Problemi i emigrimit të kuadrove të kualifikuara nga Maqedonia e Veriut po shndërrohet në një nga sfidat më të mëdha të shoqërisë. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka theksuar se vendi përballet me një krizë të thellë në sistemin arsimor dhe shkencor, e cila lidhet jo vetëm me cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë, por edhe me pamundësinë për të mbajtur kuadrot e formuara brenda vendit, shkruan gazeta KOHA.
“Është e nevojshme një rishikim i guximshëm i numrit dhe gjendjes së institucioneve të arsimit të lartë, pra një rikreditim i përgjithshëm”, deklaroi Siljanovska-Davkova, duke shtuar se edhe nëse prodhojmë kuadro cilësorë, pyetja kryesore mbetet: si do të arrijmë t’i mbajmë ata në vend?
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, vetëm në vitin 2024 nga Maqedonia janë larguar 12 doktorë shkencash, 31 magjistra, 96 persona me shkollë të lartë dhe dhjetëra të tjerë me arsim të mesëm apo të ulët. Tendenca e emigrimit ka qenë e ngjashme edhe në vitet 2023 dhe 2022, duke krijuar boshllëqe të mëdha në tregun e punës, sidomos në fusha si mjekësia, inxhinieria dhe shkencat teknike.
Siljanovska-Davkova paralajmëroi se derisa nepotizmi, lidhjet partiake dhe interesat personale të mbeten më të rëndësishme se meritokracia, të rinjtë do të vazhdojnë të largohen në kërkim të një sistemi ku vlerësohet cilësia dhe dijenia. “Problemi më i madh në hapësirën tonë shkencore dhe arsimore është se kemi shumë universitete dhe fakultete që funksionojnë si fabrika diplomash, por pak si fabrika dijenie. Ka hapësirë të gjerë për mesataren, por shumë pak për më të mirët dhe më kritikët”, tha ajo.
Ky realitet, sipas saj, bën që kuadrot më të mirë të integrohen shpejt në vende të tjera ku dijenia vlerësohet menjëherë, duke lënë pas një vakum të madh në tregun e punës dhe plagë demografike të thella. Një e treta e popullsisë tashmë jeton jashtë vendit, ndërsa projeksionet paralajmërojnë se deri në vitin 2070 numri i banorëve mund të bjerë nga 1,8 milionë në 1,2 milionë, me pasoja të rënda për ekonominë, sistemin shëndetësor dhe pensionet.
Megjithatë, pavarësisht emigrimit, numri i doktorëve të shkencave në vend po rritet. Vetëm në vitin 2024, titullin e doktorit e fituan 215 persona, një rritje prej 23,6% krahasuar me vitin 2023. Shumica e tyre doktoruan në fushat e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, artit, biznesit dhe ligjit. Në një konferencë ndërkombëtare të Pan-Evropian Unionit në Shkup, ish-presidenti Gjorge Ivanov shtoi një dimension tjetër të debatit, duke theksuar koston e lartë të formimit të kuadrove që më pas largohen drejt BE-së.
“Një mjek kushton 500 deri në 550 mijë euro për t’u formuar, një inxhinier 350 deri në 400 mijë euro. Çdo ditë, Ballkani Perëndimor i dhuron BE-së kuadro të formuar me shpenzimet tona”, tha Ivanov, duke e cilësuar këtë si një financim të të pasurve nga vendet e varfra. /KOha/






