Durmishi: Nuk vjen në shprehje lejimi i importit të automjeteve më të vjetra se 10 vjet

    Qeveria e Kosovës ka vendosur përfundimisht që mos të lejojë importimin e automjeteve më të vjetra se 10 vjet.

    Ani se janë formuar grupet punuese për plotësim ndryshimin e Ligjit për Automjete, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se nuk vjen në shprehje heqja e kufizimit të vjetërisë së automjeteve.

    Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ditë më parë ka paralajmëruar se para pushimit të deputetëve do të iniciojë sërish nismën ligjore në Kuvend për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Automjete, i cili mundëson lejimin e importit të veturave më të vjetra se 10 vjet.

    Zëvendësministri Durmishi thotë se lejimi importit të automjeteve më të vjetra se dhjetë vjet, do të ndikonte në rritjen e ndotjes së ambientit në Kosovë.

    “Një ndër pikat që është diskutuar në Grupet punues ka qenë edhe kjo për vjetërsinë e automjeteve. Natyrisht që për neve është e rëndësishme ambienti, që mos të lejojmë që numri i madh i automjeteve ta rris ndotjen e ajrit në Kosovë. Dhe jemi duke synuar që të krijojmë mekanizma përmes kontrolleve teknike edhe përmes formave të tjera që ta ulim sa më shumë ndotjen që shkaktohet prej automjeteve. Prandaj aktualisht nuk vjen në shprehje ta heqim kufizimin për vjetërsinë e automjeteve, sepse kjo ndikon pastaj në rritjen e ndotjes këtu në Kosovë”, thekson Durmishi.

    Ai ka treguar kohen kur Kosova mund të lejojë importin e veturave më të vjetra se 10 vjet.

    “Për këtë mund të flasim pasi që të krijojmë një situatë të tillë kur mund ta ulim emetimin e gazrave prej automjete përmes formave të ndryshme, siç është vendosja e disa filtrave shtesë të të gjitha automjeteve. Pastaj, mund të flasim për rritjen e vjetërsisë së automjeteve”, ka treguar ai.

    Durmishi e kupton gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve, por thotë se primare është shëndeti i qytetarëve.

    Sipas Durmishit, vjetërsia mesatare e automjeteve në Kosovë është 19 vjet.

    “Po, por kjo ka të bëj që është një numër i madh i automjeteve në Kosovë. Vjetërsia e automjeteve mesatare është 19 vjet që janë në Kosovë. Nëse ne këtë e rrisim, atëherë do ta rrisim importin e makinave të vjetra prej vendeve që dëshirojnë që t’i largojnë automjetet nga vendet e tyre. Prandaj kjo do të ndikojë në rritjen e ndotjes dhe për neve primare është shëndeti i qytetarëve”, thotë Durmishi.

    Derisa kundër lejimit të importit të veturave të vjetra janë shprehur edhe ambientalistët dhe njohës të ekonomisë. /KP/

    Lajmi Paraprak

    Pse gazetaria duhet të shkëputet nga Facebook-u

    Lajmi i rradhës

    “Dinjitetin ose e ke ose nuk e ke, kur nuk e ke, atëherë sharjet dhe poshtërimet të dukën qesharake”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë