Shkupi ende te pragu i BE-së!

    Europa po përgatitet për zgjerimin e radhës, vendet e rajonit po afrohen drejt anëtarësimit, ndërsa Maqedonia e Veriut vazhdon të kërkojë rrugëdalje nga ngërçi i saj politik. Nga Brukseli vijnë mesazhe gjithnjë e më të drejtpërdrejta: ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen, dialogu me Bullgarinë duhet të vazhdojë dhe përgjegjësia për zhbllokimin e procesit është në duart e institucioneve të vendit.

    Në të njëjtën kohë, zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, paralajmëron se përçarjet e vazhdueshme politike mund të jenë vetëshkatërruese për një shtet të vogël.

    Mes kërkesave evropiane dhe mungesës së konsensusit të brendshëm, Maqedonia përballet me një dilemë vendimtare: a do të arrijë klasa politike të gjejë gjuhë të përbashkët për të ardhmen evropiane, apo vendi do të vazhdojë të shohë nga larg përparimin e fqinjëve? Derisa komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kërkon miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Shekerinska bën thirrje që kompromisi politik të mos trajtohet si tradhti, por si një instrument i domosdoshëm për zhvillimin e shtetit.

    NDRYSHIMET KUSHTETUESE DUHET TË MIRATOHEN

    Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjatë paraqitjes para eurodeputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka përsëritur se Maqedonia e Veriut duhet të tregojë vendosmëri në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e anëtarësimit.

    “Maqedonia e Veriut duhet të tregojë vendosmëri në rrugën e reformave dhe t’i miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese”, deklaroi Kos. Sipas saj, objektivi i Komisionit Evropian mbetet avancimi i negociatave të anëtarësimit sapo të përmbushen kushtet e përcaktuara. Mesazhi i saj është se zhbllokimi i procesit varet në masë të madhe nga vendimet që duhet të merren në Shkup.Kos theksoi se Bashkimi Evropian po lëviz drejt një faze të re zgjerimi.

    “Jemi në rrugën drejt zgjerimit të ardhshëm të Bashkimit Evropian”, deklaroi ajo gjatë prezantimit të raporteve të progresit për vendet kandidate.

    Sipas vlerësimeve që paraqiti, Mali i Zi është më afër anëtarësimit dhe pritet të bëhet pjesë e BE-së në vitin 2028. Për Shqipërinë, Kos shprehu pritjen që negociatat të përfundojnë deri në fund të vitit, ndërsa Ukraina dhe Moldavia, sipas saj, janë të gatshme të avancojnë në hapjen e negociatave për të gjitha fushat.

    BULLGARIA DHE MAQEDONIA DUHET TË ULEN NË TRYEZË

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajcka theksuar se mosmarrëveshjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë procesin e anëtarësimit. Duke përmendur Kroacinë dhe Malin e Zi si shembuj të dialogut për zgjidhjen e çështjeve të hapura, ai vlerësoi përpjekjet e kryeministrave të këtyre vendeve për të gjetur marrëveshje. “Dua t’i falënderoj kryeministrat e të dy vendeve për takimet, bisedimet dhe gjetjen e zgjidhjeve. Marrëdhëniet dypalëshe nuk duhet të ndikojnë në procesin e anëtarësimit”, theksoi ai.

    Megjithatë, raportuesi evropian bëri dallim ndërmjet mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe detyrimeve që janë përfshirë në kuadrin evropian të negociatave. Sipas tij, disa nga çështjet e hapura ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë të natyrës dypalëshe, ndërsa të tjera kanë marrë karakter evropian, përfshirë çështjen e përfshirjes së komuniteteve në Kushtetutë.

    “Amendamentet kushtetuese duhet të miratohen”, deklaroi Vajc. Ai kërkoi rifillimin e dialogut ndërmjet dy qeverive, duke theksuar se bisedimet janë mënyra e vetme për të kapërcyer ngërçin. “E vetmja rrugëdalje nga qorrsokaku janë bisedimet. Qeveritë e Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të bisedojnë”, tha eurodeputeti. Vajc propozoi që edhe komisionerja Marta Kos të përfshihet në përpjekjet diplomatike për afrimin e qëndrimeve ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.

    MARRËVESHJA POLITIKE NUK ËSHTË TRADHTI

    Në një intervistë për televizionin Sitel, zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, ka kërkuar që Maqedonia e Veriut të ndërtojë konsensus për çështjet me rëndësi afatgjatë shtetërore.Sipas saj, politika në vend është zhytur në një ndarje të thellë, ku kompromisi shpesh shihet si dobësi, ndërsa marrëveshja me kundërshtarin politik si tradhti.

    “Për disa gjëra duhet të përballesh, duhet të debatosh. Por ka tema, sidomos ato afatgjata, për të cilat herë pas here duhet të arrish një pajtim. Kjo nuk është tradhti, nuk është lëshim, as kompromis në kuptimin që tek ne kjo fjalë përjetohet si diçka e turpshme. Është sikur ta shtyni së bashku shtetin përpara”, deklaroi Shekerinska. Ajo paralajmëroi se përçarja e vazhdueshme mund të ketë pasoja serioze për të ardhmen e vendit.“Për shtetet e mëdha është e papërballueshme, për të voglat është vetëvrasëse”, tha ajo, duke iu referuar polarizimit politik.

    Shekerinska theksoi se mbështetja ndërkombëtare është e rëndësishme, por nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë e institucioneve dhe partive politike në vend. “As Brukseli, as Uashingtoni, as Berlini nuk do ta krijojnë zgjidhjen maqedonase. Këtë duhet ta bëjnë vetë qytetarët dhe institucionet”, ishte mesazhi i saj. Sipas zëvendëssekretares së përgjithshme të NATO-s, shoqëria maqedonase shpesh harxhon më shumë energji duke identifikuar problemet dhe duke fajësuar kundërshtarët sesa duke propozuar zgjidhje konkrete. Ajo vlerësoi se dalja nga pasiviteti dhe ndarjet politike është e domosdoshme për të përshpejtuar rrugën drejt Bashkimit Evropian. Për Shekerinskën, përvoja e anëtarësimit në NATO është dëshmi se edhe çështjet që për vite duken të pazgjidhshme mund të tejkalohen kur ekzistojnë vullnet politik dhe qëllim i përbashkët.

    Duke folur për rëndësinë e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, Shekerinska solli si shembull pozitën e Maqedonisë së Veriut brenda NATO-s.Ajo theksoi se pjesëmarrja në institucionet ku merren vendimet është thelbësore për mbrojtjen e interesave shtetërore. “Kur nuk jeni në tryezë, vendimet nuk do t’i pasqyrojnë prioritetet dhe nevojat tuaja”, deklaroi Shekerinska. “Në çështjet e sigurisë ne jemi në tryezë dhe dua që të jemi edhe në të gjitha tryezat e tjera të rëndësishme”, shtoi ajo.

    Shekerinska kujtoi se anëtarësimi në NATO dikur dukej një objektiv i largët, për shkak të kontestit me Greqinë dhe rrethanave të ndërlikuara ndërkombëtare.

    Megjithatë, vendi arriti të bëhet anëtar i plotë i Aleancës, ndërsa sot ka përfaqësuesen e tij në një nga funksionet më të larta të organizatës.Sipas saj, Maqedonia është vendi i shtatë që ka përfaqësues në pozitën e zëvendëssekretarit të përgjithshëm të NATO-s, gjë që dëshmon se edhe shtetet e vogla mund të kenë ndikim në institucionet ndërkombëtare.Ajo përmendi edhe funksionimin e NATO-s, ku arritja e konsensusit ndërmjet 32 vendeve anëtare kërkon komunikim të vazhdueshëm, durim dhe gatishmëri për zgjidhje të përbashkëta.

    Në intervistë, Shekerinska foli edhe për largimin e kuadrove të kualifikuara nga Maqedonia e Veriut.Ajo tha se në qendrat evropiane takon shumë profesionistë të suksesshëm nga vendi, të cilët kanë njohuri, përvojë dhe dëshirë të kontribuojnë në zhvillimin e tij. Megjithatë, sipas saj, institucionet duhet të krijojnë kushte ku profesionalizmi dhe aftësitë të njihen dhe të vlerësohen. Shekerinska iu referua edhe rëndësisë strategjike të Ballkanit Perëndimor për NATO-n, duke përmendur misionin KFOR në Kosovë si dëshmi të angazhimit të Aleancës për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.“Paraliza është e rrezikshme. Duhet të ndiejmë se mundemi”, përfundoi ajo. Koha

    Lajmi Paraprak

    A i ndryshon humbja e Vuçiqit raportet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë