllur në Leposaviq.

    Bizneset e paligjshme nuk do të tolerohen më

    Për të bërë biznes legal në Kosovë, kompania duhet të regjistrohet përmes Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Muajve të fundit, policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës, ka kryer disa bastisje të depove apo dyqaneve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – pasi ka marrë informacione se ato funksionojnë ilegalisht.

    Një nga aksionet e fundit është kryer më 22 janar në Zveçan, ku është bastisur një depo.

    Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, u rekomandon tregtarëve që t’i regjistrojnë bizneset e tyre.

    “Të mos kemi së paku probleme me regjistrimin e bizneseve, me taksat”, thotë Elshani për Radion Evropa e Lirë.

    Nëse vërtetohen dyshimet për biznes të paligjshëm, Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Administratën Tatimore, e konfiskon gjithë mallin, shpjegon Elshani.

    Ai nuk mund të specifikojë se sa biznese janë mbyllur për shkak të veprimtarisë së paligjshme dhe thotë se vendimin për këtë e marrin Dogana dhe Administrata Tatimore.

    Këto dy institucione nuk iu përgjigjën interesimit të REL-it për komente.

    Bazuar në një hulumtim të Institutit Kosovar për Studime të Avancuara – GAP, në Kosovë ishin rreth 97 mijë biznese aktive në mars të vitit 2023. Prej tyre, 5.253 ishin në pronësi të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, nga të cilat 30% në pronësi të komunitetit serb.

    Biznesmeni nga Mitrovica e Veriut, Dushan Gashiq, thotë se shumica e bizneseve në veri janë të regjistruara sipas sistemit të Kosovës, ndërsa bastisjet bëhen për mallrat me origjinë nga Serbia.

    Në mes të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ndaloi importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye sigurie, përkatësisht pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga policia e Serbisë.

    Edhe pse policët, ndërkohë, u liruan, vendimi për ndalimin e importit të mallrave serbe mbeti në fuqi.

    “Derisa të zgjidhet ai problem [rreth importit të mallrave nga Serbia], mendoj se do të kemi gjithnjë e më shumë mbyllje të dyqaneve dhe bizneseve”, thotë Gashiq.

    “Biznesi i paligjshëm është pasojë e politizimit të veriut”

    Radio Evropa e Lirë pyeti Administratën Tatimore të Kosovës nëse e di se sa biznese në veri nuk i kanë shlyer obligimet tatimore dhe sa ka humbur Kosova për shkak të biznesit ilegal në atë pjesë me vite të tëra, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, ekonomisti Safet Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se biznesi i paligjshëm në veri të Kosovës është trajtuar si “çështje politike”, sepse Kosova është përballur me problemin e shtrirjes së autoritetit në atë pjesë.

    Ai thotë se Kosova ka pësuar humbje për shkak të kësaj situate, por se qytetarët në veri duhet “të njoftohen gradualisht me ligjin”.

    “Njerëzit në veri duhet të njoftohen se cilat janë procedurat [për legalizimin e biznesit], t’u shpjegohet se mund të përfitojnë më shumë nga ligjshmëria sesa rreziku i përfshirjes në ekonomi joformale. Ata njerëz që e regjistrojnë një biznes të ri, duhet të ndjejnë se do të kenë mbështetje dhe rezultate”, thotë Gërxhaliu.

    Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, thotë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj në veri të Kosovës, si dhe ta integrojë atë pjesë në sistemin e Kosovës, duke i shuar institucionet paralele serbe.

    Rritja e çmimeve si rezultat i mbylljes së dyqaneve

    Për shkak të mbylljes gjithnjë e më të shpeshtë të dyqaneve në komunën e Leposaviqit, ka pasur rritje të çmimeve, sidomos të produkteve ushqimore.

    Për shembull, qumështi ose kosi në Leposaviq është rreth 100 dinarë ose rreth 80 centë më i shtrenjtë se në Rashkë, prandaj banorët e komunës së Leposaviqit shkojnë në këtë qytet kufitar të Serbisë – rreth 30 kilometra larg – për më shumë blerje.

    Një prej tyre është edhe Marija.

    “Disa, konkretisht unë, furnizohen me produkte nga Serbia në baza javore. Kam vërejtur një ndryshim të madh në çmime mes Leposaviqit dhe Serbisë”, thotë ajo.

    Edhe Stevani thotë se në Leposaviq janë shtrenjtuar produktet elementare.

    “E kemi afër Rashkën, shpesh shkojmë të blejmë ushqime, çfarë të mundemi”, thotë ai.

    Gashiq konfirmon, po ashtu, se qytetarët nga veriu blejnë gjithnjë e më shumë ushqime në qytetet e Serbisë.

    Por, ai përmend si arsye mungesën e mallrave nga Serbia, për shkak të ndalimit të importit.

    “Njerëzit janë mësuar me ato produkte dhe nëse nuk janë në dyqan, ata do ta presin të shtunën ose të dielën për të shkuar në Novi Pazar ose Rashkë, për të blerë çka u nevojitet për atë javë”, thotë Gashiq.

    Në fund të dhjetorit të vitit 2023, biznesmenë nga veriu i Kosovës nisën një peticion, me të cilin kërkojnë shfuqizimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.

    Nënshkrimet e mbledhura të biznesmenëve dhe qytetarëve duhet t’u dorëzohen institucioneve kompetente të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar në një periudhë të ardhshme. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Parlamenti turk miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO

    Lajmi i rradhës

    Çfarë është “Sëmundja X” dhe pse po nxit debate?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë