NUK FITOHET 100 EURO NGA DY HEKTARË! Edhe sivjet do të importojmë grurë dhe miell

    Maqedonia e Veriut në dhjetë vitet e kaluara po shënon ulje të prodhimtarisë së grurit. Nga viti rekord i prodhimit prej 306.433 ton në 2016-ën, po shënohen ulje dhe luhatje të mëdha me nga 200 mijë ton në vitin 2015 dhe 2017, dhe 287.954 ton në vitin 2014. Mesatarja e prodhimit në vitet 2018 -2021 ka qenë afër 240 mijë ton grurë në vit për të arritur në 255 mijë ton në vitin e kaluar. Gjithsesi, sido që të jenë rendimentet, vendi një pjesë e mirë e nevojave për drithëra të bukës do të duhet të importohet edhe këtë vit, sepse në 6-7 vitet e fundit nuk po prodhon nevojat mesatare vjetore prej 300 mijë ton grurë. Njëherësh edhe një pjesë e sasive vendore të prodhimtarisë së grurit nuk përdoret për ushqimin e njerëzve, por për ushqimin e kafshëve. Kjo do të thotë se në vit importohen 100 mijë ton grurë dhe 40 deri në 50 mijë ton miell.

    Ekspertët e bujqësisë thonë se një problem më vete për sigurimin më të madh të bukës nga prodhimtaria vendore është edhe fakti se Maqedonia e Veriut është e parafundit në Evropë për rendimentet e grurit dhe ndër të fundit për rendimentin e misrit. Kjo vjen si rezultat i potencialit ekologjik dhe kapacitetit të kufizuar, thotë profesori I bujqësisë, Ordan Çukaliev. Sipas tij, vendi mund të prodhojë lloje të tjera të prodhimeve bujqësore me vlerë më të lartë. “Njëherësh kemi probleme me vaditjen , tokat jopjellore, dhe klimën shumë të ngrohtë, andaj edhe po ulen rendimentet e grurit. Për shembull me rritjen e temperaturës do të ulet edhe aktivitetit i foto sintezës së bimës”, shton Çukaliev. Sipas tij, nuk kemi asnjë hapësirë të madhe që do të prodhon sasi të mëdha me rendimente të mëdha, për shkak se çdo herë kemi pasur kufizime.

    Megjithatë mund të menaxhohet më mirë toka dhe uji, dhe më mirë të punohet vetë toka punuese. Ndonëse është vështirë të arrihet fitim prej 100 euro në dy hektarë tokë në mesatare sa mbillet gruri në vend nga një fermë.

    Nga Oda ekonomike thonë se vendi ynë është një importues neto i drithit, pra nuk i plotëson nevojat e vendit as me drithëra buke dhe as me lloje të tjera drithërash që përdoren për ushqimin e kafshëve. Prandaj, është veçanërisht e rëndësishme për ne të shfrytëzojmë në maksimum kushtet për rritjen e prodhimtarisë, veçanërisht të grurit, i cili ka peshën më të madhe në prodhimin e përgjithshëm të drithit dhe për të cilin sigurojmë mjete të larta për import. Prodhimi i tij ka qenë relativisht i paqëndrueshëm vitet e fundit dhe është rezultat i teknologjisë jo standarde, të vjetër, dhe duke qenë se rendimentet janë nën 4 ton për hektar, është tregues i varieteteve të dobëta që përdoren për materialet e farës.

    “Rritja e prodhimtarisë së grurit mund të arrihet duke aktivizuar pjesën e përshtatshme të tokës së punueshme të papunuar për grurin, si dhe vendosur teknologji dhe varietete të reja për rendimente më të larta. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme që shteti të bëjë një strategji shumëvjeçare për zhvillimin e këtij sektori, e cila do të bazohet në vendosjen e varieteteve të reja cilësore, rritjen e rendimenteve për hektar, subvencionimin sipas klasave të grurit të prodhuar dhe të dorëzuar në mullinjtë vendor me qëllim që ata të jenë konkurrues, gjë që do t’i mbrojë në mënyrë indirekte edhe fermerët vendor”, vlerësojnë nga Oda ekonomike e Maqedonisë.

    Nga Federata e Fermerëve thonë se për çdo vit për bujqit në vend një problem i madh është edhe çmimi më lartë i prodhimit si i shitblerjes. “Prodhimtaria e grurit mezi mbijeton, për shkak të mungesës së sistemit të blerjes së garantuar dhe pagesës me kohë, si mosekzistimit të korrjes me plan apo prodhimtarisë kontraktuese. Rrallë po realizohet edhe blerja intervenuese, edhe pse ekziston mundësi ligjore për diçka të tillë. Të gjithë këto sjellin edhe përdorimin më të vogël të teknologjisë moderne dhe investime më të ulëta si dhe e bëjnë këtë sektor ndër më të goditurit në prodhimtarinë bujqësore”, thonë nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë. Ndryshe, ekzekutivi vitin e kaluar miratoi Planin për prodhimin e ushqimit me Fondin intervenues, ku bujqit mbështeten me 400 milionë denarë në vit gjatë blerjes së plehrave. Kjo nënkupton prodhim me kosto më të vogël së bashku me subvencione shtesë për rendiment të realizuar për rritjen e prodhimit vendor.
    Qëllimi ndër të tjerash është edhe të sigurohet prodhimtaria më e madhe e kulturave bujqësore me rëndësi strategjike për shtetin. Po rriten edhe hapësirat e tokës shtetërore të ofruar me qira për prodhimin e grurit si dhe po realizohen edhe më shumë skema të tjera të mbështetjes.

    Gjithashtu plani fillestar prej 400 milionë denarë, deri në fund të vitit 2022 pritej të rritet në 600 milionë denarë, fermerët vendor për çdo hektar grurë duhet të marrin nga 4.000 denarë për përdorimin e së paku 200 kg pleh artificial. Njëherësh fermerët që do të realizojnë rendiment prej së paku 4.000 kilogramë grurë për hektar pritet të fitojnë subvencion shtesë prej 5.760 denarë për hektar.. Kjo nënkupton se shteti subvencionon afër 40 për qind të harxhimeve të plehut artificial për tokë punuese me grurë.

    Gjithashtu afër 6.000 prodhues të grurit që kanë më shumë se një hektar tokë me grurë, do të kenë mundësi të marrin subvencionim shtesë prej rreth 6.000 denarë për hektar nëse kanë rendiment prej 4.000 kilogramë për hektar. Kjo masë përfshin mbi 22 mijë hektarë me grurë. Subvencione do të fitohen edhe për lulediellin për prodhimin e vajit për ngrënie dhe për mbjelljen e elbit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    DILEMAT E TË RINJVE | Arsim të mesëm të përgjithshëm apo atë profesional?

    Lajmi i rradhës

    Tetova pa banesa sociale, ministria e hedh fajin te komuna

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë