Dimri i ashpër mund të jetë katalizator për zgjedhje të parakohshme

    Nuk dihet nëse do të ketë gaz dhe me çfarë çmimi. Energjia elektrike do të shtrenjtohet  sërish nga Viti i Ri. Shpenzimet e jetesës tashmë janë rritur me 16 për qind. Pakënaqësia sociale do të rrisë presionin ndaj qeverisë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, thotë analisti politik Marko Troshanovski, transmeton REL.

    Dimri i ashpër dhe kriza e paralajmëruar energjetike do të rrisin presionin ndaj qeverisë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, thotë analisti politik Marko Troshanovski.

    Opozita po e akuzon qeverinë për paaftësi për t’u përballur me sfidat dhe vazhdimisht bën thirrje për zgjedhje të parakohshme. Qeveria thotë se të gjitha kapacitetet janë orientuar në tejkalimin e krizës energjetike dhe për këtë arsye zgjedhjet duhet të mbahen në afat të rregullt.

    Troshanovski thotë se përkeqësimi i standardit social të qytetarëve vetëm sa do të rrisë pakënaqësitë e akumuluara nga veprimet e mëparshme, gjë që do të rrisë presionin për zgjedhje të reja.

    “Qeverisë, sigurisht që nuk i shkon për shtati të ketë zgjedhje të parakohshme tani kur pakënaqësia është në maksimum, megjithatë nëse opozita vendos të mobilizojë qytetarët mbi valën e kësaj pakënaqësie të akumuluar, presioni për një hap të tillë do të rritet ndjeshëm. Absolutisht nuk është e garantuar me siguri që do të rezultojë me zgjedhje të parakohshme, , por mundësia për një gjë të tillë gjithsesi do të rritet”, thotë Troshanovski.

    Nuk është e sigurt nëse gazi natyror do të jetë në dispozicion këtë dimër dhe me çfarë çmimesh. Avulli për ngrohje në Shkupin varet nga gazi, gjë që në raste ekstreme mund të kalojë në naftë. Shteti importon edhe energji elektrike, të cilën e blen me çmime shumë më të larta se ato që paguajnë qytetarët. Qeveria ka paralajmëruar rritje të re të çmimit të energjisë elektrike nga Viti i Ri. Drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski thotë se dëshiron që rritja e çmimit të jetë sa më e ulët. Që nga muaji i kaluar, rryma tashmë është rritur me 7 për qind mesatarisht, por rritja e çmimit për ata që ngrohen me energji elektrike do të jetë më e lartë.

    Shpenzimet e jetesës tashmë janë rritur me 16 për qind dhe vetëm ushqimi është 24 për qind më i shtrenjtë se vitin e kaluar.

    Partia opozitare VMRO-DPMNE e akuzon qeverinë se nuk është e aftë të përballet krizën energjetike prandaj duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

    Kompanitë e Maqedonisë e paguajnë energjinë më të shtrenjtë elektrike në rajon,që mbi të gjitha është pasojë e krimit dhe paaftësisë së pushtetit, ku nuk dinë të prodhojnë më shumë energji elektrike vendore me çmime të të volitshme”, reagojnë nga VMRO-DPMNE.

    “LSDM me mosveprimin, krimin dhe paaftësinë e saj tani, po kontribuon që e njëjta situatë të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Prandaj zgjedhjet e parakohshme parlamentare sa më parë janë zgjidhja për të dalë nga kriza në të cilën na ka futur LSDM”, thonë nga partia opozitare.

    Autoritetet thonë se na pret një “dimër i vështirë” ndaj të gjitha kapacitetet duhet të investohen për tejkalimin e kësaj krize. Ata hedhin poshtë idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nënkryetarja e LSDM-së, Sanja Llukarevska, thotë se në gjithë Evropën ka krizë energjetike dhe ekonomike dhe se qeveria është e përkushtuar që të gjejë zgjidhje për ta tejkaluar këtë periudhë të vështirë.

    “Kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë arsye për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Tamam puna. Duhet ta kalojmë krizën dhe vetëm atëherë, në vitin 2024, të shkojmë në zgjedhje të rregullta parlamentare”, thotë Lukarevska në intervistën për Radion Evropa e Lirë, të cilën do ta transmetojmë në tërësi të dielën.

    Pas largimit të Besës nga qeveria nëntorin e kaluar, e gjithë opozita kërkoi votëbesimin e qeverisë, e cila mbeti pa shumicë. Mirëpo, në ditën e votimit deputeti i Besës Kastriot Rexhepi nuk u paraqit në seancë dhe qeveria mbijetoi. Më pas Alternativa hyri në qeveri dhe siguroi shumicën në parlament.

    Lajmi Paraprak

    Papunësia ruse në nivelin më të ulët post-sovjetik

    Lajmi i rradhës

    Këshilli i Ambasadorëve: Marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës kontribuonë në stabilizimin e rajonit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë