Droga në makinën e policisë | MPB nuk ndjen përgjegjësi

    Ministria e Brendshme nuk ndjen përgjegjësi për drogën e kapur në veturën zyrtare të këtij dikasteri në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Sipas policisë droga e kapur daton nga viti 2016, ndërsa vetura i është dhënë këtij institucioni nga Agjencia për Menaxhimin e Pronave të Konfiskuara.

    Nëpunësit e MPB-së nuk kanë asnjë lidhje me drogën, ajo ishte e fshehur në bunker special brenda veturës, përkatësisht e mbetur nga viti 2016 kur vetura ishte kapur në një aksion të Drejtorisë së Doganave dhe më pas i është dhënë Agjencisë së Menaxhimit të Pronave të Konfiskuara. E njëjta më pas i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm MPB-së. Nëpunësit nuk kanë asnjë lidhje me të dhe këtë e konfirmoi edhe Prokuroria e Shqipërisë”, thonë nga Ministria e Brendshme.

    Në MPB dërguam pyetje nëse posedon procesverbal të pranim dorëzimit të mjeteve të konfiskuara tek prokurori publik? A ishte i njoftuar organi akuzës dhe çfarë ishte vërtetuar nga ekspertiza në procedurë penale? dhe a i është nënshtruar të gjitha procedurave vetura e llojit “Chraysler Voyager”, para dorëzimit në Agjencinë e Menaxhimit me Pronat e Konfiskuara? Nga dikasteri i Brendshëm na dërguan përgjigjen e njëjtë të cilën një ditë më parë ia kishte dërguar të gjitha mediave.

    Ndërkohë Prokuroria e Shqipërisë dhe policia nuk posedojnë asnjë informacion për një zhvillim të tillë. Dogana e Malit të Zi ka njoftuar se nga kontrollet kufitare në Sukobin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në një makinë me targa të Maqedonisë së Veriut është gjetur kanabis, por pa dhënë detaje për sasinë.

    Alsat ka hulumtuar origjinën e veturës. Nga të dhënat që kemi siguruar në Doganat e Maqedonisë së Veriut rezulton që më datën 2 dhjetor të vitit 2016 një shtetas suedez është arrestuar në kufirin me Kosovën. Në atë veturë, që në fakt është vetura tipike “Chraysler Voyager” e shfrytëzuar nga policia maqedonase është gjetur 32.5 kilogram kanabis në 61 paketime. Në komunikatën e doganës potencohet prezenca e kafesë dhe orizit në bunkerët special të makinës, gjë që vërehet edhe në fotografitë e publikuara nga dogana e Malit të Zi. Për këtë ekziston edhe video incizim i kontrolleve të përbashkëta mes doganierëve dhe policëve. Informacionin se vetura i takon shtetasit suedez e konfirmon edhe Agjencia e Menaxhimit me Prona të Konfiskuara. Nga atje thonë se vetura e kapur në dhjetor të vitit 2016 i është dhënë me vendim MPB-së në muajin nëntor të vitit 2017, ndërsa policia e ka pranuar zyrtarisht atë në fillim të vitit 2018.

    Tani Prokuroria Publike po heton skandalin. Deri tani organi akuzës nuk jep asnjë informacion, por ajo që duhet vërtetuar mbetet dilema se si droga mbeti në makinë kur në incizime duket se policia dhe doganierët kanë hapur pothuajse gjithë pjesën e pasme të veturës në vitin 2016 kur ishte kapur droga?/Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kallëzime penale për keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe pastrim parash në Komunën e Petrovecit

    Lajmi i rradhës

    Edhe kjo javë përfundoi, por akoma nuk ka detaje rreth rastit tragjik në Tetovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë