Dokumentet personale, rikthehet ‘hallakama’ para sporteleve të MPB-së

    Rikthehet kaosi para sporteleve për ndryshimin e dokumenteve personale.

    E kjo ishte atmosfera sot në hapësirat e shërbimeve të MPB-së për nxjerrjen e pasaportave me procedurë të përshpejtuar.

    Qytetarët e revoltuar shprehen se ndjehen të burgosur në shtetin e tyre.

    “Shumë jam e revoltuar, një muaj e gjysmë pasaportën që e pres, gjashtë orë prita në “Prolet” që të vij në radhë ku ngriva duke pritur në temperatura në minus dhe tani shkoj këtu pas një muaj e gjysmë, ja dokumenti, dhe erdha këtu prita tre orë dhe më thanë që nuk është gati, a nuk është turp kjo? Çfarë të bëjmë ne njerëzit e thjeshtë. Jo që jemi të burgosur por kjo është karantinë edhe më e keqe se korona, koronën e kaluam por këtë nuk e di, mjere për popullin”, tha një qytetare.

    “Tre muaj që pres dhe ende nuk ka, javën tjetër më thuan të vij, më thanë që ende nuk i kanë sjellë”, u shpreh një qytetar.

    “Pres për pasaportë, u thanë se sa kohë duhet të pritni për ta marrë? Po një ose dy muaj, deri në muajin prill”, theksoi një qytetar.

    “Pres për pasaportë në mënyrë të përshpejtuar, sepse më kaloi afati i tjetrit, po duhet të udhëtoj kam një seminar jashtë shtetit”, u shpreh një qytetar tjetër.

    “Sa kohë pritet? Po ja një orë një person futet brenda, dokumentet tjerë i ndërruat? Jo, jo, tani ia fillova, tre muaj duhet të presësh që të marrish dokumentet”, tha një qytetar.

    Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se deri më 14 shkurt 2024 janë ndërruar mbi 1,3 milion pasaporta.

    “Nga data 05 qershor 2021 deri më 14 shkurt 2024 numri i letërnjoftimeve të dhëna me emrin e ri të shtetit është 1.131.355, ndërsa numri i qytetareve që kanë marrë pasaportë me emrin e ri të shtetit është 1.324.942, dhe numri i qytetareve që kanë marrë lejet e vozitjes me emrin e ri të shtetit është  587.193”, thonë nga MPB.

    Rreth një milion qytetarë ende nuk kanë ndryshuar dokumentet personale, ndërsa problem mbetet edhe më tej linja telefonike jo funksionale për të caktuar termin dhe pritja deri në dy muaj për marrje të pasaportave.

    Nga 12 shkurti, me pasaportën me emrin e vjetër të shtetit nuk mund të udhëtohet jashtë shtetit, ndërsa qytetaret të cilët janë jashtë shtetit dhe kanë pasaportë me emrin e vjetër, për kthim në vendin tonë duhet të pajisen me fletudhëtim nga përfaqësitë diplomatike në shtetin ku ndodhen. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    MPB: Nga e hëna do të lehtësohet procedura e marrjes së pasaportave

    Lajmi i rradhës

    Punësimet, ndërtimet, pagesat para zgjedhjeve – Komisioni Kundër Korrupsion paralajmëron partitë politike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë