Dy qytetarë të Kosovës arrestohen për shpërndarje të ekstazisë në Shqipëri

    Pesë persona janë arrestuar në Tiranë, përfshirë dy kosovarë në mesin e të cilëve edhe një asamblist i partisë në pushtet në Kosovë, Levizja Vetëvendosje, njoftoi të martën Policia shqiptare.

    Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, tha më 15 gusht në një konferencë për media se arrestimi i tyre erdhi pas një hetimi disamujor në kuadër të operacionit të koduar “PUNISHER 2”.

    “Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me vetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish”, tha Vocaj.

    Tre prej tyre janë shtetas shqiptarë, ndërsa dy të tjerët kosovarë. Ata dyshohen se shpërndanin ekstazi në lokalet e natës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pasi trafikonin lëndën narkotike nga Kosova në Shqipëri.

    Në mesin e të arrestuarve është edhe Besnik Mujeci, 40 vjeç, i cili është asamblist i Vetëvendosjes në kuvendin komunal të Prishtinës.

    Sekretari për media dhe komunikim i Lëvizjes Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se një komision i partisë ka hapur rast disiplinor ndaj Mujecit.

    “Me të marrë informacionin kemi iniciuar menjëherë procedurën disiplinore me ç’rast Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin në fjalë. Pas mbledhjes do t’ju njoftojmë mbi vendimin”, tha Manxhuka.

    Të dyshuarit janë kapur me një dërgesë me lëndë të dyshuar narkotike prej 11.300 tabletave ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kilogram, që ka vlerën e rreth 400 mijë eurove në treg.

    Vocaj bëri të ditur se janë siguruar provat ligjore për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi që përbëhej nga 5 persona.

    Të arrestuarit e tjerë janë Mithat Ramadani 30 vjeç, banor i Prishtinës, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banorë të Tiranës.

    Përveç tabletave të ekstazisë MDMA, atyre iu sekuestrua edhe një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe pesë telefona celularë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    TRAGJEDIA NË SPITALIN MODULAR | Sali: Fajtorët u shpërblyen

    Lajmi i rradhës

    4000 hapa në ditë për një jetë më të gjatë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë