Drejtësi e ngadaltë dhe e padrejtë!  

    Ish-shefi i DSK-së, Sasho Mijalkov pret vendim nga Gjykata e Apelit në Shkup nëse do të lirohet para kohe nga burgu i Strugës me kusht. Ish-deputetja e VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva u lirua nga akuzat për shpenzime të udhëtimit. Ish-prokurorja speciale Katica Janeva është duke vuajtur dënimin me shtatë vjet burg në Idrizovë, por së fundi ajo u punësua në zyrën e avokatisë së djalit të saj – ajo shkon në punë në mëngjes dhe kthehet pasdite.

    Këto janë disa nga lajmet e javës së kaluar që flasin për epilogun e disa prej rasteve që kanë bërë bujë në opinion për gati një dekadë, veçanërisht pas themelimit të Prokurorisë Speciale Publike në vitin 2015.

    PSP ka iniciuar shumicën e rasteve të profilit të lartë për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Disa prej tyre, si “Drumarina” kundër Bonevës, përfunduan me pafajësi, disa u vjetruan sidomos pas ndryshimeve në Kodin Penal dhe uljes së dënimeve për bashkim kriminal dhe shpërdorim të detyrës zyrtare, disa janë ende në proces gjyqësor, dhe pjesa më e vogël përfundoi me dënime të fundit me burgim.

    Sipas Koalicionit “Të gjithë për një gjykim të drejtë”, nëse merren parasysh epilogët e rasteve të PSP-së, si dhe ato me korrupsion të lartë të hapura nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, është diskutabile nëse mund të flitet për përmbushjen e drejtësisë në kuptimin e vërtetë të fjalës, veçanërisht për shkak të përfundimit të çështjeve dhe proceseve të gjata gjyqësore. “Është e rëndësishme të theksohet se edhe në ato pak raste në të cilat u shqiptuan dënime, ata demonstruan një politikë dënimi jashtëzakonisht të butë, e cila në praktikë është më e zakonshme për krimet e lehta. Fatkeqësisht, kjo është veçanërisht e theksuar në rastet e zyrtarëve aktualë apo ish-funksionarëve të lartë të shtetit dhe personave të ekspozuar politikisht, në të cilat si rezultat i krimit të kryer është arritur përfitim i madh pronësor ose është shkaktuar dëm i madh etj”, thonë nga Koalicioni.

    Prandaj, sipas vëzhguesve nga kjo organizatë joqeveritare, përshtypja e përgjithshme është se “kemi një problem jashtëzakonisht serioz në drejtim të një reagimi institucional gjithëpërfshirës dhe efektiv në shtypjen dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë”.

    PSE PRITET AQ SHUMË PËR GJYKIM?

    Vëzhguesit ndajnë përshtypjen se proceset gjyqësore me interes publik zgjasin jashtëzakonisht shumë dhe analizat e tyre tregojnë se ka raste që zgjasin më shumë se pesë vjet pa vendim. “Arsyet pse këto procedura zgjasin gjithnjë e më shumë lidhen me kapacitetet e pamjaftueshme për një hetim të plotë dhe të detajuar, veçanërisht një hetim financiar që duhet të zbulojë fluksin e përfitimeve pronësore të fituara në mënyrë të paligjshme”. Në të njëjtën kohë, kjo nuk nënkupton vetëm hetimet e kryera nga ish-PSP-ja, por edhe pasivitetin e prokurorive që kontribuuan në formimin e PSP-së dhe më pas mosaktivitetin e prokurorive duke marrë përsipër hetimet e nisura nga PSP”, theksojnë nga koalicioni “Të gjithë për një gjykim të drejtë”. Ndër arsyet e procedimit të gjatë, sipas organizatës joqeveritare, është fakti se në disa prej rasteve ka një numër jashtëzakonisht të madh të provave të propozuara, rikthimi i shpeshtë i gjykimeve në fillim për shkak të ndryshimit të trupit gjykues ose për shkak të mosmbajtjes së seancës brenda 90 ditëve, si dhe vetë menaxhimit nga gjykata.

    Në këtë listë të gjatë procedimesh është lënda “Titanik” për parregullsitë zgjedhore dhe ishte një nga më të gjerat që doli nga PSP. Disa nga të pandehurit e pranuan fajin dhe morën dënime, por për disa gjykimi është ende në vazhdim – më shumë se pesë vjet.

    NJË LISTË E SHKURTËR E TË DËNUARVE

    Në mesin e të paktëve zyrtarë të lartë aktualë apo ish funksionarë që kanë vuajtur dënimin me burg është edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska. Për çështjen “Tanku” ajo u dënua me katër vite burg dhe u lirua me kusht 11 muaj në fillim të nëntorit të kaluar. Në të njëjtin rast, ndihmësministri në MPB, Gjoko Popovski, është dënuar me katër vjet burgim dhe pesë vjet për blerjen e 300 veturave në MPB. Ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski ka hyrë në “Idrizovë” për rastin e parregullsive zgjedhore “Titanik”, ku e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me katër vjet e gjysmë burg.

    Në listën e shkurtër të atyre që kanë vuajtur ose janë duke vuajtur dënime me burg në vitet e kaluara është edhe biznesmeni Sead Koçan për “Trust”, si dhe Sasho Mijalkov dhe Orce Kamçev. Derisa Mijalkovi është në pritje të vendimit nëse do të marrë lirim me kusht për “Imperia”, biznesmeni Kamçev, duke shfrytëzuar kohën e kaluar në paraburgim dhe duke bashkuar dënimet për “Imperia” dhe “Pllacet në Vodno”, ka përfunduar vuajtjen dhe është i lirë që nga nëntori 2022. Si Kamçevi, ashtu edhe Mijalkovi, pasi kishin ndërruar adresën nga Shkupi në Ohër, kaluan për të vuajtur dënimin në burgun e Strugës, ku të dënuarit lejohen të punojnë dhe të dalin për në punë, si dhe të përdorin fundjavat dhe pushimet.

    Emri më i njohur në mesin e ish-zyrtarëve që kanë një dënim të vlefshëm me burg është ish-kryeministri Nikolla Gruevski, por deri më tani nuk ka vuajtur asnjë ditë. Gruevski u arratis në Hungari në nëntor të vitit 2018, kur ishte gati të fillonte vuajtjen e dënimit me dy vjet burg për rastin “Tanku” për blerjen e Mercedesit të blinduar. Ndërkohë, ai u dënua me një vit e gjashtë muaj burg si për rastin “Shuplakat” dhe shtatë për “Pllacet në Vodno”. Ndaj tij po zhvillohen procedura të tjera, disa prej të cilave, si çështja “Trajektoria” për autostradat kineze, u vjetruan pas ndryshimeve në Kodin Penal që ulën dënimet për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe kompetencave.

    KËRKESA PËR KOMPENSIMIN E HARXHIMEVE NGA ARKA E SHTETIT

    Për lëndën “Trajektoria”, në të cilën përveç Gruevskit ishin të përfshirë edhe ish-zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski dhe ish-ministri Mile Janakieski, është vetëm një nga rastet që u vjetruan për shkak të ndryshimeve të diskutueshme në Kodin Penal. Vetëm nga rastet e hapura nga PSP, sipas analizave të fundit të Koalicionit “Të gjithë për një gjykim të drejtë”, tetë lëndë janë vjetruar. Në mesin e tyre është edhe lënda“Kosmos”, ku në mesin e të akuzuarve ishin Gruevski, Janakieski dhe ish-kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski. Në këtë listë është edhe lënda “Toplik” është për ndërtimin e “Qytetit të diellit” ku i akuzuari i parë ishte Janakieski.

    Më pas, rasti “I Fuqishmi” në të cilin ishte përfshirë deputeti Antonio Milloshoski, si dhe “Dizajn” për blerjen e autobusëve kinezë për NQP, ku Janakieski e pranoi fajësinë, ndërsa deputeti Igor Janushev qëndroi në bankën e të akuzuarve deri në vjetrimin e lëndës. Janë vjetruar edhe lëndët “Producent” ndaj ish-ministrit të Bujqësisë Ljupço Dimovski dhe gazetares Ivona Talevska, si dhe rasti “Pacienti” për keqpërdorime të tenderëve për aktivitete ndërtimore në disa objekte shëndetësore. Bujar Osmani fillimisht ka qenë i përfshirë në këtë rast si ish-ministër i Shëndetësisë, por procedura ndaj tij është ndërprerë edhe para ngritjes së aktakuzës për shkak se prokuroria ka konsideruar se ai nuk ka pasur vetëdije dhe vullnet për të kryer vepër penale.

    Dhe rasti më i rëndësishëm, të cilin opinioni e quan “nëna e të gjitha rasteve të PSP-së”, me emrin e koduar “Target-Fortesa” ka mbetur i vjetruar lidhur me përgjimet masive ilegale, për të cilin në mesin e të akuzuarve ishte edhe ish-shefi DSK-së, Sasho Mijalkov.

    Vjetrimi i lëndëve u hapi rrugë të pandehurve dhe avokatëve të tyre që të kërkonin nga gjykata kompensimin e shpenzimeve. Sipas asaj që raportojnë mediat, kërkesa për përcaktimin e shpenzimeve ka pothuajse në të gjitha rastet që kanë skaduar. Procedura parashikon që çdo avokat apo i pandehur të paraqesë kërkesa, pas së cilës gjykata merr vendim. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Statusi i Ohrit, UNESCO vendos në korrik

    Lajmi i rradhës

    Sa është e arsyeshme të kthehet detyrimi ushtarak!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë