Drutë që të “djegin” xhepin!

    Rikthimi i stufave me dru si alternativa më e sigurt për të siguruar ngrohjen këtë vit, pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe paralajmërimeve për ndërprerje të mundshme, kanë rritur me shpejtësi të papërballueshme për xhepin e qytetarit edhe çmimin e kubikut të drurit. Nga 4500 deri në 5500 denarë tregohet nga furnizuesit privatë druri për ngrohje, pavarësisht çmimit tavan të caktuar nga Drejtoria e Pyjeve prej 3444 denarë për metër kub.

    Më lirë tregtohet në qytetet e tjera jashtë Shkupit, ose nëpër fshatra, edhe pse me një difernecë të vogël. Por edhe krahas rritjes së çmimit, druri nuk është një produkt që gjendet pa vështirësi në treg, në shumë raste mungon duke shkaktuar panik tek konsumatori. Ministria e Mjedisit nuk ka informacione lidhur me çmimet e rritura në tregun e zi, ndërsa disa komuna kanë vendosur që blerjen e drurit ta subvencionojnë me 500 denarë për metër kub.

    “Pres informacion nga inspektorati dhe nga Ndërmarrja Publike që të na informojnë pse çmimet janë kaq të shtrenjta”, deklaroi pak ditë më parë ministri i Ekologjisë Naser Nuredini. Sa i takon çmimit tavan ka gjasa që të rritet me 20 për qind, pas kërkesës që Drejtoria e Pyjeve ia ka drejtuar Qeverisë. Po me çmimet në tregun e lirë për kubikë, Maqedonia renditet si vendi më i shtrenjtë, krahasuar me fqinjët ku çmimi është gjithsesi më i vogël, edhe pse rritja e çmimeve të druve për ngrohje është vërejtur në të gjitha vendet e rajonit. Madje në disa vende, krahasuar me vitin e kaluar, çmimet janë rritur me 50 për qind, ndërsa në disa të tjera janë dyfishuar.

    Në Shqipëri dhe Kosovë çmimet janë dyfishuar. Në Shqipëri, kostoja e një metër kub dru arriti deri në 64 euro (nga 34 euro një vit më parë. Në Kosovë një metër kub dru kushton nga 80 euro e deri 100 euro (nga 35 euro një vit më parë). Në Serbi po ashtu kubiku në tregun e zi është më i shtrenjtë (70 euro) sesa çmimi i caktuar nga autoritetet zyrtare (rreth 34 euro).

    Edhe në Bosnjë e Hercegovinë nuk respektohen tarifat e vendosura nga shteti. Por pavarësisht rritjes së kërkesës, për shkak të krizës energjetike eksporteve të lëndëve drusore drejt vendeve evropiane dhe lakmia për fitime më të mëdha të furnizuesve të drurit kanë sjellë çmime që konsiderohen si artificialisht më të larta, sidomos pas indikacioneve që çmimet mund të vazhdojnë të rriten muajin e ardhshëm. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Rritet interesi për vajin e ullirit në Shqipëri, shkak shtrenjtimi i vajit ushqimor

    Lajmi i rradhës

    Ekonomistët: Qeveria duhet të shprehet qartë se sa mund të ndihmojë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë