DILEMAT E TË RINJVE | Arsim të mesëm të përgjithshëm apo atë profesional?

    Një nga hapat më të rëndësishëm që duhet të bëjnë të rinjtë është përzgjedhja e profesionit. Këtë në fakt, pak a shumë e definon përzgjedhja e arsimit të mesëm ku të rinjtë marrin një rrjedhë drejt profilit të cilin do të donin ta zgjidhnin si profesionin e tyre të së ardhmës. Për dallim nga vitet paraprake, sivjet semimaturantët zgjodhën arsimin profesional në vend të atij të përgjithshëm dhe si duket, apelet e biznesmenëve dhe politikanëve kanë dhënë fryte.

    Sipas konkursit për regjistrimin e nxënësve në shkollat ​​e mesme, për vitin akademik 2022-2023 në vend janë regjistruar gjithsej 17.332 nxënës në shkolla të mesme, prej të cilëve 5436 zgjodhën gjimnazin ndërsa 11.896 nxënës u regjistruan në shkolla profesionale. Interes më të theksuar vërejmë në shkollat e mesme medicinale, ku 614 nxënës u regjistruan në SHMMQSH “Pançe Karagjozov” në Shkup, 565 nxënës u regjistruan në SHMKM “Nikolla Shtejn” në Tetovë, 407 nxënës u regjistruan në SHMTK “Nace Bugjoni” në Kumanovë, ndërsa drejtimet e tjera me më së shumti regjistrime ishin edhe SHMQSH „Marija Kiri Skllodovska” në Shkup dhe SHMK „Niko Nestor“ në Strugë. Sa i përket gjimnazeve, më së shumti të regjistruar pati SHMTK “Gostivar” në Gostivar me 297 regjistrime të reja.

    Aktualisht shkollat ​​e mesme ofrojnë këto profesione: automobilistikë, ekonomi, elektro-teknikë, gjeologji – miniera, ndërtimtari – gjeodezi, grafikë, kimiko – teknologji, shërbime personale, shkolla mekanike, trafiku, pylltari – përpunimi druri, teknikë projektimi, tekstile – lëkure, hotelierike – turistike, mjeksi dhe bujqësi – veterinari.

    Në një bisedë me redaksinë tonë, aktivisti rinor Eren Ali, tha se nga vetë përvoja e tij personale ai porosit nxënësit të zgjedhin drejtimet profesionale, ngase ato hapin më shumë mundësi punësimi në të ardhmën.

    “Dilema më e madhe e filloristëve është se ku duhet të orientohen për shkollim të mesëm dhe çfarë profesioni duhen të zgjedhin më pas. Dëshirat dhe ëndërrat shpeshëherë nuk korrespodojnë me tregun e punës, apo mundesitë që t’i ofron ai profesion në të ardhmen. Shkollimi profesional u mundëson nxënësve të jenë të profilizuar në një fushë dhe të thellohen mire në të”, tha Ali.

    Ai gjithashtu shtoi se shkollimi i mesëm profesional mund të dhurojë ngecje në diapazonin më të gjërë të diturisë, shkaku i profilizimit të hershëm.

    “Si disavantazh i shkollës profesionale është fakti që horizonti i nxënësit është më i kufizuar për sa i përket lëndëve tjera, por kjo shton një dozë përgjegjësie për nxënësin që të edukohet dhe të jetë në takt me librat jashtë fushës”, përmbylli aktivisti rinorë, Eren Ali.

    Aktualisht, punëtorët më të kërkuar janë në industrinë e prodhimit, tregtisë dhe ndërtimit, dhe profesionet më të kërkuara janë shitës, punëtorëi i fabrikës dhe punëtorëi i përgjithshëm. Hulumtimet e Agjencisë së Punësimit tregojnë se në vend ka mungesë kronike të stafit të kualifikuar në disa aktivitete. Ata me arsim të lartë kërkojnë: programues, informatikë, inxhinierë ndërtimi, arkitektë, inxhinierë mekanikë, inxhinierë elektrikë, teknologë, farmacistë, grafistë. Analiza e Agjencisë së Punësimit tregon se punëtorët me arsim të mesëm janë më të kërkuarit në tregun e punës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dënim deri në 10 mijë euro për mosrespektim të çmimeve të ngrira

    Lajmi i rradhës

    NUK FITOHET 100 EURO NGA DY HEKTARË! Edhe sivjet do të importojmë grurë dhe miell

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë